Kompensimi i energjisë elektrike për efekt të heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kw në muaj do të mund të përfitohet edhe nga pensionistët që janë me vendbanim në fshat.
Pas propozimit nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Këshilli i Ministrave ka miratuar tashmë vendimin, sipas të cilit pensionistët e fshatit nuk do të përjashtohen më nga e drejta për të marrë vlerën e 648 lekëve në muaj. Sipas VKM-së, kompensimi do merret në rastin kur familja përbëhet vetëm nga pensionistë, ndërkohë që përfitues tashmë do të jenë edhe kryefamiljarët që përfitojnë pension social. Një tjetër kategori që i shtohet personave që do të përfitojnë janë edhe ata pensionistë që marrin pension social, por që janë me vendbanim në qytet.
Deri më tani ata nuk kishin të drejtë të merrnin këtë pagesë. Ndërkaq, sa i takon personit përfitues, vendimi i ri saktëson se “në rastet kur në të njëjtën familje ka dy pensionistë të vetëm dhe kontrata është në emër të pensionistit jokryefamiljar, kompensimin e përfiton pensionisti në emër të të cilit është kontrata e energjisë elektrike”. Ndërkohë që, në rastet kur, si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi u akordohet personave përfitues të pensionit familjar. Kompensimi nuk do të përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit.
Vetëdeklarimi
Për të përfituar personat duhet të bëjnë një vetëdeklarim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrin paratë. Kjo sipas një vendimi qeverie që rregullon mënyrën e përfitimit e ku saktësohet se kjo procedurë zhvillohet pranë institucioneve përkatëse në të cilat përfituesit marrin pagën, pensionin apo përfitimet e tjera. “Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 Kwh, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit.
Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet ndër të tjera në vendim, ndërsa theksohet se ata persona që do të bëjnë deklarim të rremë do të detyrohen ta kthejnë përfitimin e padrejtë si dhe do të përjashtohen, përgjithmonë, nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.
Aktualisht, kompensim të diferencës së çmimit të energjisë elektrike, përfitojnë të gjitha familjet, që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, shkruan BW.
Po ashtu, kompensim përfitojnë edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat, si dhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar. Kushti për të përfituar kompensim për këto kategori është që personi të mos ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, dy kategoritë e fundit që kompensohen për energjinë elektrike janë të verbrit si dhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë./a.m.