Vetëm pak ditë na ndajnë nga nisja zyrtare e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 Majit dhe të dyja kampet e politikës po bëjnë gati përgatitjet e fundit. Socialistët do të mbledhin fillimisht kryesinë e partisë pasditen e së martës ku përveç strategjisë që do të ndjekin do të miratojnë edhe sloganin e kësaj fushate që mësohet se do të jetë: “Kurrë më pas, vetëm përpara”. Më pas do të ketë një prezantim të 61 kandidatëve në lulishten pranë Sheshit “Skënderbej”.
Mësohet se pas një fjale të kryeministrit Rama të gjithë do të mbjellin pemë. Atyre pritet t’u bashkohen edhe anëtarët e Kryesisë dhe grupi parlamentar. Kjo pasi siç është premtuar, socialistët këtë herë nuk do të bëjnë një fushatë klasike, por me takime të vogla dhe me një angazhim për shtimin e gjelbërimit në qytete duke përdorur fondet që kjo parti ka marrë nga KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Ndërsa në kampin opozitar, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, çeljen zyrtare të fushatës do ta bëjë mesditën e 15 Prillit në stadiumin Air Albania. Siç duket edhe në posterin e publikuar në rrjetet sociale slogani i këtij koalicioni do të jetë: “Ndryshimi fillon nga duart e tua”.
Edhe aty pritet të ketë një prezantim të të gjithë kandidatëve ndërsa fjalimi qendror pas krerëve të koalicionit do t’i takojë kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha. Ai prej ditësh e ka nisur tashmë prezantimin e kandidatëve bashki më bashki duke kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve në 14 Maj.
Fushata nis zyrtarisht në 14 Prill dhe përfundon të premten e 12 Majit pasi e shtuna dhe dita e zgjedhjeve janë heshtje zgjedhore.
/a.r