• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, September 25, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Përplasja për pagat, Sadushi: Vendimet e Kushtetueses të panegociueshme

by A R
25/09/2026 10:41
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka prekur sërish çështjen e pagave të magjistratëve.

Ai u shpreh se nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës apo fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Sadushit, dialogu institucional është i nevojshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar kompetencat e secilit institucion dhe bazën juridike.

Ai kërkoi që diskutimi të mos kufizohet vetëm te pagat, por të shtrihet edhe te problemet e tjera.

Fjala e plotë e kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi

Mbledhja e sotme ka një rëndësi të veçantë për qeverisjen e gjyqësorit. Zgjedhja e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor është një nga përgjegjësitë kryesore të vetëqeverisjes sonë. Sot nuk plotësojmë thjesht tre vende në Këshill. Me votën tonë ndikojmë në mënyrën se si do të qeveriset gjyqësori në vitet që vijnë.

Në kuadër të ripërtëritjes së Këshillit, tre anëtarëve që do të zgjedhim do t’u bashkohen edhe dy anëtarë jogjyqtarë që zgjidhen nga Kuvendi. Pesë nga njëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit do të zëvendësohen me anëtarë të rinj. Pothuajse gjysma e tij. Kjo i jep procesit të sotëm një peshë të veçantë institucionale dhe na vendos përpara një përgjegjësie që shkon përtej vetë aktit të votimit.

Përpara se të votojmë, besoj se është e dobishme të reflektojmë mbi disa pyetje: Çfarë kemi pritur nga Këshilli? Çfarë kemi marrë prej tij? Çfarë nuk ka funksionuar mirë? E mbi të gjitha, çfarë Këshilli na duhet për të ardhmen?

Në këto vite kam folur shpesh për Këshillin e Lartë Gjyqësor. E kam mbështetur kur kam menduar se duhej. E kam vlerësuar për atë që është bërë mirë, por kam qenë edhe kritik kur kam gjykuar se ritmi, vendimmarrja apo rezultatet nuk u përgjigjeshin nevojave të sistemit.

Unë besoj se institucionet nuk mbrohen duke heshtur për dobësitë e tyre. Ato mbrohen kur kanë, si kurajon t’i njohin dobësitë, ashtu dhe aftësinë për t’i korrigjuar ato.

KLGJ-ja e ka ushtruar mandatin në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Pasojat e procesit të rivlerësimit, mungesa e gjyqtarëve dhe riorganizimi i hartës gjyqësore i kanë shtuar vështirësitë e emërimeve, ngritjeve në detyrë, transferimeve dhe vlerësimeve. Në periudha të caktuara, gjykatat janë detyruar të përballojnë ngarkesën me kapacitete shumë më të kufizuara se sa u nevojiteshin. Përpjekjet e Këshillit për ta mbajtur sistemin në funksionim në këto kushte meritojnë vlerësim. Po aq e nevojshme është të shohim ku vendimmarrja e tij duhet të jetë më e shpejtë dhe më pranë nevojave të gjykatave.

Tetë vjet pas ngritjes së organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, kemi tashmë përvojën e nevojshme që suksesin të mos e masim vetëm me ngritjen e institucioneve, por me mënyrën se si ato funksionojnë dhe me rezultatet që prodhojnë.

Kushtetuta i ka besuar KLGJ-së përgjegjësinë për mirëfunksionimin dhe qeverisjen e pushtetit gjyqësor. Prandaj çështja nuk është sa akte janë miratuar apo sa procedura janë hapur. Çështja më e rëndësishme është: çfarë ka ndryshuar realisht në aftësinë e gjykatave për t’i dhënë qytetarit drejtësi cilësore dhe në kohë? Këtu fillon bilanci i vërtetë.

Një gjykatë nuk funksionon vetëm me ligje dhe rregullore. Ajo ka nevojë për gjyqtarë të mjaftueshëm, administratë profesionale, drejtues dhe kancelarë të zgjedhur në kohë, këshilltarë dhe staf mbështetës, teknologji bashkëkohore, siguri, ambiente dinjitoze dhe burime financiare që i përgjigjen funksionit të saj.

Një gjyqtar e ka të vështirë të ndërtojë karrierën normalisht, kur vlerësimi etiko-profesional vonohet përtej çdo kohe të arsyeshme. Administrimi i një gjykate dobësohet, kur pozicionet drejtuese mbeten për vite të paplotësuara. Shpejtësia dhe cilësia e gjykimit cenohen, kur ngarkesa të mëdha përballohen me më pak gjyqtarë dhe më pak personel nga sa kërkon funksionimi normal i sistemit.

