Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar sot përmes një letre Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për 8-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Meta shpreh urimet më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar ditën e sotme si një ditë të shënuar për të gjithë shqiptaret.
“Kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë vizionarët, heronjtë dhe gjithë ata që sakrifikuan në të kaluarën, sakrificë së cilës duhet t’u përgjigjemi me përulësi dhe përgjegjshmëri politike për të ardhmen”, – nënvizon Meta në letrën e tij.
Më poshtë teksti i plotë i letrës:
Drejtuar:
Sh.T.Z. Kadri VESELI
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
I nderuar Z. Kryetar,
Me rastin e 8 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë.
Sot është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë vizionarët, heronjtë dhe të gjithë ata që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës në të kaluarën, sakrificë së cilës duhet t’u përgjigjemi me përulësi e përgjegjshmëri politike për të ardhmen.
Duke qenë krenarë për atë ç’ka është arritur deri më sot, dëshiroj t’ju siguroj, Koleg i nderuar, se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha përpjekjet e saj për forcimin e institucioneve demokratike, për avancimin e sigurt në rrugëtimin e saj euro-atlantik, si dhe për të ardhmen e përbashkët për të gjithë qytetarët tanë.
Duke Ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për paqe, zhvillim e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar z. Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.
Ilir META