Kujdes me kreditë për shtëpi, dhe sulmet kibernetike! Banka e Shqipërisë paralajmëron se, ndonëse sektori bankar është në pozita të mira, “sytë duhen mbajtur hapur”. Në horizont ka rreziqe të shtuara.
Klodian Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar, shprehet: “Për sa i përket tregut të brendshëm, kemi në njëfarë mënyre kujdes të ekspozimit të sektorit bankar ndaj pasurive të paluajtshme. Bankat gjithashtu evidentojnë si rrezik të mundshëm ekspozimin ndaj sulmeve kibernetike. Megjithatë, gjithçka është e kontrolluar. Cilësia e kredisë në fund të gjashtëmujorit ishte 3.6% për kreditë me probleme”.
Megjithatë, pavarësisht nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe luftën e tarifave të presidentit amerikan Donald Trump, të cilat kanë ndikuar në bursat botërore, Banka e Shqipërisë thekson se deri tani sistemi financiar po e përballon mjaft mirë këtë situatë.
“Në përgjithësi, rreziqet ndaj të cilave ekspozohet veprimtaria e sektorit bankar paraqiten në nivele të kontrolluara. Rreziqet lidhen me zhvillimet ndërkombëtare dhe ato janë të pasigurta, që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe tregtare. Megjithatë, performanca e ekonomisë shqiptare ka qenë e mirë, pavarësisht këtyre zhvillimeve”, shprehet Shehu.
Në gjysmën e parë, bankat zgjeruan fitimet e tyre, por me një normë më të ulët krahasuar me periudhat e kaluara.
“Kjo rritje bazohet më shumë te depozitat, të cilat janë përdorur për investime në kredi dhe tituj qeveritarë. Kreditimi është rritur me gati 14% në terma vjetorë dhe rritja ka qenë e mirë si për individët, ashtu edhe për bizneset. Rritja e kredisë ka ardhur kryesisht në lekë. Aktiviteti ka rezultuar me fitim, ndonëse ritmi i fitimeve ka ardhur në rënie krahasuar me periudhat e mëparshme”, vijon ai.
Për sa i përket kursit të këmbimit, situata deri më tani paraqitet nën kontroll, ndërsa Banka e Qendore thekson se forcimi i lekut ka ndihmuar në mbajtën e çmimeve në këto nivele.