Një drejtësi e shekullit XXI kërkon teknologji moderne. Dinjiteti i drejtësisë kërkon godina, salla gjykimi dhe kushte pune, që i përgjigjen funksionit që ushtrohet aty. Mbi të gjitha, pavarësia e gjyqësorit kërkon që gjyqtari ta ushtrojë detyrën i lirë nga frika dhe kërcënimi.

Pas pak ditësh, më 6 tetor, mbushet një vit nga vrasja, në sallën e gjykimit, gjatë ushtrimit të detyrës, e kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja. Humbja e tij na kërkon të shohim me seriozitet sigurinë në çdo gjykatë: çfarë masash janë marrë, ku ka mangësi dhe kush mban përgjegjësi për t’i kapërcyer ato? Kur siguria e një gjyqtari cenohet për shkak të detyrës, vihet nën presion vetë ushtrimi i drejtësisë.

Prandaj siguria, ashtu si burimet njerëzore, infrastruktura, teknologjia dhe financimi, nuk përbën një kërkesë për komoditetin e gjyqtarëve. Ajo është pjesë e kushteve, që shteti duhet të garantojë që drejtësia të funksionojë.

Për këto arsye, vazhdimisht është kërkuar më shumë nga Këshilli, jo sepse ai mund t’i zgjidhë i vetëm të gjitha këto probleme, por sepse një organ qeverisës duhet t’i identifikojë në kohë, t’i bëjë të qarta, të kërkojë burimet e nevojshme, të propozojë zgjidhje dhe të bashkëpunojë me institucionet e tjera derisa të arrihen rezultate konkrete.

Detyra e Këshillit nuk është vetëm të trajtojë nevojat e sotme të gjykatave. Ajo kërkon edhe aftësinë për t’i dalluar problemet përpara se ato të shndërrohen në kriza.

Mandati i anëtarëve të Këshillit që zëvendësohen po përfundon. Kjo na jep mundësinë të vlerësojmë me drejtësi punën që ata kanë bërë dhe të nxjerrim mësime nga ajo që nuk ka funksionuar siç duhej. Ata kanë dhënë kontributin e tyre në ushtrimin e përgjegjësive të Këshillit gjatë një periudhe me vështirësi të mëdha për sistemin.Megjithatë, gjykatat kanë pasur nevojë për vendimmarrje më të shpejtë, për më shumë vëmendje ndaj vështirësive të tyre dhe për një Këshill që t’u paraprijë problemeve. Prandaj zgjedhja e sotme nuk është thjesht plotësimi i tri vendeve. Ajo lidhet me mënyrën se si Këshilli do ta ushtrojë përgjegjësinë e tij në vitet që vijnë.

Në këtë zgjedhje, përgjegjësia na takon drejtpërdrejt edhe ne. Tre anëtarët gjyqtarë do t’i zgjedhim vetë. Përmes kësaj zgjedhjeje ushtrojmë vetëqeverisjen e gjyqësorit dhe marrim përgjegjësi për mënyrën si do të funksionojë Këshilli.

Kolegët që kanë vendosur të kandidojnë meritojnë respekt për gatishmërinë për të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Në vlerësimin tonë kanë rëndësi aftësia profesionale dhe integriteti, si edhe aftësia për të punuar në një organ kolegjial, për të dëgjuar mendime të ndryshme, për të argumentuar dhe për të marrë vendime të përbashkëta.

Që vendimet e Këshillit t’u përgjigjen gjykatave, anëtarët e tij duhet ta njohin nga afër punën e tyre, të dëgjojnë gjyqtarët, drejtuesit dhe administratën, si dhe të kuptojnë kushtet në të cilat ushtrohet çdo ditë funksioni gjyqësor. Pas statistikave janë njerëzit që punojnë në gjykata. Çdo vend vakant shton ngarkesën e gjyqtarëve të tjerë. Çdo vonesë në emërim, ngritje në detyrë apo vlerësim profesional prek edhe funksionimin e gjykatës. Këshilli duhet t’i njohë këto pasoja dhe të veprojë në kohë. Këtë aftësi duhet të kemi parasysh kur të votojmë. Zgjedhja i takon bindjes së lirë të gjithsecilit, ndërsa përgjegjësia për Këshillin që formojmë është e përbashkët.

Të nderuar kolegë,

Kjo mbledhje zhvillohet në një moment kur debati publik ka sjellë përsëri në vëmendje marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, autoritetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garancitë që lidhen me statusin e gjyqtarit. Ky nuk është objekti i mbledhjes së sotme, por nga çdo mosmarrëveshje institucionale duhet të dimë të nxjerrim mësime.

