Kandidati socialist Emmanuel Grégoire ka fituar garën në Paris të dielën, 22 mars, duke pasuar Anne Hidalgo në drejtimin e kryeqytetit francez, sipas rezultateve të raundit të fundit të zgjedhjeve komunale.
Rezultatet tregojnë gjithashtu fitore të dukshme për të majtën dhe të djathtën tradicionale, si dhe një fitore të rëndësishme për të djathtën ekstreme në qytetin e Nice në Rivierën Franceze.
Qytetarët francezë votuan në rreth 1 500 bashki, në një proces që konsiderohet si një test i ekuilibrit të forcave në skenën politike lokale, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Rezultatet përfundimtare ende nuk ishin konfirmuar plotësisht në mbrëmje, veçanërisht në qytetet e mëdha. Megjithatë, rreth 93% e komunave të vogla dhe të mesme kishin zgjedhur kryetarët e tyre që në raundin e parë.
Në Paris, Grégoire, i cili drejtoi një koalicion të të majtës tradicionale, të gjelbërve dhe komunistëve, shpalli fitoren pasi rezultatet paraprake e nxirrnin përpara rivalit të djathtë, Rachida Dati, e cila e pranoi humbjen.
Ai deklaroi se fitorja përfaqëson “një vizion për një Paris progresist dhe të gjallë”, duke shtuar se qytetarët e kryeqytetit kanë zgjedhur qartë të majtën. Parisin e kanë drejtuar forcat e majta për rreth 25 vite.
Ndërkohë, në Nice, kandidati Eric Ciotti, një ish-konservator i lidhur me të djathtën ekstreme, shënoi një fitore të rëndësishme për këtë kamp politik. Megjithatë, partia e Marine Le Pen humbi në disa qytete të tjera të rëndësishme, përfshirë Marsejën, ku kryebashkiaku aktual i majtë Benoît Payan arriti të ruajë mandatin e tij.
Të djathtët ekstremë gjithashtu humbën në qytete si Nîmes dhe Toulon, pavarësisht pritshmërive të tyre.
Megjithatë, presidenti i partisë së djathtë ekstreme, Jordan Bardella, e cilësoi rezultatin si një sukses të rëndësishëm për forcën e tij politike, duke theksuar se kjo është një hap përpara në zgjedhjet lokale.
Gara është ndjekur me vëmendje edhe në qytete të tjera të mëdha, si Le Havre, ku kryetari aktual Édouard Philippe fitoi një mandat të ri, duke forcuar pozicionin e tij si një nga figurat potenciale për zgjedhjet presidenciale të ardhshme.
Ndërkohë, lëvizja centriste e presidentit Emmanuel Macron arriti një rezultat të rëndësishëm vetëm në qytetin e Bordeaux, ndërsa në shumë zona të tjera mbeti në prapaskenë.
Zgjedhjet u zhvilluan në një sfond ndërkombëtar të tensionuar, mes luftës në Ukrainë, në Gaza dhe në Lindjen e Mesme, duke shtuar pasigurinë për zhvillimet politike në Francë përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.











