Forcat e Armatosura përkujtuan sot 5-vjetorin e rënies në krye të detyrës të kapiten Feti Voglit, i cili ra dëshmor më 20 shkurt të vitit 2012 gjatë misionit Combat, “Eagle 4”, në Kandahar të Afganistanit.
Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale, ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Dedë Prenga, komandantë forcash, si dhe bashkëluftëtarë dhe familjarë të dëshmorit.
Në fjalën e saj ministrja Kodheli e cilësoi rënien e kapiten Voglit si ngjarje të dhimbshme për FA tona, ndërsa vetë atë, si krenarinë e kombit. Ajo ndau dhimbjen me familjarët dhe kolegët e dëshmorit edhe pse, siç u shpreh ajo “e njoha Fetiun vetëm përmes aktit të tij heroik”.
Më tej, ajo përmendi sakrificat e kapiten Voglit dhe kolegëve të tij për të ngritur lart flamurin shqiptar, duke i cilësuar si shembullin më të mirë të punonjësit të shtetit.
“Nga Afganistani në Irak, përpjekja dhe gjaku juaj nuk mund të harrohen. Disa prej jush kanë në trup plagët e luftës, të tjerë plagët i kanë të padukshme, por dhimbjen e keni të vërtetë. Nuk keni një profesion të lehtë, por ju, si burra e gra trima, vazhdoni të punoni me profesionalizëm dhe vetëmohim. Secili prej jush sakrifikon çdo ditë. Ju motivon atdheu, ju motivon detyra, ju motivon dëshira për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Dhe për këtë jemi krenarë për ju,për të gjithë ju burra e gra në uniformë,sepse ju jeni shembulli më i mirë dhe më i vërtetë sesi duhet të jetë shqiptari, sesi duhet të jetë punonjësi i shtetit, shërbyesi i popullit. Në Afganistan, Irak, Çad, Bosnje, Kosovë, Mali e detin Egje, kudo ku kanë shërbyer e po shërbejnë ushtarakët tanë, janë një shembull për t’u ndjekur. Keni ndryshuar imazhin e Shqipërisë me punën, sakrificën, profesionalizmin dhe vetëmohimin,si askush tjetër më parë,si askush tjetër sot. I gjithë kombi ju falënderon për atë që bëni çdo ditë.”- përfundoi ministrja Kodheli.
Pas vendosjes së kurorave me lule pranë bustit të “Dëshmorit të Atdheut”, të pranishmit vizituan në Muzeun e Batalionit të Forcave Speciale, këndin e ri që i është dedikuar kapiten Feti Voglit, ku janë ekspozuar arma, uniforma dhe pajimet e përdorura nga ai, si dhe foto nga pjesëmarrja e tij nëpër stërvitje e misione. /ma.me