Pavarësia e institucioneve nuk provohet kur të gjithë janë dakord. Ajo provohet pikërisht kur lind mosmarrëveshja. Atëherë shihet nëse institucionet dinë të argumentojnë, të mbrojnë kompetencat e tyre, të përdorin mjetet kushtetuese dhe të dialogojnë pa hequr dorë nga parimet.

Kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj dialogun institucional. Ndarja e pushteteve nuk nënkupton mungesën e dialogut ndërmjet tyre. Dialogu institucional, megjithatë, kërkon më shumë se uljen e palëve në një tryezë. Ai duhet të ketë një objekt të qartë, të respektojë kompetencat e secilit dhe të mbështetet në një bazë juridike të përbashkët. Për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve, është Gjykata Kushtetuese që do të vendos përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu. Vendimi që do të merret duhet të respektohet dhe të zbatohet.

Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të qartë edhe për objektin e tryezës së konsultimit, në të cilën Kryeministri ka ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, të gjykatave dhe të prokurorive të Republikës. Objekti i saj është politika e pagave në sistemin e drejtësisë dhe mekanizmi për përcaktimin e tyre.

Pikërisht për këtë çështje qëndrimi ynë duhet të jetë i qartë. Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj.

Kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllim derën e dialogut. Ato që mendojmë, ato që diskutojmë ndërmjet nesh dhe ato që kemi bërë publike duhet të kemi gatishmërinë t’i themi drejtpërdrejt në çdo tryezë. Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër. Dialogu nuk është nënshtrim. Ai është mënyra institucionale për të mbrojtur qëndrimin me argumente, për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe për të kërkuar hapësirën e bashkëpunimit që Kushtetuta lejon.

Ne duhet të jemi po aq të qartë edhe për kufijtë e këtij dialogu. Ai nuk mund të nisë dhe të përfundojë te paga. Çështja e pagave është e rëndësishme, sepse prek drejtpërdrejt një nga garancitë e pavarësisë së gjyqësorit, por ajo nuk përmbledh problemet e drejtësisë shqiptare. Një dialog serioz ndërmjet pushteteve duhet të shkojë përtej mosmarrëveshjes së momentit dhe të përballet me çështjet që përcaktojnë në mënyrë reale aftësinë e sistemit për të dhënë drejtësi.

Sot vendit i duhet një “Tryezë për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë”, i duhet një proces institucional me vështrim afatgjatë, ku secili pushtet të marrë përgjegjësi për çështjet që i përkasin dhe ku bashkëpunimi të çojë në zgjidhje konkrete.

Prandaj, dialogu nuk duhet të mbetet vetëm te paga. Është koha t’u japim përgjigje çështjeve që përcaktojnë funksionimin e drejtësisë: sa gjyqtarë dhe prokurorë i duhen Shqipërisë, si do të plotësohen vendet vakante, si do të ulet stoku i çështjeve dhe kohëzgjatja e proceseve? Duhet të përcaktojmë çfarë administrate, teknologjie, infrastrukture dhe sigurie u duhen gjykatave dhe si do të financohen këto nevoja në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë duhen një rend pune konkret, përgjegjësi të qarta dhe vendime të zbatueshme.

Asnjë institucion nuk mund t’u përgjigjet i vetëm këtyre nevojave. KLGJ-ja duhet t’i njohë vështirësitë e gjykatave, t’i paraqesë qartë dhe të propozojë zgjidhje. Institucionet e tjera duhet të përmbushin përgjegjësitë që u takojnë. Bashkëpunimi mes tyre është i domosdoshëm dhe duhet të zhvillohet duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

Pushtetet janë të ndara, por shteti është një. Edhe qytetari është i njëjti. Për të, ndarja e kompetencave dhe e përgjegjësive buxhetore ndërmjet institucioneve nuk mund të shërbejë si shpjegim për vonesën e drejtësisë. Ai pret që çështja e tij të gjykohet në kohë, me cilësi dhe me dinjitet. Për këtë duhet të shërbejë dialogu, që çdo pushtet të përmbushë detyrën e vet dhe që pushtetet, së bashku, të krijojnë kushtet që drejtësia të funksionojë.

Të nderuar kolegë,

Përgjegjësia ndaj qytetarit kërkon që edhe ne ta qeverisim mirë gjyqësorin. Sot kemi mundësinë të ndikojmë drejtpërdrejt në këtë drejtim, duke zgjedhur tre anëtarët gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas pak do të dëgjojmë kandidatët. Secili meriton të vlerësohet për përvojën, gjykimin dhe idetë që sjell. Vota e secilit është personale dhe e fshehtë. Le ta japim lirisht, duke vlerësuar cilët kandidatë mund t’i njohin nga afër nevojat e gjykatave dhe të marrin vendime që u përgjigjen atyre.

