• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, July 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Përkëdheljeve nga Brukseli, Vuçiç iu përgjigjet me sharje nga tavolina e kafehanes

by A R
09/09/2025 14:24
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Gjatë viteve 2024–2027 parashihet që Serbia të marrë 1.5 miliardë euro përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Njëkohësisht presidenti Aleksandar Vuçiq po e ashpërson retorikën antiperëndimore. Disa politikanë të gjelbër evropianë, të cilët po i përkrahin protestat në Serbi, autokrati serb i quajti “plehra evropiane që kanë ardhur për ta rrënuar vendin tonë”. Nëse protestat në Serbi vazhdojnë (dhe gjithçka tregon se kjo do të ndodhë), shpejt mund të vijë momenti i së vërtetës edhe për BE-në: me apo kundër autokracisë gjithnjë e më brutale.

Para një viti shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Emanuele Giaufret, njoftoi se me planin e rritjes Serbia do të marrë rreth një miliard e gjysmë euro nga fondet e BE-së. Qëllimi i kësaj ndihme, sipas Giaufret, është që Serbia të bëhet më konkurruese në treg. “Tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital duhet të ecin më shpejt dhe më thellë, gjithashtu edhe sistemi arsimor duhet t’u ofrojë të rinjve aftësitë e nevojshme për të punuar në botën moderne”, i tha atëbotë Giaufret radiotelevizionit shtetëror serb.

Nga 6 miliardë euro të parapara për vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia pritet të marrë gati 30 për qind të fondeve, ose afërsisht aq sa planifikohet të marrin Shqipëria dhe Kosova së bashku.

Që nga njoftimi i ambasadorit Emanuele Giaufret, në Serbi kanë ndodhur shumë ngjarje. Pas rrëzimit të kulmit të stacionit të trenit në Novi-Sad më 1 nëntor 2024, në këtë vend shpërthyen demonstratat më të mëdha në historinë e tij më të re. Protestuesit e shohin këtë tragjedi si pasojë të keqqeverisjes dhe korrupsionit dhe për këtë e akuzojnë direkt regjimin e prirë nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Pas 7 javësh do të mbushet një vit nga fatkeqësia e Novi-Sadit, e cila ua mori jetën 16 njerëzve të pafajshëm dhe lëndoi rëndë e lehtë dhjetëra të tjerë. Kalkulimi i Vuçiqit se me kalimin e kohës protestat do të ndaleshin, doli i pasaktë. Protestat po vazhdojnë dhe njëkohësisht po shfaqet gjithnjë e më shumë brutaliteti i policisë dhe personave të dhunshëm e të maskuar, të cilët besohet se veprojnë me porosi të regjimit.

Para disa javësh policia serbe arrestoi dhe keqtrajtoi një studente. Ajo akuzoi një pjesëtar të policisë se e kishte kërcënuar me përdhunim. Pastaj u vu në lëvizje propaganda e tmerrshme e regjimit. Në internet u shfaqën fotografi intime të studentes, pastaj të njëjtat i publikoi “Informeri”, njëra nga gazetat më të ndyra të afërta me pushtetin. Edhe në të kaluarën kritikët e qeverisë janë goditur egërsisht nga mediat bulevardeske, gjithnjë duke iu referuar “burimeve të sigurta” të cilat, sipas vëzhguesve të pavarur, janë vetë shërbimet sekrete serbe.
Me gjithë represionin në rritje dhe rrëshqitjes në autoritarizëm, regjimi i Vuçiqit nuk është përballur me kritika të vendosura nga BE dhe shtetet me ndikim. Në muajin mars presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, e mirëpritën Vuçiqin në Bruksel për një darkë joformale. Kritikat ishin tepër të buta, kryesisht apele me fjalë të pambukta, dhe për opinionin kritik dhe protestuesit në Serbi ky ishte mesazh se Brukseli nuk ka hequr dorë nga Vuçiqi. Përkundrazi.

Mjaft aktiv në mbrojtjen e Vuçiqit është sidomos presidenti francez, Emmanuel Macron. Në fund të marsit, pak ditë pas protestës së madhe të opozitës në Beograd me rreth 300 mijë pjesëmarrës, të dy presidentët zhvilluan një bisedë telefonike. Në fillim të prillit Macron e priti Vuçiqin në Paris me nderime të larta ushtarake, ndërsa presidenti serb solli me vete si dhuratë verë dhe gota. Para vizitës Vuçiqi deklaroi: “Për dy ose tri ditë do të jem me presidentin Macron në Pallatin Élysée. Le të nervozohen edhe pak ata që e urrejnë Serbinë. Faleminderit presidentit Emmanuel Macron që dëshiron të bisedojmë në mënyrë strategjike për gjërat që janë të rëndësishme për Serbinë.”

Momentalisht të vetmit politikanë evropianë që janë pozicionuar qartë kundër Vuçiqit janë të gjelbrit. Disa prej tyre javën që shkoi qëndruan në Novi-Sad për të përkrahur protestat kundër regjimit serb. Kundër tyre reagoi ashpër Vuçiqi, i cili tha se demonstruesve në Novi-Sad u kanë ndihmuar “plehrat evropiane që kanë ardhur për ta rrënuar vendin tonë”. Ai premtoi se ata do të ndiqen penalisht në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë.
Vuçiqi e bëri këtë kërcënim pasi mori pjesë në paradën e madhe ushtarake në Kinë, me ç’rast u lavdërua se në Republikën Popullore Komuniste njerëzit e njihnin në rrugë dhe i drejtoheshin me emër. Po në Kinë, Vuçiqi takoi diktatorin rus Vlladimir Putin, të cilit me devotshmëri i raportoi se Serbia është shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Moskës pas agresionit kundër Ukrainës.

