Edith Harxhi, anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike, u shpreh shumë kritike për listën e drejtuesve politikë të PD-së në 12 qarqet e vendit, ku nuk ka asnjë grua.
Duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Harxhi u shpreh se PD po kthehet në një parti që drejtohet nga burrat.
Ajo u shpreh pesimiste për një qeveri teknike, sepse Rama nuk largohet, në mungesë të një revolte popullore.
“Diskutimi i djeshëm ishte i lidhur me aksionin opozitar dhe më së paku me emrat e drejtuesve politike. Partitë tona janë parti monolite ku anëtarët nuk i shprehin mendimet e tyre. Drejtuesit politikë janë kordinatorë, që i vendos kryetari i partisë, sipas statutit.
Kur vjen në këtë moment që bëhen fakt i kryer pa diskutime, unë ngrita një çështje parimore se si është e mundur që nuk ka asnjë grua ndër drejtuesit politikë. Gruaja në çdo lloj mënyre e zbut politikën dhe pranohet më lehtë edhe nga elektorati.
Kjo parti po kthehet në parti që drejtohet nga burrat. Ka 4 nënkryetarë burra. Berisha ka qenë i mirëkuptueshëm më parë. Jam kundër kuotës gjinore, por për të ndryshuar imazhin, cilësinë. Unë isha deri pak kohë më parë në Lushnje dhe Divjakë. Zonja Topalli ishte në Lezhë.
Mendoj se është një zgjidhje nga Berisha për bashkimin e partisë. Kjo është një zgjidhje që mendoj se Berisha e ka gjetur për momentin.
Unë mendoj se PD fiton me mbi disa parime, nuk fiton dot me incentiva mekanikë. Besoj te morali i Foltores që mendoj se po venitet dalëngadalë.
Në këtë situatë kur kemi një kapobandë dhe bandat që e mbështesin, roli i një gruaje do të ishte shumë i rëndësishëm.
Unë mendoj se nuk ka garë sa kohë është Edi Rama që drejton.
Ajo e vitit 2017 nuk ishte qeveri tektnike, por e bashkëpunimit Rama-Basha. Doktori është avangardë në synimin e tij. Besimin e beson te eksperienca e tij. Nuk besoj se Rama largohet me qeveri teknike. Ai duhet të largohet që të bëhet një qeveri kritike, me një protestë popullore të pandalshme. Por ai e ka privatizuar gjithçka dhe njerëzit janë të frikësuar me institucionin e protestës”-tha Harxhi.
/a.r