Nga Bajram Peçi
Bota mbajti frymën gjatë zgjedhjeve në SHBA, u qetësua kur ato mbaruan, retë u shpërndanë dhe horizonti në politikën ndërkombëtare filloi të kthjellohet për mëdyshjet e tyre. Bryan Lanza, një këshilltar i lartë i presidentit të zgjedhur Donald Trump, ska pak ditë që në emër të administratës së ardhshme të Shtëpisë së Bardhë deklaroi se fokusi për arritjen e paqes në Ukrainë nuk do jetë krijimi i mundësisë që vendi të rifitojë territorin e pushtuar nga Rusia!
Këtë zgjidhje “me një telefonatë” të Trump, pothuaj gjithë Europa e empancipuar (jo vetëm diplomacia) e merrte me mend, e dinte! Është një llogjikë që rrjedh prej përvojës që u fitua nga koha e Trump si president, kur pushteti i tij, si gjithë pushtetet ku sundohet (qoftë dhe demokraci), bën praktikisht çfardo që dëshiron.
Kujtesa është mëma e të gjitha muzeve-na ka lënë të shkruar Eskili tragjedian. Ja themi vetes kurdoherë se historia që harrohet përsëritet, por nuk ka gjasa që botës së tashme të trazuar e me paqe të rrezikuar seriozisht prej më shumë se dy vjetësh, t’i vijë si komendi.
Shihet qartazi që paqja botërore është prishur dhe me shqetësim priten zhvillime të tjera nga dy vatrat ku zien lufta: agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe lufta e Hamas-Iran, që filluan ne tetor 2023, kundër Izraelit. Ngjashmëri të frikshme epokash shihen, që mund të jenë fatale. Në çfarë i ngjan e shkuara të tashmes?
-Rreth 85 vjet më parë, në shtator të vitit 1938, kryeministri Mbretërisë së Bashkuar, Chamberalin fluturoi gjithë gëzim drejt Mynihut për t’i firmosur Adolf Hitlerit dorëzimin e Sudetenland, territor i Republikës së Çekosllovakisë të cilin Gjermania e pretendonte ngase popullata ishte “Etnikisht gjermane”. I ngazëllyer, pasi zbriti nga aeroplani në aeroportin e Londrës, u tundëte të pranishmëve fletëzën e letrës, fitoren e tij, firmën që i kish “rrëmbyer” Hitlerit në dokumentin e marrëveshjes me politikën e pajtimit dhe ndërmjetësimit për zgjidhje paqësore. U plotësuan kërkesat e Gjermanisë naziste sepse popujt e tyre, britanik e francez, ishte kuptuar se nuk do të kishin dëshirë t’i futeshin një lufte tjetër të madhe.
Dokumentin Marrëveshje, të firmosur nga palët, Adolf Hitleri e harroi në sirtaret e arshivës, shkeli garancinë e marrëveshjes dhe në muajin mars 1939 e pushtoi të gjithë Çekosllovakinë. Ndërkohë, sipas kompllotit dy palëshe Rusi-Gjermani, ushtria e kuqe pushtonte vëndet e Balltikut dhe territore të gjera të Finlandës.
Gjithsesi, pas pushtimit të Polonisë, Europa perëndimore u fut në luftë, me shkas Polonia, por që paradoksisht, pas lufte ngeli nën hyqmin e Bashkimit Sovjetik!? Një autoritet i lartë perëndimor, përfaqësues në Potsdam, vuri në dukje se para vitit 1914 Polonia i përkiste Rusisë?!
– Duma e Rusisë, që kish autorizuar Presidentin Vladimir Putin, i njohu rajonet “Etnikisht ruse” të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore si shtete të pavarura. Zëdhënësi i presidentit të ardhshëm Trump, mesa duket parapërgatit opinionin se do jenë dakord që ato të aneksohen. Për hir të politikës së pajtimit dhe ndërmjetësimit për zgjidhje paqësore, me gjasa do plotësohen kërkesat e Rusisë imperialiste, sepse populli amerikan, mbase dhe ai gjerman, britanik e francez, kishte kuptuar se nuk donin të hynin në një luftë, që mund të kish një fund të tmerrshëm për njerëzimin. Këtë ngurrim e kuptonte dhe Putini, që tërë këto kohë pas sulmit mbi Ukrainë i ka folur perëndimit me gjuhën e armëve termo-bërthamore.
Dokumentin e nënshkruar në Minsk, Marrëveshja për armët bërthamore, që detyronin Ukrainën, Kazakistanin dhe Biellorusinë t’i dorëzonin, kundrejt garancisë së fuqive të mëdha, u firmosën nga palët, por Vladimir Putin e harroi në sirtaret e arshivës dhe në muajin shkurt e mars 2014 e pushtoi Krimenë dhe në fund shkurti 2022, ju drejtua Kievit, i pushtoi dy krahinat lindore dhe ja bashkangjiti me dokumente Federates Ruse. Ndërkohë, sipas marrëshjes shumë palëshe të Rusisë me fuqitë e mëdha, ajo duhej të ruante Traktatin dhe Ukrainën, rezultoi të ishte agresori, pushtuesi i pamoral, që hedhje firmash e letra të nënshkruara i sheh me tallje.
“Ishte faji im”-u shpreh pak a shumë kështu ish presidenti Klinton në Tiranë, në korrik të 2023, që e kish detyruar Ukrainën të nënshkruante. Sa vlen vallë sot kjo marrje përgjegjësie përsipër?!
“Kjo thertore, që dikur i thoshin njerëzim…”, -shkruante Stefan Svajg për kohën e Luftës së Parë Botërore. E tillë ishte dhe e dyta, edhe më thertore! Nëse ndodh një tjetër, do jetë e fundit. Sundimtarët rrinë gjithnjë zgjuar për prenë e radhës, pasi të përfundojë punën me Ukrainën e dorëzuar “me një telefonatë”, do vigjëlojnë mbi shtetet e Balltikut, mbi Moldavinë, pjesë dikur të ish perandorisë sovjetike, pjesë e ëndrrave të sotme për perandorinë moderne Ruse. Lënja “me një telefonatë” e atyre territoreve, do i japi Serbisë energjinë, karikimin e duher për të zgjidhur “Mosmarrëveshjet e ngrira”, sipas saj, duke vënë seriozisht në rrezik pavarësinë e Republikes së Kosovës, Bosnjës e më gjerë.
Europa, që nga ndihmat e para dhe mbështetje që i dha, e dinte se fitorja e ukrainasve ndaj Rusisë do ishte jo vetëm fitorja e një lufte të drejtë, por edhe e demokracisë kundër tiranisë së diktatorëve, e qytetërimit të Europës kundër sundimtarëve lindorë, kundër errësirës despotike, të cilëve u mungon përpos se Mirosja e shenjtë për t’u shpallur monarkë.