Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për mënyrën si funksionon Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe vlerësimin e sigurisë kibernetike e mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve.
AKSHI është një prej institucioneve që është denoncuar më shpesh nga kreu i PD-së Sali Berisha, por ai vetë beson se mazhoranca socialiste do ta rrëzojë kërkesën e opozitës.
“Deri sot Edi Rama i ka mohuar opozitës të drejtën themelore kushtetuese, komisionet hetimore. Jam i sigurt se do të bëjë gjithçka që të mos lejojë. Dhe siç e shihni prej 8 muajsh nuk ka asnjë komision hetimor”, tha Berisha.
Në lidhje me dosjen e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t, Berisha ka deklaruar se Ergys Agasi nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar, edhe pse SPAK-u ka ngritur ndaj tij akuzat për heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës dhe pastrim parash, vepra penale të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
“Dy javë më parë, Ergys Agasin e kanë rrahur shumë keq. E kanë shtruar në dru. Po, po. Sipas qytetarit dixhital, është dërguar në një spital privat, por duhet të dini një gjë, Ergys Agasi mbrohet nga shteti. Nuk ekziston mandat ndërkombëtar arresti për Ergys Agasin”, tha kreu i PD.
Ndërkaq, Berisha ka komentuar edhe protestën e demokratëve të Durrësit pak ditë më parë në selinë e PD-së, duke këmbëngulur se vendimi për përjashtimin e tyre ishte i drejtë.
“E kam thënë gjithnjë se ata që kanë punuar për kundërshtarin do marrin atë që meritojnë. Megjithatë secili ka të drejtën të ankimojë dhe të faktojë se është ndëshkuar në mënyrë të pamerituar”, tha Berisha.
Pak ditë më parë, një grup demokratësh nga Durrësi depozituan në PD një ankesë kundër përjashtimit të Arlind Boshkut dhe Dritan Burgisë.











