Nga ARTUR AJAZI
E kujtoni KPD-në e famshme socialiste ? E kujtoni se si u “kacafytën” për 4 orë rresht live para kamerave, dhe pasi dolën nga mbledhja u bashkuan dhe ishin të gjithë rreth Nanos në kafe ? Kjo pra është Partia Socialiste. Kjo është partia e cila ruan vlerat, ruan bashkëpunimin, ruan lirinë dhe demokracinë e brëndshme, ruan trashëgiminë dhe emrat e saj kontributorë. Kjo është Partia Socialiste, që kurrë nuk ka bërë kompromise me tarafet, kulisat, inatçorët, të shiturit, matrapazët, dhe ka mbetur force politike progresiste. Ardhja e Edi Ramës, natyrisht solli një frymë të re Brenda Partisë Socialiste. Puna në grup, suksesi në grup, arritjet në grup, qortimet në grup, mëkatet seicili të vetat. Fitorja e madhe e 2013, e ngriti Partinë Socialiste në nivele europianiste, e transformoi në thelb, dhe riorganizoi strukturalisht. Partia Socialiste edhe kur “çahet” bashkohet shpejt. Atje në gjirin e tyre nuk ka “qejfmbetje” pas mbledhjes, dhe nuk ka skenarë para saj. Edi Rama, ka arritur të përçojë tek çdo socialist, frymën e besimit, ka ngjallur shpresën, dhe ka ndryshuar mentalitetin e drejtimit dhe bashkëpunimit mes tyre e progresistëve të çdo krahu politik. Në Partinë Socialiste nuk vegjeton harbuti, dembeli, paraziti, spekulatori, pabesia, hipokrizia, pasi mbetet partia e vlerave europiane, duke qëndruar larg klanizimeve dhe krahinizmave. Në Partinë Socialiste ka kritika, ka debate, ka vlerësime, ka liri dhe demokraci të brëndshme, ka vlera dhe figura të çmuara që kanë dhënë dhe japin ndihmesën dhe kontributin e tyre sot në procesin e integrimit dhe qeverisjes së vendit. Të fitosh 4 mandate qeverisëse, do të thotë se, ke arritur majën e besimit dhe shpresës tek populli, se ke arritur falë punës dhe vlerave intelektuale, të krijosh bindjen tek shumica e popullit se “arritjet dhe suksesi buron vetëm nga qeverisja e socialisteve dhe Edi Ramës”. Nuk ka nevojë për elozhe Edi Rama, ashtu siç nuk ka nevojë për lëvdata edhe qeverisja e tij. Modeli i suksesit duket tek puna, tek ndryshimi qyteteve, fshatrave, rrugëve, fushave dhe maleve, tek rritja ekonomike, tek ndryshimet strukturore dhe institucionale të cilat deri para 10 viteve, as që besohej se do të arriheshin. Si mund të mendosh, aq më keq ta besosh se, një PD e çoroditur, dhe një kryetar i përjetësuar në seli, të fitojnë zgjedhjet përballë një Partie Socialiste që i ngjet “uraganit” në fushatë elektorale ? Si mund ti besosh votën, një partie që kur ka patur pushtet, ka shkatërruar, vjedhur, vrarë, dhe turpëruar Shqipërinë në arenën nderkombetare ? Si mund ti japësh votën një partie, që merret prej 35 vitesh me biografinë e çdo socialisti, që përgojon çdo kundershtar politik, duke i hyrë në familje dhe krevatin e tij ? Ndaj, askush të mos fërkojë duart dhe askush të mos mendojë se, Partia Socialiste mund të “çahet” nga debatet, liria dhe demokracia e brëndshme. Ajo ka qenë dhe mbetet, vlerë kombëtare në politikë dhe jo vetëm.











