Bashkia e Durrësit ka vendosur të dekorojë me titullin “Qytetar nderi” Mirush Kabashin (pas vdekjes).
Mirush Kabashi ishte një nga figurat më të njohura të teatrit, skenës dhe kinematografisë shqiptare. Në 2002 fitoi çmimin e “aktorit më të mirë” si protagonist në festivalin e aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit.
Aktori i mirënjohur ndërroi jetë me 5 Dhjetor 2023 në moshën 75 vjeçare. Në festivalin kombëtar të teatrove profesioniste në 1989 u shpall “aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.
Po me këtë rol u vlerësua dhe në festivalin teatror ballkanik të zhvilluar në Korint.
Me origjinë nga Gjakova ai u lind në Shkodër por u rrit në Durrës. Me një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare ai numëron rreth 100 role. Ai është vlerësuar me titujt “Nderi i kombit”, “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i madh i punës”./m.j