Nga Pëllumb Kulla
Nuk besoj se të thuash “qeveri besimi” beson se bota nuk din ta lexojë atë për “qeveri teknike”! Ka dyzet ditë që e dëgjojnë.
Po përse duhej e gjithë kjo vonesë e opozitës së fshehur në atë çadrën e padukshme brënda qeverisë që nuk pengon automobilat por pengon jetën e shqiptarëve?!
Shumë situatë interesante u krijua në këtë vend të shumëvuajtur…
Unë e di që këshilla ime nuk luan asnjë rol në jetën e këtij vendi të shtrenjtë për ne, në një nga momentet më kyçe të tranzicionit apo të historisë së shqiptarëve, por unë do ta them. Dhe do t’ia them një kryeministri që kam frikë se mos bën pjesë në ata burra që këshillat duken sikur u fyejnë krenarinë.
Zoti kryeministër! Më lejo, se më vjen për voli të përdor vetën e parë e, të të them se je në një situatë që uroj ta shpërfaqësh vendosmërinë dhe t’i dalësh zot një premtimi për ambicje historike, që personalisht e kam besuar me emocion pozitiv në atë vit të fitores suaj të zgjedhjeve.
Edhe unë bashkohem me ata që të thonë ta lesh bosh karriken e kryeministrit, por dua që ta lëshosh atë pas qershorit, siç i ka hije një vendi të qytetëruar:
Ta lesh atë me votë!
Ta lëshosh me votë të ndershme siç e thonë demagogjikisht kundërshtarët tuaj, që vetëm ndershmëri nuk kanë treguar në jetët e tyre politike.
Në rast se shumica e shqiptarëve të vuajtur nuk do të të duan, lerua në dorë Shqipërinë atyre që deri tani e kanë rrjepur, e kanë shkelur me këmbë, e kanë shitur dhe e kanë molepsur me pabesi, me grindje dhe armiqësira, me retorika që u ngjajnë më shumë pështymërave, se fjalëve të nderit.
Mendohet se ti ke shumë mëkate, por, për mua, nuk ke asnjë të tillë në këtë situatë. Është më mirë të jesh i tradhtuari, se sa tradhtari! Ti këtë tradhëti mund ta kishe shmangur që në atë prill të para katër vjetëve, po të kishe patur më shumë besim në një fitore të pandotur të alternativës tënde.
Me keqardhje them se që të tri partive kryesore, – dy të dashuruarit dhe e dashura e tyre bukuroshe e prilleve të tranzicionit, – shumë nga nënështetasit e tu, nuk u shohin asnjë ndryshim në programet bazë të afishuara politike.
Që të tria ato mund të quheshin PD, PS apo LSI!
Por gjendja sot është më realja, më e vërteta, më e pashtirura se kurrë!
Mbase një ditë do të mpreh lapsin dhe të të shkruaj, po deshe të përfillësh opinionin tim, mbi mangësitë tuaja karakteriale prej artisti, mbi infeksionet berishiste nga të cilat vuajte këto vite, mbi ca lëshime që burrat e shtetit nuk duhet t’i bëjnë, mbi valën e enverizmit që gjeneroi me dashje dhe paadashje qeverisja jote. Dhe sikur të gjeja një kryeministër edhe pakëz më të mirë se ty, do të votoja pa atë. Por sot do të të votoj pa lëkundje ty, duke të shtrënguar dorën për ravijëzimin e portetit të një shteti, për reformat tuaja të shëndetshme: për territorialen, që shumica e njerëzve nuk ia kuptojnë dobinë; për shfarosjen e universiteteve që ua patën kaluar në numër edhe shkollave shtatëvjeçare dhe që, për fat të keq, është një reformë që nuk u vlerësua si pjesë e dekriminalizimit të tmerrshëm postkomunist; për marrëdhëniet dinjitoze në lëmin ndërkombëtar, për marrëdhënien tënde të bukur me pavarësinë e Kosovës, për rolin e qeverisë në Ballkan dhe në kontinent, për elokuencën tënde të pasur në figurshmëri dhe ndriçimin kulturor që të karakterizon.
Dhe sidomos pë angazhimin e sinqertë në reformën për drejtësi që është praktikisht thembra e Akilit dhe leximi i vërtetë i kurvërimeve të sotme.
Lerini shqiptarët t’ju votojnë veçeveç. Jam i bindur se kundërshtarët e tu, do të vijnë si Çeçua në 18 qershor ballë kutive të votimit. Shqiptarët e lodhur nuk do t’i ndjekin ata për së dyti në një luftë dhe kryemëkatarët nuk do ta hedhin dot Shqipërinë në një ‘97 të dytë. Ishte tjetër situatë atëherë. Lojtarët e politikës shqiptare tashmë njihen mirë në lojën me top dhe pa top. (Flas për topat sportive, ëh!) Nuk besoj që ata të votojnë atë që ka mashtruar që kur ka lindur, as atë që në një amfitatër me mushama, ka dyzet ditë që reciton duke tundur gishtin amator “të rrosh atë mos rrosh”… Dhe sidomos nuk do të votohen ata, që këtë dhjetëvjeçarin e fundit nxjerrin gështenjat me duart e të tjerëve dhe po luajnë opozitat e dyta, ca lloj opozitash brënda qeverive të ndryshme oportuniste që ua kanë nevojën. Nuk do të votohen me siguri ata ministra që, njësoj si kolltuket e ministrive të tyre dhe bufetë e kabineteve, rrijnë palëvizur nëpër zyrat e shtetit duke pritur t’u bashkohen fitimtarët e rinj të zgjedhjeve të reja. Retorika e tyre “në të mirë të Shqiperisë që ka nevojë të integrohet” ka shumë demagogji, pabesi dhe amoralitet.
Po të jetë se shqiptarët nuk votojnë anën tënde, le të bëhet ashtu si duan ata, shqiptarët! Ti mund të humbësh por, i dashur mik, mendoj se do të jesh i vetmi nga kundërshtarët, që pas 18 qershorit do të mund të lëvizësh nëpër Tiranë, në këmbë, pa truproje dhe pa antiplumb.
Populli shqiptar? Populli meriton gjithmonë qeverinë që zgjedh!
TemA
- Titulli i origjinalit “Perse duhej gjithe kjo vonese”