Pas publikimit të skandalit të presidentit me dhënien e nënshtetësive personave të inkriminuar, komisioni i sigurisë kombëtare në parlamentin e Shqipërisë ka thirrur në një seancë dëgjimore gazetarin e Shqiptarja.Com e Report Tv, Adriatik Doçi.
Ai ka faktuar një tjetër rast të dhënies së nënshtetësisë të një personi me precedent të theksuar kriminal. Sipas hetimit të gazetarit, bëhet fjalë për Arsim Fadil Ramadani nga Kosova i cili është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 persona, mes tyre 3 fëmijë.
“Nga verifikimet e bëra, 90 përqind të personave që kanë marrë nënshtetësi të veçanta, nuk kanë një kontribut. Ky rast ka të bëjë me dhënien e nënshtetësisë i cili është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 anëtarë Arsim Fadil Ramadani i lindur në Kosovë. Nga verifikimet rezulton gjeneralitetet e këtij personi në certifikatën që unë kam gjetur dhe që ka nënshtetësi shqiptare. Ai u dënua me 30 vite dhe është falur nga Presidenti Hashim Thaçi. Ai bën pjesë në listën e 419 personave që kanë marrë nënshtetësi nga Meta” si VIP Arsim Ramadani është dënuar në të 3 shkallët e gjyqësorit. Ka vuajtur 15 vite burg dhe në 2017 është falur me dekret presidencial” – tha Doçi.
Doçi ka deklaruar se pas publikimit të investigimit për skandalin e nënshtetësisë, ka pasur shantazhe dhe sulme personale nga ana e zyrës së shtypit, si edhe ndërhyrje për të mos vijuar më pas me publikimin e emrave të tjera.
Deputetja Dhima: A ka pasur një ankesë pranë TV lidhur me këtë problem dhe a keni pasur sulme lidhur me këtë problem, pasi keni dhënë fakte dhe emra konkret me emra për personat që kanë marrë nënshtetësinë.
Adriatik Doçi: Gjatë investigimit janë ngritur disa pyetje, se cilat janë institucionet që e kanë cilësuar si personalitet kombëtar njeriun që është akuzuar për vrasje. Presidenca është marrë personalisht me mua dhe familjen tin, nuk kemi pasur ankesë në adresë të TV, por vetëm sulmet e presidencës duke i cilësuar këto fakte si sulme politike. Sulmet janë nga zëdhënësi i presidentit të Republikës që e përfaqëson presidentin në disa dalje, ka bërë akuza të pabaza, ka bërë akuza të pabaza duke marrë deklarata copy paste, me një kërcënim në fund që shumë shpejt do të vihet drejtësia.
Felaj: Në telefonin tuaj kanë mbërritur kërcënime?
Doçi: Në telefonin tim nuk kanë mbërritur kërcënime, por ndërhyrje të papërshtatshme për të mos vijuar më tej me publikimin e emrave.
Felaj: Po kërcënim nga ana e këtyre personave që u ka dalë emri te lista?
Doçi: Ka pasur reagime nga persona që u ka dalë emri në listë. Kanë qenë të natyrës mbrojtësë dhe kanë paraqitur pretendime që nuk janë të bazuara akuzat dhe investigimi, e kemi marrë nënshtetësinë duke paraqitur dokuemntet.
Felaj: Pra jo si kërcënim?
Doci: Jo, asnjë mesazh, përveç shantazhit të ardhura nga zyra e presidentit.
I pyetur nga anëtari i Komisionit të Sigurisë, Myslim Murrizi mbi procesin e dhënies së nënshtetësive, gazetari Adriatik Doçi u shpreh se indicia për të hetuar ka lindur pas mungesës së botimit të dekreteve për dhënien e nënshtetësive nga ana e presidencës. Gjithashtu ai tha se në 10 vite, presidentët e mëparshëm kanë dhënë në total rreth 350 nënshtetësi ndërsa gjatë 3 viteve të fundit janë dhënë 854 nënshtetësi VIP.
“Investigimi ka nisur rastësisht. Ka qenë këmbëngulja e presidentit për kundërshtimin e nënshtetësisë. Indicia e dytë ishte mungesa e botimit të dekreteve të presidencës. Mungonin dekretet për dhënien e nënshtetësisë. Këto më shtynë të bëj kërkime për këto nënshtetësi. Në 3 vite u dhanë 854 nënshtetësi të veçanta në emër të interesit kombëtar. Në 10 vite nënshtetësi të tilla janë dhënë 350 nga presidentë të mëparshëm. Diferenca është shumë e madhe. Nga 854 nënshtetësi, 419 janë dhënë në vullnetin e tij pa propozimin e ministrive të linjës. Sa i takon pyetjes nëse kam kontaktuar me shërbimet, unë i kam nisur një kërkesë ShISh por nuk kam një përgjigje. Me të dhënat që kam siguruar kam dokumentuar raste të veçanta ku nuk janë verifikuar” – tha Doçi.
g.kosovari