Kuba po përballet me një krizë të thellë ekonomike, dhe ndryshimet politike mund të ndodhin në një të ardhme të afërt në ishull, pohoi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për Politico.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se administrata amerikane ka intensifikuar presionin ndaj Kubës, duke përfshirë shtrëngimin e sanksioneve dhe kufizimet në furnizimet me energji. Sipas Trump, faktori kyç është kriza ekonomike, e përkeqësuar nga ndalimi i furnizimeve me naftë nga Venezuela, që ka shkaktuar probleme serioze me karburantin dhe energjinë në vend.
“Regjimi armiqësor në Kubë nuk do të zgjasë shumë. Ne i ndaluam tërë naftën dhe paratë, apo, me fjalë të tjera, i ndaluam të gjitha furnizimet që vinin nga Venezuela, e cila ishte burimi i vetëm për ta. Dhe tani duan të negociojnë,” u shpreh Trump. Ai konfirmoi gjithashtu se SHBA-ja është në kontakt me lidershipin atje teksa paqëndrueshmëria në ishull po shtohet pas kapjes së liderit venezuelas, Nicolas Maduro.
Më pas, gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, ai falënderoi sekretarin e shtetit Marco Rubio, për të cilin tha se ka bërë një punë të shkëlqyer lidhur me Kubën, ndaj të cilës administrata ka ashpërsuar sanksionet.
“Ajo që po ndodh me Kubën është e jashtëzakonshme. Por së pari duam të mbarojmë punë me Iranin. Megjithatë, edhe Kuba është thjesht çështje kohe”, shprehet Trump.
Trump dhe aleatët e tij shpesh kanë kërcënuar Havanan, duke shtuar presionin ekonomik me qëllim rrëzimin e qeverisë komuniste të vendit.











