Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, është takuar me diplomatin britanik, Richard Moore, me të cilin kanë diskutuar rreth vendimit të Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe dhe vazhdimit të dialogut të Brukselit.
Vuçiç në këtë takim ka thënë se shpreson që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të bëjë presion dhe thirrje racione drejt Prishtinës për të hequr dorë nga tarifat ndaj Serbisë.
Presidenti serb ka thënë se shteti i tij është i gatshëm që të kthehet në dialogun e Brukselit, në momentin e parë që Prishtina e heq taksën, masë kjo për të cilën Vuçiç thotë se është ‘anti-civilizuese’, shkruan Novosti.
Moorr ndërkohë i ka treguar Vuçiçit se ka kërkuar nga Prishtina pezullimin e taksës me qëllim të vazhdimit të dialogut të Brukselit, potencon komunikata e lëshuar nga zyra e Vuçiqit.
Ndër të tjera kreu i shtetit serb është ankuar se Prishtina nuk i ka përmbushur detyrimet e veta të marra nga Marrëveshja e Brukselit, që njëra ndër to është edhe implementimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë për votimin e Platformës për Dialogun, Vuçiç ka thënë se është prova më e mirë se Prishtina nuk mendon për dialogun, por vetëm për të destabilizuar rajonin.
Ndërkohë kur është bërë fjalë për raportet Serbi-Britani, sipas komunikatës thuhet se janë të mira, pavarësisht rrethanave komplekse. Kjo deklaratë e Vuçiç, mund të vij si pasojë e qëndrimit të Britanisë së Madhe kundër idesë për korrigjim të kufijve.
Moore në anën tjetër ka thënë se pavarësisht Brexit-it, Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, pasi një rrugë e tillë është vendimtare për stabilitetin e rajonit.