Nga Alketa Hila
U bënë dy vjet tashmë nga fillimi i Kontrollit Mjekësor Bazë, ose siç e quajmë rëndom, check-up, dhe kemi mundësi të analizojmë rezultatet e deritanishme në funksion të strukturimit të strategjive për të ardhmen, si për këtë proces në vetvete, por edhe për ndikimin që ka ky, për të gjithë ecurinë e sistemit shëndetë- sor në Shqipëri. Nga pikëpamja sasiore kemi 660 mijë kontrolle të kryera, me një mesatare pra 330 mijë/vit, gjë që po fillon të stabilizohet, duke na dhënë sigurinë për një ecuri më të mirë në të ardhmen, me qëllim arritjen dhe tejkalimin e projeksionit prej 475 mijë kontrollesh/vit.
Për këtë u bë rritja e fashës moshore, që do të përfshihet në këtë fushatë parandaluese pa rritje të kostos dhe njëkohësisht duke shtuar edhe dy analiza për të ulur numrin e fataliteteve, për të rritur cilësinë e jetesës, si edhe për të ulur shpenzimet farmaceutike dhe spitalore, duke kapur në kohë raste të cilat mund të trajtohen vetëm me këshillim ose me mjekim, shumë herë më pak të kushtueshme se fazat e avancuara të tyre. Sipas studimeve tona, vetëm me kapjen në kohë të rasteve me diabet mellitus dhe sëmundje kardiovaskulare, ne i kemi kursyer buxhetit të FSDKSH rreth 4 milionë euro, që është pothuajse pagesa e një viti për këtë proces sa human, aq edhe ekonomik.
Nuk kemi analizuar ende patologjitë e tjera si sëmundjet tumorale, renale, hepatike etj., nga të cilat jemi të bindur se u kursejmë taksapaguesve shqiptarë, ndoshta edhe të gjithë pagesën që bën Fondi për Kontrollin Mjekësor Bazë. Kjo bën që fitim neto të kemi si shoqëri jetën e qytetarit, por edhe cilësinë e saj. Tashmë, ne si Fond i Sigurimeve Shëndetësore jemi të bindur në suksesin e këtij procesi dhe njëkohësisht të vendosur në çuarjen përpara dhe perfeksionimin e tij.
Jemi të vendosur të vazhdojmë “luftën” me mentalitetin e popullit tonë se te mjeku shkohet vetëm kur ke dhimbje, “luftën” me antireklamën, që i bëhet check up-it nga grupe të caktuara interesi ekonomik e politik, të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre u bëjnë një dëm kolosal qytetarëve shqiptarë. Të parandalosh është më mirë se të mjekosh. Kjo tashmë është kthyer në moto edhe e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila po u kushton kujdes të veçantë të gjitha politikave parandaluese shëndetësore, si edhe të gjitha metodave stimuluese të kësaj pjese kyçe të çdo sistemi shëndetësor.
Me këshillimin e vazhdueshëm të tyre kemi arritur në konkluzionin se stimulimi i mjekëve dhe infermierëve do të ishte një shtysë e rëndësishme në çuarjen përpara të këtij “revolucioni” shëndetësor. Ky stimulim sigurisht duhet të jetë nominativ, pra emër për emër, në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më i saktë për punën e gjithsecilit. Gjithashtu, në një fazë të mëvonshme, ndoshta në fillim të vitit që vjen, mendojmë që ta fusim edhe si element pagese së bashku me kapitacionin dhe ndoshta, edhe një element të rëndësishëm si PVHP (pacient i vizituar për herë të parë), që tregon sa persona nga popullata që mbulon ka kontaktuar mjeku, pra vizituar, këshilluar e mjekuar.
Së fundi, po e mbyll me një thirrje, që vjen si pasojë e një bindjeje të FSDKSH, Qeverisë, por edhe OBSH-së: parandalim, parandalim, parandalim për një individ të shëndetshëm, për një shoqëri të shëndetshme.
*Drejtore e komanduar e FSDKSH