Vendimet e Këshillit do të ndikojnë në punën e gjykatave dhe, përmes saj, në mundësinë e qytetarëve për të marrë drejtësi. Për këtë arsye, zgjedhja e sotme nuk përfundon me shpalljen e rezultatit. Të zgjedhurit duhet ta përligjin besimin e marrë me punën e tyre. Ne duhet ta ndjekim atë punë me të njëjtën ndershmëri me të cilën bëjmë sot zgjedhjen. T’i mbështesim vendimet e mira dhe të kërkojmë përmirësim aty ku Këshilli nuk u përgjigjet nevojave të gjykatave.

Sot vota është e secilit prej nesh. Përgjegjësia për mënyrën si do të qeveriset gjyqësori është e të gjithëve.

Ju faleminderit!

Next Post
“Paqja është kusht për zhvillimin ekonomik”, Rama flet në takimin e Këshillit Europian të Korporatave

"Paqja është kusht për zhvillimin ekonomik", Rama flet në takimin e Këshillit Europian të Korporatave

Comments 1

  1. ccc says:
    6 hours ago

    Banda me e ndyre dhe e felliqur e ketij vendi eshte hedhur ne sulm. Asgje nuk eshte spontane, por e koordinuar dhe me role te mirepercaktuara. Keta te pafytyre nuk ndalen para asgjeje, ndersa pagat jane sebep i vogel per te ushqyer skenarin e tyre. Pasi nuk kane fare nevoje per rroga. Vetem pamja e tyre t’i sjelle zorret ne gryke dhe duhet durim heroik per te rezistuar.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kryeministri Rama nga Nju Jorku: Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, dëshmi e transformimit të Shqipërisë

Kryeministri Rama nga Nju Jorku: Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, dëshmi e transformimit të Shqipërisë

September 25, 2026
“Më goditi me pasqyrë, duke më rrezikuar jetën”- Rrëfimi i shefit të Komisariatit të Krujës, për videon virale ku u përfshi dhe u sulmua fizikisht me grusht

“Më goditi me pasqyrë, duke më rrezikuar jetën”- Rrëfimi i shefit të Komisariatit të Krujës, për videon virale ku u përfshi dhe u sulmua fizikisht me grusht

September 25, 2026
“Tërmet” në Premier League, Manchester City shpallet fajtor për 114 nga 115 akuzat, ja skenarët dhe masat e ndëshkimit të ‘Citizens’

“Tërmet” në Premier League, Manchester City shpallet fajtor për 114 nga 115 akuzat, ja skenarët dhe masat e ndëshkimit të ‘Citizens’

September 25, 2026
Nations League/ Maran ndez atmosferën para Bjellorusisë: Më emocionon Shqipëria, më bën krenar, duhet të jemi të vendosur për rezultatin

Nations League/ Maran ndez atmosferën para Bjellorusisë: Më emocionon Shqipëria, më bën krenar, duhet të jemi të vendosur për rezultatin

September 25, 2026
U nominua nga Trump për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt raporton të martën në Komitetin e Jashtëm

Stina politike e Tiranës që inauguron ambasadori i ri i SHBA

September 25, 2026
Blerja e automjeteve përmes KAYO, reagon IKMT: E gjithë procedura është kryer në përputhje me ligjin!

Blerja e automjeteve përmes KAYO, reagon IKMT: E gjithë procedura është kryer në përputhje me ligjin!

September 25, 2026
FOTO/ Aksident në aksin Fier-Lushnjë, automjeti del nga rruga dhe përmbyset, shoferi shpëton pa dëmtime

FOTO/ Aksident në aksin Fier-Lushnjë, automjeti del nga rruga dhe përmbyset, shoferi shpëton pa dëmtime

September 25, 2026
“Nuk komentojmë çështje që janë në proces”- Brukseli reagon për çështjen “Hyseni”: Po i ndjekim zhvillimet nga afër, Shqipëria ka bërë përparime

“Nuk komentojmë çështje që janë në proces”- Brukseli reagon për çështjen “Hyseni”: Po i ndjekim zhvillimet nga afër, Shqipëria ka bërë përparime

September 25, 2026
Mesazhi i ish-luftëtarit të UÇK-së: Haga na dënoi si komb, ka implikuar një Shqipëri të tërë

Projektligji i PDK për “Hagën” dërgohet tek Albin Kurti

September 25, 2026
“Kudo që shkoj, ka shqiptarë që më qerasin”- Wesley Clark: Ndihem si pjesë e familjes! Historia kërkon guxim dhe ai solli ndryshimin në Kosovë (VIDEO)

“Kudo që shkoj, ka shqiptarë që më qerasin”- Wesley Clark: Ndihem si pjesë e familjes! Historia kërkon guxim dhe ai solli ndryshimin në Kosovë (VIDEO)

September 25, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com