Nga Mero Baze
Lajmet rreth sherreve brenda Partisë Socialiste janë aq të kërkuara sa edhe kur nuk ka, shpiken. Dhe nuk kanë faj as ata që i shpikin dhe as ata që duan të bëjnë sherr. Partia Socialiste në mandatin e saj të katërt, të pazakontë për çdo vend normal demokratik, është e frikshme pa asnjë debat politik brenda saj.
Por problemi qëndron se për çfarë duhet të debatojë Partia Socialiste?
Konfliktet brenda Partisë Socialiste vlejnë të merren seriozisht kur janë në një gjatësi vale me përgjegjësitë e saj si parti në pushtet në mandatin e saj të katërt. Pra në njëfarë mënyre vlejnë vetëm ato debate që kanë opsione të ndryshme nga ato që ka qeveria dhe bëjnë betejë për ide të tyre të qeverisjes së vendit.
Deri më sot, as në kafene nuk kam dëgjuar nga ndonjë socialist, të ketë opsione të vetat për çdo problematikë të zhvillimit të vendit. Të vetmen gjë që dëgjon prej tyre është se kush i ka vendosur ministrat, kush qëndron pas tyre, pse Edi Rama zgjodhi filanin dhe jo filanen etj.
Edi Rama nuk ka nevojë për ministrat me profil të lartë politik, pasi Partia Socialiste është njëngjyrëshe dhe është e tij. Kështu që ai ka nevojë për ministrat që i bëjnë punët që i duhen atij. Dhe këtu mbyllet debati për ata që bëhen ministrat apo ikin nga ministrat. Askush prej tyre nuk ka ndjekur ndonjë rrugë karriere normale, që befas dikush ja ka ndërprerë. Të gjithë socialistët janë bërë ministra kur nuk e kanë pritur dhe kanë ikur natyrisht kur mendonin që nuk do iknin më.
Kjo është një çështje e lidhur personalisht me Edi Ramën dhe nevojat e tij për shërbëtorë publikë.
Njerëzit e mbipushtetshëm brenda qeverisë Rama kanë qenë një traditë e hershme e tij që nga viti 2013, por kjo nuk lidhet me ndonjë meritë politike, por me stilin e tij që punët rutinore në qeveri t’ia besojë një njeriu. Kështu ka qenë Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj dhe prej pesë vitesh Belinda Balluku. Të gjithë këta janë larguar prej drejtësisë nga Edi Rama, por e kanë përballuar atë në mënyra të ndryshme.
Saimir Tahiri e ka përballuar me dinjitet duke u përballur me drejtësinë, dhe duke u përpjekur të jetë i dobishëm me një profil të ulët për Partinë Socialiste në jetën e tij private.
Arben Ahmetaj zgjodhi të mos përballej me drejtësinë dhe të denonconte qeverinë e tij. Kështu që nuk kemi çfarë diskutojmë politikisht, por vetëm juridikisht.
Belinda Balluku u mbrojt nga Partia Socialiste për të vendosur një standart të ri sigurie për zyrtarët e lartë lidhur me paraburgimin, dhe ka gjithë arsyet të jetë mirënjohëse ndaj pushtetit që nuk e la në fatin e saj.
Erion Veliaj ka një histori atipike, por që ka prodhuar më shumë politikë me ndëshkimin e tij sesa me qeverisjen e tij. Ai ka qenë një pol pushteti, i prodhuar po nga Edi Rama, por më i pavarur prej tij pasi ishte një pushtet paralel me qeverinë duke qenë tre mandate në krye të Tiranës. Është kjo arsyeja që goditja e tij nga drejtësia, e perceptuar si me leje nga politika, ngjalli shumë teori konspiracioni dhe debate të shurdhëra brenda PS-së, por pa guxuar askush të ngrinte zërin.
Partia Socialiste për nevojat e saj politike ndërmori ndaj tij distancim institucional duke e shkarkuar nga kryetar bashkie dhe duke bërë betejë ligjore kundër tij. Dhe ishte talenti i tij politik që arriti t’i fitonte këto beteja pa u armiqësuar me Partinë Socialiste, duke ecur në teh të briskut mes nevojës për të mbrojtur veten dhe ligjin dhe nevojës për të mos u konsideruar një armik i Partisë Socialiste. Kjo është e vetmja shkollë politike që ka prodhuar PS këto 13 vjet dhe kjo nga dikush që ka hyrë nga rruga në politikë dhe në PS. Të tjerët ose janë mërzitur për vdekje ditën që nuk ishin më ministra dhe kanë vrapuar tek Saliu duke e adhuruar atë, ose kanë përfunduar në llogore për t’u ridukur sërish të vlefshëm.
Ata kanë qenë të pushtetshëm prej dëshirës së Edi Ramës, jo prej ndonjë fuqie politike me të cilën i imponoheshin atij. Nuk ka asnjë gjë politike në pushtetin e tyre përveç pushtetit që u ka deleguar Edi Rama. Të tillë Edi Rama ka dhe në pushtetin ekzekutiv të tij brenda administratës publike, siç janë disa drejtorë agjencish apo këshilltarë të tij. Ky është stili i tij i ushtrimit të pushtetit dhe nuk ka lidhje me politikën. Ata janë njerëz që ai i zgjedh t’u japë pushtet dhe jo njerëz që i imponohen për të qenë në pushtet. Ata mund të kenë krijuar një rreth politik nga të qenit gjatë në pushtet, por brenda pushtetit të Edi Ramës.
Momenti politik në Partinë Socialiste do të jetë ai kur dikush të ngrihet dhe t’i kërkojë karrigen Edi Ramës me argumente të qarta politike për të transformuar ndryshe Partinë Socialiste dhe qeverisjen e vendit. Nuk është domosdoshmërisht një moment politik që do t’i japë fund qeverisjes së Ramës, por një moment politik që vlen të merret seriozisht.
Derisa ky moment të vijë, lajmet për konflikte brenda PS janë si këto lajmet e show bizz-it, që flasin për veshje xhaketa, rrele, apo jetë familjare por jo për politikë. Këto vetëm sa i zbukurojnë Edi Ramës pushtetin brenda Partisë Socialiste duke krijuar idenë se dhe aty ka debat. Aty në fakt nuk ka debat. Ka vetëm të emëruar me afat.












Në PS, është njesoj si në PPSH.
Kur llafoste shoki Enver,
Goja mjaltë e sheqer,
të tjerët teposhtë,
ishin përmjerrr……