“Shqipëria gëzon disa nga pamjet, rrënojat antike dhe plazhet më të mira, por është ende një nga destinacionet sekrete më të bukura në Evropë, pa rrëmujën e turmave të njerëzve”, shkruan “The Travel Women”.
Ajo ka plazhe mahnitëse të stilit grek, kështjella historike që ngjasojnë me Uellsin dhe shëtitore të gjëra ku kafet janë të rreshtuara njëra pas tjetrës si në Barcelonë.
E gjithë kjo është e vendosur në një vend të bukur, të përballueshëm dhe totalisht të paeksploruar për të cilin ndoshta ju nuk keni dëgjuar ende asgjë deri më tani.
“Shqipëria është madje renditur e 18-ta në listën e 21 vendeve që ne rekomandojmë në 2018!”, shkruan “The Travel Women”.
Më poshtë janë 11 arsye pse ju duhet të vizitonë këtë perlë të fshehur të Evropës (para çdokujt tjetër):
1- Është lirë: Hotelet me 5 yje kudo në Shqipëri ishin nën 100 dollarë. Një vakt i bollshëm bashkë me verën kushtoi 10-15 dollarë për person në çdo restorant. Karta e telefonit për një javë me çdo gjë të përfshirë ishte tre dollarë. Vendi është i lirë! Në Rivierën shqiptare kryesisht shihni të njëjtën pamje si në Positano apo ishujt grekë, me kosto të përgjysmuar. Më thellë në vend mund të përjetoni ecje malore të stilit norvegjez dhe qytete alpine të frymëzuara nga Suedia pa thyrje të relievit. Kjo është ndalesa perfekte për çdo udhëtar me buxhet, me çantë shpine ose për dikë që kërkon të udhëtojë me stil pa shpenzuar shumë.
2- Është e pandryshuar: Shqipëria nuk është në Instagram. Ende, nuk është perëndimore dhe jo tamam e modernizuar. Nuk ka starbucks apo Mcdonald. Transporti publik joperfekt. Më e mira nga të gjitha është se nuk ka shumë turizëm. Kjo do të thotë se do të shihni një vend autentik me histori të pasur, ashtu siç është.
3- Fshatrat e vjetër: Imagjinoni Oia, Le Baux apo Cotswold para se të mbipopulloheshin. Fshatrat e vjetër majë kodrave ekzistojnë që prej më shumë sesa 1 000 vitesh. Nuk ka kafene, nuk ka dyqane suveniresh dhe as turistë. Këto fshatra janë të vërtetë dhe të paprekur dhe do të shtangeni nga secili prej tyre. Ju dhe vetëm ju!
4- Natyra e pabesueshme: Unë u mahnita nga shumëllojshmëria e relievit në Shqipëri. Në brendësi të vendit ndjehesh si në një kombinim unik të Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Zvicrës.Ka plazhe, male, kanione, lugina, lumenj dhe liqene. Aventurëkërkuesit kanë mundëesinë e përzgjedhjes: mund të ngasin biçikletat, të ecin apo të parashutojnë. Ky është një vend fantastik për të kaluar pushimet duke kombinuar një gjysmë pushimi, gjysmë aventurë pa udhëtuar shumë orë për t’i bërë të dyja.
5- Plazhet e virgjëra: Korfuzi është vetëm 30 minuta larg me traget përgjatë detit Jon. Kështu që ndani të njëjtën shtrirje plazhesh si ishujtë e Greqisë. Riviera shqiptare pranë Dhërmiut dhe Sarandës ka një vijë bregdetare me guralecë të bardhë, më i këndshmi që kam parë në Mesdhe. Lajmi më i mirë? Nuk do t’ju duhet të paguani shezlonët, të prenotoni kabinat apo të porosisni koktejle të shtrenjtë ndërsa jeni shtrirë. Ndoshta i gjithë vendi do të jetë i gjithi juaji.
