Marrëdhëniet mes PS dhe LSI nuk duken të jenë qetësuar edhe pas takimit të dy liderëve Rama dhe Meta në fundjavë. Kërkesa e përsëritur e LSI për ndryshime në qeveri, dhe pozicionimi kundër i PS për këtë çështje duket se ka krijuar edhe tensionet e para edhe mes deputetëve. Në fakt kanë qenë deputetët e PS Vasilika Hysi dhe Pandeli Majko të cilët kanë kundërshtuar dje në Komisionin e Ligjeve projektligjin për trajtimin e të burgosurve, i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.
Deputetët, e PS i kanë kërkuar Naços që të propozojë një ligj të ri për burgjet dhe jo arnime. Deputetja, njëkohësisht relatore e çështjes, Vasilika Hysi, tha se ligji mbi të cilin rëndojnë këto ndryshime të propozuara nga Ministria e Drejtësisë është arrnuar 5-herë dhe bashkë me këto të kësaj radhe, 6-herë.
“Është i nevojshëm ndryshimi total i ligjit. Ky ligj është ndryshuar 5 herë deri më sot dhe ky arrnim i propozuar, që është totalisht i pavlefshëm është i gjashti. Ligji është hartuar para miratimit të Kushtetutës dhe tashmë ka ardhur koha që të hartojmë një ligj të ri, i cili të plotësojë të gjitha kushtet e kërkuara për burgje dinjitoze, që respektojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, ashtu siç rekomandojnë dhe ndërkombëtarët”, tha Hysi.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti Pandeli Majko, duke theksuar se ligji ka nevojë për përmirësime.
“Unë mendoj se në ligj duhet të bëhen ndryshime, në mënyrë që ligji të jetë sa më i mirë. Mos të bëjmë këtu kush është më i mënçur se tjetri. Kolegia Hysi në këtë tavolinë është ekspertja më e mirë për këtë çështje”, u shpreh Majko.