Nga Mero Baze
Lulzim Basha nuk ka ndonjë arsye të fortë të ndjehet i trembur për garën në PD. Atij i mjafton të jetë i pacipë për të mos lejuar të bëhet garë, siç po sillet, dhe është në rregull.
Por gjesti i sotëm, kur ai kishte organizuar një “karshillëk” ndaj kundërshtarëve, duke mbledhur 12 kryetarë degësh nga Jugu në një drekë, për të treguar besnikërinë me të, tregon se ai edhe pse e ka kthyer garën në formalitet, nuk është i qetë.
Në fakt, në Jug, Partia Demokratike pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ka më pak deputetë se sa kryetarë degësh. Dhe kjo, falë atyre kryetarëve që ishin në drekë së bashku. Përdorimi i tyre si shenjë fuqie ndaj kundërshtarëve në një parti që nuk ka garë, tregon se Basha ka probleme serioze me pasigurinë që ndjen nga brenda partisë.
Është e dëmshme së pari të bësh simbol të besnikërisë së kryetarit të partisë, disa kryetarë degësh që janë simbol i humbjes së partisë. Në degët që ata drejtojnë, PD është shpartalluar dhe ka tejkaluar nivelin kritik të vitit 1997, duke prekur bazën besnike të partisë.
Ata janë në atë tavolinë për t’i shprehur mbështetje Bashës, pasi ndjehen si ai, të humbur. Ata i bashkon më shumë solidariteti i humbësit dhe makthi nga ikja, se sa solidariteti ndaj një njeriu në rrezik, siç mund të mendohet kandidatura e Bashës.
Nga ana tjetër, gjesti i karshillëkut ndaj kritikëve të Bashës, tregon se Basha, përtej lojës që po bën me garën në PD, është realisht i shqetësuar nga ajo që po bëjnë kundërshtarët e tij dhe po i merr seriozisht për t’i rivalizuar. Pra, ai po bën njëkohësisht dy fushata. Një, së bashku me Selamin, dhe një tjetër kundër rivalëve të tij realë. Dhe kjo po tradhton qetësinë me të cilën ai shtiret se po pret fitoren.
Së fundmi, ky gjest është një praktikë që e ndjekin grupet në pakicë brenda një partie. Kur ato janë të rrezikuara, apo kur duan të shprehin një lloj identiteti të tyre politik, bashkohen në kështu drekash, apo fotosh, për të treguar se janë dhe ata që duhet të llogariten.
E bërë kjo, në emër të një kryetari partie që jo vetëm nuk rrezikohet të iki nga kryetar, por as nuk po rivalizohet realisht, do të thotë se ata e dinë më mirë se të tjerët se Basha po kthehet në pakicë në PD, dhe ata ndjejnë nevojën t’i tregojnë se janë me të.
Fotografia e sotme e besnikëve të Bashës, ngre më shumë pikëpyetje për pafuqinë e Bashës dhe keqkatandisjen e tij, se sa për ndonjë epërsi. Ajo foto tradhton qetësinë e farsës së zgjedhjeve në PD dhe tregon se realisht Basha nuk është i shqetësuar nga ajo si garë, që duket sikur po bëhet, por nga mungesa e garës dhe nga kundërshtarët që e përfaqësojnë këtë mungesë. Dhe foto tregon se ata diçka kanë arritur. E kanë detyruar Bashën të identifikohet me humbësit e mëdhenj në PD.