Së paku në mediat e rëndësishme evropiane kohëve të fundit janë botuar komente mjaft kritike mbi kursin e gabuar të BE-së ndaj Serbisë. Nga mesi i gushtit gazeta “Financial Times” në një koment shkroi se ka ardhur “koha për t’ia ndalur privilegjet presidentit autoritar të Serbisë”. Kundër këtij artikulli reagoi vetë Vuçiqi me një letër demagogjike. “Financial Times” bëri thirrje që Vuçiqi “të shtyhet, të bëhet më i përgjegjshëm dhe të mbajë zgjedhje vërtet të ndershme; kjo është thelbësore për çdo shpresë të anëtarësimit në BE. Alternativa është që Serbia do të rrëshqasë në shtegun që fatkeqësisht ka marrë Gjeorgjia, duke u bërë një demokraci e rreme mbi të cilën BE nuk ka ndikim dhe për teprimet e së cilës mund të bëjë më shumë se të lëshojë deklarata proteste.”
Në fundjavë gazeta gjermane “Die Zeit” përmendi disa arsye pse Vuçiqi nuk po kritikohet nga Perëndimi: “Pse Evropa e toleron edhe më tutje Vuçiqin, mund të shpjegohet me një vështrim më të afërt të interesave ekonomike. Sepse Serbia është një vend i rëndësishëm për të ashtuquajturin nearshoring, pra zhvendosjen e prodhimit të mallrave evropiane në shtetet fqinje të afërta. Përparësitë: fuqi punëtore e lirë, distanca të shkurtra, pak kufizime. Rreth 80 mijë njerëz punojnë në Serbi për ndërmarrjet gjermane. Përveç aspekteve të politikës ekonomike ka edhe një dimension të sigurisë. Franca i shiti Serbisë në vitin 2024 aeroplanë luftarakë ‘Rafale’ me vlerë 2.7 miliardë euro. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e quajti shitjen një marrëveshje ‘historike dhe të rëndësishme’. Ai lavdëroi ‘guximin strategjik’ të Serbisë dhe ‘një demonstrim të vërtetë të shpirtit evropian’”. Për Gjermaninë e rëndësishme është marrëveshja e arritur me Serbinë për shfrytëzimin e rezervave të mëdha të litiumit.

Nëse protestat në Serbi vazhdojnë (dhe gjithçka tregon se kjo do të ndodhë), atëherë deri në njëvjetorin e tragjedisë së Novi-Sadit mund të vijë momenti i së vërtetës edhe për BE-në: me apo kundër autokracisë gjithnjë e më brutale.

Next Post
VIDEO / Bëri drift për “Tik Tok” në zona të banuara, e pëson keq 26-vjeçari në Cërrik

VIDEO / Bëri drift për "Tik Tok" në zona të banuara, e pëson keq 26-vjeçari në Cërrik

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vuçiç shpall zgjedhjet e parakohshme: Po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb, qytetarët mund të shprehin vullnetin e lirë

Vuçiç shpall zgjedhjet e parakohshme: Po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb, qytetarët mund të shprehin vullnetin e lirë

July 23, 2026
“Flamingot” në pritje të Revolucionit të Tetorit

“Flamingot” në pritje të Revolucionit të Tetorit

July 23, 2026
Zyrtarizohet rinovimi me Milanin, Luka Modriç: Besoj në këtë projekt, do të shihemi së shpejti

Zyrtarizohet rinovimi me Milanin, Luka Modriç: Besoj në këtë projekt, do të shihemi së shpejti

July 23, 2026
Paralajmëron kreu i OKB-së: Situata në Lindjen e Mesme po del jashtë kontrollit

Paralajmëron kreu i OKB-së: Situata në Lindjen e Mesme po del jashtë kontrollit

July 23, 2026
A ka më fuqi protesta të prodhojë ‘stuhi’ lajmesh perëndimore?

“Lironi protestuesit e Kuvendit!”, nis protesta e 54-t para Kryeministrisë

July 23, 2026
Magazinimi dhe transporti i karburantit në Evropë,  NATO do investojë 27 mld euro për të modernizuar infrastrukturën

Magazinimi dhe transporti i karburantit në Evropë, NATO do investojë 27 mld euro për të modernizuar infrastrukturën

July 23, 2026
Gurë drejt policisë/ Eksperti i sigurisë: Protesta ka filluar të bëhet agresive, persona të maskuar kërkojnë destabilizim

Gurë drejt policisë/ Eksperti i sigurisë: Protesta ka filluar të bëhet agresive, persona të maskuar kërkojnë destabilizim

July 23, 2026
Libri, The Albanian files, u gjykua para se të lexohej

Si ndërtohet një qytet para se të ndërtohet një ndërtesë

July 23, 2026
Nis rrugëtimin nisma “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama fton sipërmarrësit të aplikojnë

Nis rrugëtimin nisma “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Rama fton sipërmarrësit të aplikojnë

July 23, 2026
Euro ndryshon “fytyrë”, Banka Qendrore Evropiane zbulon projektet për kartëmonedhat e reja

Euro ndryshon “fytyrë”, Banka Qendrore Evropiane zbulon projektet për kartëmonedhat e reja

July 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In