6- Vakte nga ferma në tavolinë: Nëse nuk është e sezonit, ju nuk do ta gjeni në menu në Shqipëri. Unë me të vërtetë mund ta shijoj freskinë dhe cilësinë e çdo produkti në pjatën time çdo ditë. Shqipëria është mbretëresha e kuzhinës nga ferma në tavolinë, sepse njerëzit i kultivojnë vetë ushqimet e tyre. Ju mund të hani rrush, mish nga ferma dhe çdo gjë tjetër të bërë me dorë, kudo që shkoni. Madje edhe verën! Një herë hëngra peshk dhe pastaj më treguan edhe varkën me të cilin e kishin kapur. Ndihesha sikur haja në Blue Hill, te Stone Barns. Dhe çdo gjë është e freskët dhe pa konservantë apo kimikate, ndërkohë që pas një jave kisha humbur nja dy kilogramë në peshë.
7- Histori e pabesueshme: Vendosa të shkoj në Shqipëri kur mësova vendin e saj në hartë. Ajo është pjesë e Ballkanit, që kufizohet nga Greqia dhe Maqedonia, ndërkohë që Italia ndodhet përtej Jonit dhe Adriatikut. Ajo ka histori të pasur si edhe fqinjët e saj. Ju do të shikoni rrënoja 5 000-vjeçare, arkitekturë otomane, rrugë të përshkuara nga Aleksandri i Madh, kështjella antike dhe fshatra majë malesh. Shqipëria i ka të gjitha. Por, ndryshe nga fqinjët e saj, ajo është e paprekur dhe e paeksploruar.
8- Njerëz të dashur: Shqiptarët e vlerësojnë praninë tuaj atje. Gjatë udhëtimeve të mia nëpër botë kam përjetuar momente kur banorët lokalë nuk janë të kënaqur me faktin që fshatrat dhe qytetet e tyre janë të mbipopulluar me turistë. Ndonjëherë jam ndjerë edhe e jomirëseardhur. Por ky nuk mund të jetë kurrë rasti i Shqipërisë. Kur banorët lokalë këtu kuptojnë që ju keni zgjedhur vendin e tyre ata janë të mbushur me krenari dhe bëjnë gjithçka që ju të ndiheni shkëlqyeshëm në udhëtimin tuaj. Ky nuk është vend i rrezikshëm, njerëzit janë të këndshëm dhe ju presin krahëhapur.
9- Qytete të trashëgimisë botërore të UNESCO-s: Qyteti i Beratit dhe Gjirokastrës janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që ju nuk i keni dëgjuar kurrë, por që do t’ju mahnisin. Janë pak orë larg njëri-tjetrit.
10- Nuk ka nevojë të kërkosh udhëtim të planifikuar: Përpara shumë udhëtimeve të mia, unë çmeritem duke kërkuar hotele, restorante, vende për t’u parë, bare dhe dyqane. Ndonjëherë edhe lodhem nga i gjithë ky planifikim. Kështu që nuk më ngelet gjë tjetër veç të marr një hartë dhe të shoh nga do të shkoj. Kjo nuk ndodh në Shqipëri! Falë Limitless Albania, unë lashë dikë tjetër ta bënte këtë punë. Ky vend është kaq i paeksploruar, sa kisha nevojë për një ekspert lokal për ndihmë. Ia besova këtë gjë Fatmirit, që nga e ngrëna deri te e fjetura dhe them se nuk kam patur kurrë pushime kaq pa stres.
11- Do të surprizoheni: Kur ka qenë hera e fundit që ju keni shkuar diku pa e ditur se çfarë ju priste? Ndoshta nuk keni qenë kurrë në Liguria, por ju keni parë çdo centimetër të saj në Instagram. Të përjetosh një vend për qejfin tënd është natyrisht diçka ndryshe, megjithatë ju e dini se çfarë do të ndodhë, madje edhe ku do të shkoni për të ngrënë. Në Shqipëri çdo ditë do të jetë një aventurë. Ju nuk i keni parë këto pamje në foto, të hedhura diku apo të tag-uara gjeografikisht. Ju nuk keni dëgjuar për këto restorante apo hotele (dhe me shpresë jo edhe për një kohë të gjatë). Kështu pra, shkoni dhe zbuloni një territor të paeksploruar ndërkohë që keni ende mundësi!/atsh/a.m.