Pas pesë vitesh larg mediave, Fatmira Breçani rrëfen jetën profesionale dhe personale te Në Shtëpinë Tonë: Pengu që kam është që nuk bëra…

Pas pesë vitesh heshtje në media, këngëtarja e njohur Fatmira Breçani ishte sot e ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” me Alban Musën, ku foli për 40 vjet karrierë, jetën profesionale dhe projektet e reja muzikore.

Ajo shpjegoi se arsyeja për mungesën e gjatë të intervistave ishte se nuk kishte çfarë të thoshte.

“U bënë të tepërta dhe me të njëjtat fjalë njerëzit mërziten”, tha këngëtarja.

Kur u ndal te pengjet në punë dhe në familje, u shpreh se në karrierë nuk ka asnjë, pasi i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë, ndërsa në familje do të kishte dashur të bënte më shumë fëmijë.

“Për karrierën nuk kam, se i kam shfrytëzuar dhe po i shfrytëzoj, nuk kam përfunduar akoma. Për familjen po, që nuk kam bërë dhe 2-3 fëmijë. Gjithmonë kam dashur, Zoti më fali këto dhe mi ruajt”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse e ka ndjerë xhelozinë e kolegëve, Breçani tha se nuk ia kanë shfaqur. Shtoi se në evente, disa kolegë përtojnë të këndojnë pas saj dhe i thonë “çfarë të bëjmë pas teje, o Dadë”.

Për bashkëpunimet, këngëtarja tha se për momentin po merret vetëm me këngët e saj, ndërsa më vonë do të jetë e gatshme.

Gjatë intervistës, ajo u shpreh se publiku e do për njeriun që është dhe për marrëdhënien që ka me të, si dhe për zërin që ia ka dhënë Zoti. Ajo shtoi se komunikon shumë mirë me publikun dhe se që në fillim është përpjekur të sjellë këngë ndryshe.

Pasi moderatori vuri në dukje se i ishte dashur një vit për ta pasur në studio dhe se ajo është ndër këngëtaret më të dashura pas katër dekadash në skenë, Fatmira tha se që në fëmijëri e ka ëndërruar muzikën dhe ka besuar se do të arrinte diku, por jo deri këtu. Ajo u shpreh krenare për familjen që e ka mbështetur gjithmonë dhe për publikun, që është arsyeja kryesore që ndodhet sot aty ku është.

Për dashurinë e të rinjve, ajo tha se ndihet aq e lumtur sa lumturia e saj me ta nuk ka kufij.

Duke folur për momentet më të bukura dhe të sikletshme me publikun, këngëtarja tha se të bukurat janë të pafundme. Ajo përmendi rastet kur dikush kërkon një këngë, ajo ia këndon dhe personi e kërkon sërish dhe e këndon fjalë për fjalë bashkë me të. Sipas saj, momente të sikletshme nuk ka; më i madhi është emocioni.

Ajo rrëfeu se vazhdon të emocionohet edhe sot. Kur ishte e re, zëri i dridhej; sot i dridhet, por jo si atëherë. “Normalisht që kam emocione, sepse kur dal aty dhe kam rreth 1000 veta në club është emocion”, tha ajo.

Për epokën dixhitale, Fatmira u shpreh se është shumë e mirë dhe se videot virale janë arsye që ajo të hyjë edhe te rinia. Ajo kujtoi se u bë virale një herë me “a e gjete” dhe më pas me “çohuni mos hani makarona”. Tha se nuk e kishte menduar se do të bëheshin virale dhe se fillimisht u ndje shumë keq, por shoqet i thanë se ishte gjë e mirë. Ajo tregoi gjithashtu se në dasmën e vëllait të Don Xhonit dhe në dasmën e vëllait të Butrintit, ata dolën duke kërcyer dhe ajo u këndoi të dyve, duke u thënë se e kanë radhën të martohen. Butrinti qeshi, ndërsa Don Xhoni tha “shumë shpejt”.

Kur biseda kaloi te familja dhe roli i saj si gjyshe dy herë, ajo tha se më parë mendonte se nuk ka si fëmija, por e vërteta është se nuk ka gjë më të afërt se fëmija i fëmijës.

Ajo pranoi se ndonjëherë u bërtet nipërve. Kujtoi se një ditë e gjeti vajza duke i bërtitur të voglit, teksa ajo po bënte diçka dhe e kishte lënë fëmijën për dy sekonda pranë këmbëve. Sipas saj, fëmija i do më shumë dajën dhe gjyshin; edhe atë e duan, por nuk e përqafojnë aq sa ata të dy. Vajza i tha se fëmijët nuk e duan sepse u bërtet, ndërsa Fatmira iu përgjigj “he, se edhe i rrah”. Ajo tha se i ka pikë të dobët dhe i lutet Zotit për shëndetin dhe jetën e tyre. U shpreh gjithashtu se lutet të shohë edhe fëmijën e djalit, i cili diku e ka lidhjen, por ende nuk ia ka sjellë para.

