EKSKLUZIVE/ Përfshirja mbrëmë e PDIU në qeveri me një zëvendës ministër të jashtëm, ka hapur “oreksin” e kryetarit të kësaj partie Shpëtim Idrizi, për të kërkuar edhe postin e një ministri dhe 2 zëvendësministrave. Drejtues të lartë të PDIU-së bën të ditur për Javaneës se kryetari i kësaj force politike, Idrizi, pritet të ketë këtë fundjavë një takim me kryeministrin, Edi Rama, ku do të paraqesë zyrtarisht kërkesën dhe për një portofol ministror, si dhe për 2 zëvendësministra të tjerë. Zyrtarët e PDIU-së e argumentojnë kërkesën e tyre për përfaqësim në qeveri jo vetëm për shkak të bashkëpunimit në zgjedhjet vendore që pati PS me PDIU-në, por edhe me faktin se një aleancë bashkëqeverisëse do të hapte një kapitull të ri edhe për bashkëpunimin e këtyre dy forcave politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017.
Po të njëjtat burime qartësojnë se posti ministror më i mundshëm për PDIU-në është ai i Ministrisë së Zhvillimit Urban. Pesha e kësaj ministrie në raport me portofolet e tjera ministrore është më e vogël, por simbolikisht do ti krijonte PDIU-së një përfaqësim më domethënës në ekzekutiv. Në fakt kërkesa e PDIU-së për 1 portofol ministror dhe 2 zëvendësministra vjen në një moment mjaft deçiziv për mazhorancën qeverisëse. Kjo jo vetëm sa i përket përpjekjeve të saj për të pasur numërat e duhur të votave për miratimin e reformës në drejtësi, nëse nuk arrin një akord me PD në Kuvend për këtë reformë, por edhe për skemën qeverisëse.
Pozitat negociuese të PDIU-së duket se janë sot më të forta krahasuar me disa muaj më parë, kur Rama dhe Idrizi firmosën marrëveshjen për koalicion në zgjedhjet vendore. Idrizi mësohet se gëzon edhe mbështetjen e kreut të LSI, Ilir Meta, për pranin e PDIU-së në qeveri. Kjo mbështetje mësohet se është konfirmuar nga ana e Metës edhe në një takim që ai zhvilloi me Idrizin disa ditë më parë.
Duket se termi “impuls i ri” i përdorur nga Meta parashikon edhe përfshirjen më domethënëse të PDIU-së në qeveri. Praktikisht Meta duke takuar Idrizin i dha një mesazh Ramës se asnjë lidhje e shkurtër nuk mund të bëhet PS- PDIU për mbajtjen në këmbë të qeverisë, pa kaluar nëpërmjet LSI. Pesë votat e PDIU-së janë bërë tashmë të rëndësishme në Kuvend për çdo lloj skenari qeverisës. Ky është “mesi i artë” për Idrizin. Dhe pikërisht ai këtë po përpiqet të shfrytëzojë në artikulimin që pritet ti bëjë kryeministrit Rama për përfshirjen e PDIU-së në qeveri edhe me një portofol ministror dhe 2 zëvendësministra.
Me. Ar