• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, March 7, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Për ca jugosllavë të mbetur në Prishtinë

by Luan Rama
17/03/2025 13:20
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Luan Rama

Janë ca jugosllavë të mbetur në Prishtinë. Kanë qenë më shumë. Tani janë më pak, shumë më pak.

Por, prapë aty janë. Në Prishtinë. Shpesh vijnë edhe në Tiranë. Se gjejnë edhe në Tiranë ndonjë si vetja e tyre.

Ishin kundër luftës çlirimtare të UÇK-së. Kanë qenë edhe kundër pavarësisë së Kosovës. Se kundër gjuhës shqipe si gjuhë e nënës dhe gjuhë zyrtare në Kosovë e kundër flamurit kombëtar kuq e zi, kanë qenë edhe më herët se të ishin kundër UÇK-së dhe luftës së saj për çlirimin e Kosovës.

Njihen. Njihen e dallohen. Përveçohen prej të gjithëve.

Janë të ngjashëm me serbët. Ose më saktë, janë si serbët. Vetëm se për dallim prej serbëve, flasin edhe shqip. Flasin shqip, edhe pse mendojnë serbisht.

Nuk kanë marre. As fytyrë nuk kanë. As skuqen e as zverdhen. Enden rrugëve të Prishtinës. Edhe kur shfaqen ekraneve të televizioneve a kur e venë surratin nëper portale, ata janë të njejtët; janë jugosllavët e mbetur në Prishtinë.

Tregohen me gisht. Njësoj siç tregohet e keqja. Për ta ditur se ku është e prej nga vjen. Për ta shquar e për të mos e lënë të avitet.

Shfaqen herahershëm. Më shumë kur i cytin me u shfaq. Por, edhe kur nuk i cytin cytësit në Beograd, prapë ata shfaqen.

Siç u shfaqën dhe iu sulën kohëve të fundit Etnikut tonë. Se në Serbinë, ku këta jugosllavët e mbetur në Prishtinë gjejnë Jugosllavinë që ju mungon, dikush i mban dhe i cyt të bëjnë pikërisht atë që këta bëjnë.

Morën gurët e urët e zjarrit dhe u ndërsyen për të vrarë djalin prej Malisheve, Etnik Brruti.

E quajtën tradhëtar.

Sepse, njësoj siç mund të zgjidhte të luante me ekipin përfaqësues të futbollit të Kosovës, zgjodhi të luajë për ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Zgjodhi fanellën Kuq e Zi dhe flamurin kombëtar, në ngjyrat e të cilit është po aq sa Shqipëria edhe Kosova. Siç kanë qenë që prej “kur s’kish kufi, as fqinjëri, as shkja të zi”.

Etniku qëlloi të jetë nga Malisheva. Por, mund të ishte njësoj dhe i njejti shqiptar edhe nga Shkodra, nga Malësia e Gjakovës këndej e andej, prej Kaçanikut a prej Labërie, prej Konispolit të Çamërisë po aq sa prej Luginës së Preshevës, Tetovës, Dibrës së Madhe e të Vogël, Komanovës, Hotit e Grudës, Ulqinit e Tiranës.

Sepse ne “jem’ nji komb, m’u da s’duron”.

Ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, nisën të gogësijnë. Vollën dhe pëgërën kutërbueshëm.

E quajtën tradhëtar Etnik Brrutin, ata që tradhëti e kanë gjithë jetën dhe qenien e tyre.

Por, ligësia, helmi, urrejtja dhe e keqja e tradhëtia e tyre nuk është kundër Etnikut. Ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, vetëm sa e përdorën Etnikun.

E përdorën për të na thënë se janë aty. Në tokën tjetër. Se për ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, Kosova është toka tjetër.

E përdorën zgjedhjen e zemrës së Etnik Brrutit, për të na thënë se ata janë aty. Në kombin tjetër. Se për ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, Kosova është kombi tjetër.

Kombi kosovar. Gjuha kosovare. Identiteti kosovar.

Po, është e vërtetë se përveç Shqipërisë, në Ballkan e ngjitur me të, ekziston edhe një shtet tjetër i shqiptarëve, Kosova.

Por, Kosovën e bënë shtet shqiptarët, gjaku i tyre, rezistenca, lufta e shqiptarëve. Jugosllavët e mbetur në Prishtinë ishin kundër. Dhe janë kundër edhe sot. Kundër Kosovës dhe kundër Shqipërisë.

Të dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova flasin të njejtën gjuhë, gjuhën shqipe. Ndër më të lashtat e gjuhëve të Botës ku jetojmë.

Ajo është shenja e parë e identitetit tonë kombëtar. Është edhe elementi i parë përbashkues e që na bën të dallueshëm prej të tjerëve rretherrotull nesh.

Në të dy shtetet jeton i njejti popull, populli shqiptar. Dhe të dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova janë i njejti komb, kombi shqiptar.

Pra nuk jemi dy, por jemi një popull. Nuk jemi dy, por jemi një komb. Nuk flasim dy, por flasim një gjuhë. Nuk kemi dy, por kemi një histori. Kemi një kulturë. Kemi të njejtat legjenda, të njejtat përralla. Kemi doke e tradita përbashkuese ndër ne shqiptarët, e përveçuese prej të tjerëve përreth nesh. Prej grekëve, serbëve e bullgarëve.