Kur u pyet nëse fëmijët i kanë thënë ndonjëherë se duhej të qëndronte më shumë me ta për shkak të koncerteve në diasporë, ajo tha se ndonjëherë e mendon që asnjë prind nuk ka qejf të largohet nga fëmijët, por kur janë larguar, e kanë bërë për ta. Saktësoi se i ka lënë vetëm kur kanë qenë të vegjël, se rrinin me babanë ose gjyshen dhe nuk u ka munguar asgjë, dhe se nuk qëndron gjatë jashtë.

Këngëtarja kujtoi se kur djali ishte vetëm 2 muajsh, i merrte fëmijët në festival, sepse nuk kishte ku t’i linte. Doli pas skene, e ushqeu, pastaj doli në skenë dhe pas performancës u nis për në Tropojë.

Sa i përket gatimit, ajo tha se gatuan dhe nuk përton. I përgatit gjërat që në mëngjes me kafe përpara, zgjohet shumë herët dhe ndërsa pi kafen, i bën gati. Shtoi se tani është më e lehtë sepse i sheh specialistët në televizor.

Për tryezën familjare, Fatmira theksoi se në shtëpi nuk e shohin si ikonë, janë të gjithë njësoj. Ajo ulet e fundit në tavolinë dhe duhet të bëjë shërbimin. Anëtarët e familjes kritikojnë ushqimin, por ajo dalëngadalë del edhe shefe dhe u thotë se është shumë e mirë, mos bëni naze. Kënaqësia më e madhe për të është kur mblidhet familja dhe vijnë miq.

Kritikun më të madh e ka bashkëshortin, djalin dhe vajzën, por djali është më i rreptë për gjithçka. Ajo tregoi se ai i thotë “kujdes këtu, kujdes atje”. Shtoi se kishin folur pak për para dhe i kanë ndërprerë intervistat, sepse flasin lirshëm dhe ndonjë e ka shfrytëzuar rastin, prandaj i thonë kujdes.

Për kolegët, ajo tha se secilin e lë në vendin e vet dhe kohën e lirë nuk e shpenzon me ta, por vetëm me familjen. I respekton aq sa meritojnë, ndërsa më e afërta është mbesa.

Duke iu përgjigjur vërejtjes se është ndër të paktat këngëtare me 40 vjet pa humbur asnjë ditë, pa pauzë, gjithmonë duke performuar e prodhuar, Breçani tha se tani janë edhe më shumë këngëtarë. Ajo kujtoi se ka kënduar që në fëmijëri dhe ka pasur mbështetje. Sipas saj, kolegët nuk ia shfaqin xhelozinë, por kur duan të ecin tamam drejt me të, nuk mund të thotë kush. Normalisht i thonë “o Dadë, çfarë të bëjmë pas teje”, sepse disa përtojnë të këndojnë pas saj. “Gjasme që këndoj më mirë unë”, shtoi ajo. Ajo konfirmoi se janë të sinqertë dhe se i mbështet këngëtarët e mirë dhe të rinjtë.

Për sekretin e zërit në formë, ajo tha se nuk bën asnjë trajtim.

Kur u pyet sërish për pengun profesional dhe personal, ajo përsëriti se në karrierë nuk ka, sepse i ka shfrytëzuar dhe vazhdon t’i shfrytëzojë, ndërsa në familje ka peng që nuk bëri edhe 2-3 fëmijë. “Gjithmonë kam dashur, Zoti më fali këto dhe mi ruajt”, tha ajo.

Fëmijët e saj e kanë pyetur për këtë: vajza është e kënaqur me vëllain, ndërsa djali e pyet pse nuk ka bërë djem. Ajo i thotë se e ka atë sa gjithë bota. Djalin e ka menaxher dhe e ka ditë e natë pranë vetes.

Ajo theksoi se në jetë nuk ka bërë kurrë dallime, as te nipërit, dhe se për ta jep jetën. Shtoi se djali i rri gati shumë dhe është një mbështetje shumë e madhe për të.

Për vendin më të mirë ku ka kënduar jashtë Shqipërisë, ajo tha se kudo që ka shkuar nuk ka dështuar. Megjithatë, hera e parë në Zvicër mbetet e paharrueshme: nuk ishin mësuar ende të dilnin jashtë dhe ishin mbi 2000 veta. Publiku kërkoi edhe një koncert dhe salla ishte sërish plot. Atë e cilësoi si më të veçantin.