Partia Demokratike i është rikthyer sërish akuzave në drejtim të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Në një dalje për mediat, deputetja demokrate Arbiola Halimi deklaroi se Beqaj i ka dhënë në mënyrë korrutpive një firme 85 milionë lekë për instalimin e një programi tek fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore.
Ja deklarata e Halimit:
Korrupsioni i Ilir Beqës është i larmishëm dhe i shtrirë në shumë fusha. Një nga faktet më skandaloze është rasti kur ai vetë, drejtpërdrejtë i ka dhënë firmës së tij INTECH plus, 85 milionë lekë, për instalimin e një programi tek Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore. Është një nga tenderat më të parregullt që kanë konstatuar audituesit, pasi jo vetëm kanë gjetur mungesë dokumentacioni, por firma e themeluar nga Ilir Beqa, ishte ofertuesi i vetëm.
Për më tepër, në krye të bordit të këtij Fondi, ai që merr vendimet, është vetë Ministri, Ilir Beqaj. Sipas burimeve zyrtare, edhe pse në këtë rast Beqaj, i dha me firmën e tij, 85 milionë lekë firmës së tij, Intech plus, shërbimi as nuk është ofruar. Sistemi i kontabilitetit Oracle, për të cilën Beqaj i dha Beqës 85 milionë lekë, nuk funksionon.”, tha ajo.
Vjedhje e hapur, paratë janë dhënë, puna nuk është bërë. Me gjithë këto rekorde skandaloze korrupsioni, Ilir Beqa vazhdon të fitojë zemrën e Edi Ramës, i cili e ka caktuar së fundmi dhe koordinator për matjen e punës së qeverisë. Sipas standardeve të kampionit të korrupsionit, punë e mirë është kur vjedh shumë dhe kudo. E vërteta është se puna e këtij ministri, e kësaj qeveria duket qartë dhe e njohin mirë gjithë qytetarët e vendit. Tani i takon qytetarëve të bëjnë vlerësimin e tyre.









