Pavijoni i veçantë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mbetet një prej mjediseve më tërheqëse për vizitorët e shumtë në Muzeun Historik Kombëtar. Pavijoni i Rilindjes Kombëtare, sipas ATSH-së, është një nga më të pasurit me objekte origjinale, dokumente, libra, fotografi, flamuj kombëtarë, armë, kartëmonedha dhe objekte të tjera. Shumica e koleksioneve të objekteve janë unike për historinë dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve. Objektet e ekspozuara në vitrinat e këtij pavijoni i përkasin periudhës nga mesi i shekullit XIX deri në vitin 1912. Në një prej vitrinave është ekspozuar “Evetari” i Naum Veqilharxhit, botuar në Rumani në vitin 1844, që është abetarja e parë në gjuhën shqipe. Në dhjetor 1877, u formua në Stamboll komiteti kombëtar me emrin “Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” (Komiteti i Stambollit). Kryetar i tij u zgjodh Abdyl Frashëri.