Nga Fitim Zekthi
Mes shumë të tjerash ka edhe një postulat mjaft të vlefshëm për politikën dhe partitë politike. Në qoftë se opozita politike nuk i fiton zgjedhjet, në qoftë se një parti që drejton opozitën politike nuk mund t’i fitojë zgjedhjet, atëherë ajo dhe drejtuesit e saj në mënyrë të pashmangshme do të dalin nga politikja, por do të mbesin në “politikë”.
Politikja, siç thotë Carl Schmitt, ka të bëjë, veç të tjerash, me gjakimin e vazhdueshëm për të fituar pushtetin, për të fituar qeverisjen. Në qoftë se një parti nuk e synon këtë, atëherë ajo përkufizohet nga jopolitikja. Gjithsesi ajo mbetet në politikë në kuptimin që merr pjesë në jetën politike, debaton, bën zhurmë dhe mbron interesa të caktuara që nuk kanë të bëjnë më me politiken, por kanë të bëjnë me interesat e saj të ditës ose interesa të sajat ekonomike dhe të mbijetesës apo ruajtjes së pozitës që ka.
Partia Demokratike e Shqipërisë është në një gjendje shumë të vështirë. Ajo sillet plotësisht si një parti që nuk synon të fitojë qeverisjen e vendit, nuk bën asgjë për të përfaqësuar ndryshimin dhe për të ofruar një model dhe një projekt politik i cili shihet me simpati nga shoqëria.
Kur vdes politikja, atëherë vdes edhe dikotomia themelore politike që është ajo mik-armik. Sipas Schmitt, një nga konceptet bazë të politikës është ekzistenca e një armiku, konstruktimi i një armiku, ekzistenca e një kundërshtari që duhet mundur. Nëse një parti apo një opozitë nuk është në garën apo luftën për të fituar zgjedhjet apo për të fituar qeverisjen, atëherë ajo opozitë apo ajo parti në mënyrë të pashmangshme nuk e ka më kundërshtar apo “armik” partinë në pushtet dhe qeverinë. Partia në pushtet dhe qeveria bëhen aleatë, partnere apo diçka e ngjashme. Me partinë në pushtet dhe me qeverinë bëhen marrëveshje të ndryshme për të ruajtur “pozitën në treg”, për të ruajtur të paprekur pozicionin e të qenit opozita.
Partia Demokratike në Shqipëri, për fat të keq, duket se është plotësisht në këtë gjendje. Ajo është e interesuar, si edhe qeveria, për një ligj zgjedhor që “i mundëson të ruajë pozitën në treg”, është e interesuar për një ligj për ndarjen administrative që i mundëson asaj ruajtjen e rolit të partisë që udhëheq opozitën, është e interesuar për një parlament me dy dhoma apo me një numër deputetësh që nuk u krijon mundësi partive të tjera të rrezikojnë pozitën e saj si opozita e vetme. Më e rëndësishmja është e interesuar për të ndikuar apo diktuar ndryshimet në reformën në drejtësi në mënyrë që kjo reformë të mos cenojë asfare pushtetin që ajo ka sot. Të njëjtat gjëra i dëshiron edhe më me shumë forcë edhe qeveria.
Partia Demokratike duhet të dalë nga kjo gjendje dhe mund të dalë nga kjo gjendje. Ajo mund t’i fitojë zgjedhjet, ajo mund të ndryshojë, ajo mund të jetë përfaqësuese e ndryshimit. Ideja e prodhuar prej saj se do të kandidojë me kandidatë politikë në zgjedhjet lokale është një ide e duhur. Garimi me njerëz të shoqërisë civile, me aktorë apo muzikantë është i papranueshëm dhe qesharak.
PD-ja, sidomos në kushtet kur PS është e dërrmuar nga korrupsioni dhe hetimet e SPAK, kur PS ka shpartalluar ndarjen e pushteteve dhe sundimin e të drejtës, kur ka përfshirë në qeverisje krimin e organizuar dhe biznesin klientelist, duhet të kthehet në një forcë shumë politike dhe të kandidojë me kandidatë që përfaqësojnë politikisht fort një model dhe projekt.
Ajo duhet të ndërtojë një koalicion me të gjithë opozitarët dhe t’u ofrojë atyre projektin politik të sajin, i cili duhet të ketë parasysh se synimi është që shoqëria ta shohë atë si të sajin. Duhet një ndryshim në gjuhë, në narrativë, në ekip, duhet një opozitë që thotë të vërtetën dhe sillet si e vërtetë. Duhet një opozitë që e sheh qeverinë si kundërshtar dhe sillet si kundërshtare e vërtetë, jo gjasme. Kjo është e vështirë për gjendjen ku është opozita, por jo e pamundur.