Shteti kosovar, gjuha kosovare, identiteti kosovar janë pjellë e hershme e serbo-jugosllavëve. Anipse zëdhënësit më të zellshëm të kësaj teze kohëve të fundit janë bërë ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, ajo përfundimisht është një teori e vdekur. Është një ëndërr e vdekur. Dhe e varrosur përgjithmonë ditën kur luftëtarët e UÇK-së u betuan që nën flamurin kuq e zi dhe me luftën e tyre do ta bënin Kosovën të lirë. Siç e bënë me një luftë-epope, të pashembullt për kohët e Europës moderne.

Edhe ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, nuk kanë për të patur tjetër fund, përpos fundit që kanë patur ata, jugosllavët e Kosovës para këtyre jugosllavëve që kanë mbetur ende në Prishtinë.

Kur Indrit Cara i Kavajës dhe si ai, qindra shqiptarë Shqipërie e bashkuan gjakun e tyre me gjakun e sivëllezërve të gjuhës dhe të gjakut, me shqiptarët të Kosovës në luftë për çlirimin e saj, askush nuk e ka çuar nëpër mend se ata, jugosllavët e mbetur në Prishtinë, do ta quanin Etnik Brrutin e Malishevës tradhëtar, vetëm e vetëm sepse në vend të ekipit të futbollit përfaqësues të shtetit të Kosovës, zgjodhi të luajë për ekipin kombëtar të futbollit shqiptar.

Afërmendsh, për jugosllavët e mbetur ende në Prishtinë, edhe Indrit Cara është tradhëtar.

Tradhëtar, është edhe Isa Boletini, për jugosllavët e mbetur në Prishtinë.

Sepse, ai shkoi e iu bë krah Ismail Qemalit, për të ngritur flamurin e pavarësisë në Vlorë.

Gjithë çfarë na u rishfaq ndyrësisht me sulmet dhe akuzat e jugosllavëve të mbetur në Prishtinë, për “tradhëtinë” e shqiptarit me emrin aq domethënës Etnik, vetëm e vetëm se djaloshi prej Malisheve zgjodhi t’i bashkohej Shqipërisë, është ana tjetër e asaj që serbët bënë pak kohë më parë në Banjskë me aktin e dështuar terrorist, ku ra hero Afrim Bunjaku.

Afrim Bunjakun nuk e vranë vetëm terroristët serbë. Bashkë me ata ishin edhe jugosllavët e mbetur në Prishtinë.

Jugosllavët e mbetur në Prishtinë, ishin bashkë me serbët edhe në masakrën e Raçakut. Edhe kur e vranë Adem Jasharin me 58 pjestarët e familjes së tij në tokën e shtëpinë e tyre, ata bashkë ishin.

Ashtu si liria, edhe ligësia ka emër.

Next Post
Reagimet e Ramës dhe Kurtit për shqipen, Mexhiti: E kanë obligim që të flasin për shqiptarët në RMV!

Tragjedia në Koçan, Mexhiti: Diskoteka, me licencë të falsifikuar! Rreth 50 të plagosur po kurohen në Turqi dhe...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Eksperti: Tensionet në Lindjen e Mesme po rrisin panikun në tregje, ja çfarë po ndodh me çmimet

Eksperti: Tensionet në Lindjen e Mesme po rrisin panikun në tregje, ja çfarë po ndodh me çmimet

March 6, 2026
Zhvillime të reja në Lindjen e Mesme, Putin telefonon presidentin e Iranit për armëpushim

Zhvillime të reja në Lindjen e Mesme, Putin telefonon presidentin e Iranit për armëpushim

March 6, 2026
SHBA përdor për herë të parë raketat PrSM në Lindjen e Mesme

SHBA përdor për herë të parë raketat PrSM në Lindjen e Mesme

March 6, 2026
Qasja jonë e pamundur me Neoliberalizmin, inerci apo hipotezë sistemi

Nuk u mjafton pushteti!?

March 6, 2026
“Turp të të kesh ty shoqe”/ Selin debaton me Juelën, banorja: Puthe Gimbon duke menduar për Mirin

“Turp të të kesh ty shoqe”/ Selin debaton me Juelën, banorja: Puthe Gimbon duke menduar për Mirin

March 6, 2026
‘Blindohet’ Mesdheu pas sulmit në Akrotiri, Helikopterët britanikë “Wildcat” dhe fregata italiane “Martinengo” përforcojnë mburojën kundërajrore në Qipro

‘Blindohet’ Mesdheu pas sulmit në Akrotiri, Helikopterët britanikë “Wildcat” dhe fregata italiane “Martinengo” përforcojnë mburojën kundërajrore në Qipro

March 6, 2026
Dy dronë iranianë sulmojnë aeroportin e Azerbajxhanit

Ish-ambasadori: Irani po kërcënonte sigurinë në rajon. Ja 4 kushtet për arritjen e paqes!

March 6, 2026
Kriza e re në Kosovë, Hasimja: Përplasje egosh, Kurti do që të ketë në dorë edhe Presidentin

Kriza e re në Kosovë, Hasimja: Përplasje egosh, Kurti do që të ketë në dorë edhe Presidentin

March 6, 2026
Ushtria amerikane po përgatitet për luftë, sulmi në Iran do zgjasë disa javë

Lufta në Iran, eksperti: Presion në rritjen e çmimeve. Shqipëria pësoi dy goditje që rënduan buxhetin e shtetit

March 6, 2026
Salianji vijon turet nëpër qytetet e Shqipërisë, ish-deputeti njofton takimin me demokratët e Vlorës

Salianji vijon turet nëpër qytetet e Shqipërisë, ish-deputeti njofton takimin me demokratët e Vlorës

March 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In