Kryeministri Edi Rama, si dhe ministri i Financave Petrit Malaj dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, zhvilluan sot më 23 dhjetor një takim me përfaqësues të bizneseve, ku u diskutua për Paketën Fiskale 2026.
Kreu i qeverisë tha se përmes paqes fiskale, do të shtohet formalizimi i bizneseve dhe do të ulet tatimi. Ai u shpreh se nga nisma përfitojnë të gjitha bizneset, që nuk kanë procese gjyqësore të hapura.
“Paqja fiskale sot është ligj, pasi ishte premtim i yni në fushatë. Nga janari 2026 mund ta zbatojmë këtë nismë. Ne duam të ndërtojmë urë komunikimi të shëndetshëm mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore. Paqja fiskale u jep mundësi sipërmarrjeve të vetëkorrigjohen, duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara. Nisma synon të rrisë formalizimin dhe ta ulë tatimin. Ne presim një përmirësim të atmosferës së biznesit në vend. Bëhet paqe me bizneset, që nuk kanë probleme ligjore, që nuk janë në procese gjyqësore të hapura, që afektojnë legjitimitetin e të ardhurave. Gjobat, sipas periudhës shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes kësteve të lehtësuara”, tha Rama.
Ministri i Financave Petrit Malaj në fjalën e tij deklaroi se sipërmarrja ka qenë dhe mbetet partneri kyç në politikat që ndërmerr qeveria. Ai vlerësoi se Shqipëria duhet të ketë një ekonomi moderne.
“Sipërmarrja ka qenë dhe mbetet partneri kyç në politikat që ndërmarrim. Ne kemi dëgjuar me kujdes kërkesat e juaja si biznese. Ne duam që biznesi të jetë i përgatitur, pasi do të hyjë në tregun e BE-së. Të ardhurat për frymë janë trefishuar. Ne synojmë që të ardhurat për frymë më 2030 të jenë mbi 15 mijë euro. Paketa Fiskale nuk rrit taksat dhe barrën fiskale për bizneset. Paketa përbëhet nga tetë ligje. Ne duam një sistem fiskal të drejtë. Kuadri ynë fiskal duhet të jetë i përafruar me atë të BE-së.Ta çojmë Shqipërinë drejt një ekonomie moderne”, tha Malaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj, deklaroi se përmes paketës fiskale, qeveria synon që të krijojë kushtet, për konkurrencë të drejtë mes bizneseve.
“Ne besojmë fort tek forca e dialogut. Ne besojmë se ekonomia shkon përpara me anë të bashkëpunimit. Ekonomia shqiptare ka marrë një drejtim dhe ky drejtim është drejt BE-së, është drejt integrimit evropian, që bizneset shqiptare të përfitojnë sa më shumë nga tregu i Bashkimit Europian. Duhet punë e madhe nga qeveria, duke votuar ligje, që na përafrojnë me BE-në. Ne na duhet që biznesi të jetë i lirë të veprojë, na duhet marrëdhënia e besimit me njëri-tjetrin. Ju duhet të operoni në një ambient ekonomik me rregulla të qarta. Numri i bizneseve është rritur në 10 vitet e fundit, edhe punësimi është rritur shumë, ka rënë papunësia dhe bizneset kanë fituar dyfish. Ambienti ekonomik është përmirësuar. Ne do iu ofrojmë instrument bashkëpunimi, që do sjellë administratën tatimore më pranë biznesit. Të krijojmë kushte për konkurrencë të drejtë”, tha ministrja Brahimaj.
Qeveria shqiptare ka përqendruar përpjekjet e saj për përmirësimin e klimës së biznesit dhe formalizimin e ekonomisë gjatë viteve të fundit. Politikat fiskale dhe paketat ligjore të propozuara synojnë harmonizimin e sistemit tatimor me standardet e Bashkimit Europian dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime.











