Në një moment vendimtar për fatin e konfliktit në Gaza, Corriere Della Sera ka zhvilluar një intervistë me diplomatin amerikan Rob Malley, një nga negociatorët më me përvojë në çështjet e Lindjes së Mesme, i cili ka shërbyer në administratat Clinton, Obama dhe Biden. Së bashku me ish-negociatorin palestinez Hussein Agha, ai ka shkruar librin “Tomorrow is Yesterday” (E nesërmja është dje).
Duke komentuar përpjekjet aktuale për një armëpushim dhe planin e propozuar prej Donald Trump, Malley ofron një analizë të thelluar mbi vështirësitë dhe potencialet e procesit paqësor.
Sipas tij, megjithëse në terren ekzistojnë interesa të papajtueshme midis Izraelit dhe Hamasit, faza e parë e marrëveshjes, ndalimi i dhunës dhe lirimi i pengjeve, mund të zbatohet dhe të shpëtojë jetë. Megjithatë, Malley paralajmëron se paqartësitë afatgjata dhe qasja e njëanshme e administratës Trump rrezikojnë të minojnë çdo përpjekje për një paqe të qëndrueshme.
INTERVISTA ME ROB MALLEY
I kemi bërë pyetje bazuar në përvojën e tij disavjeçare dhe njohjen nga afër të politikave izraelite, palestineze dhe amerikane, për të ditur nëse ai beson se armëpushimi në Gaza do të zgjasë.
“Tashmë kemi parë shkelje. Është e qartë se edhe kur ka vetëm një shenjë të vogël që Hamasi nuk po e zbaton plotësisht marrëveshjen, madje edhe kur vetë amerikanët besojnë se nuk ka shkelje, Izraeli dëshiron ta përdorë këtë si mundësi për të riafirmuar forcën e tij.
Nga ana e Hamasit ekziston një dëshirë e përditshme për t’u rikonfirmuar si autoritet në Gaza.
Përplasja midis këtyre dy interesave, që janë të papajtueshme, është shqetësuese.
Por deri tani duket se Shtetet e Bashkuara duan që armëpushimi të qëndrojë. Po dërgojnë zyrtarët më të lartë të qeverisë, përfshirë zëvendëspresidentin. Presidenti duket se po investon shumë.
Prandaj ka arsye për të besuar se është e mundur. Por të flasim për siguri do të ishte ekzagjerim”
Çfarë mendoni për planin me 20 pika të Trump për Gazën?
“Do ta ndaja në dy pjesë: ndikimin e menjëhershëm dhe përmbajtjen afatgjatë.
Qëllimi i menjëhershëm, dhe më i rëndësishmi, është të ndalet masakra në Gaza, të lirohen pengjet dhe të burgosurit, dhe të lejohet hyrja e ndihmave humanitare, për të cilat ka një nevojë dëshpëruese.
Kjo është pjesa që kërkon vëmendje tani dhe është pjesa më realiste, në njëfarë mënyre.
Nuk është ende e garantuar, por duket se ekziston një presion amerikan dhe ndërkombëtar që të paktën këto masa të zbatohen”.
Çfarë ju shqetëson në afat të gjatë?
“Pikësëpari, mungesa e sqarimeve për afatet dhe mënyrën e zbatimit, për shembull si do të vlerësohen dhe ndëshkohen shkeljet. Gjithçka që do të ndodhë më pas do të duhet të negociohet, dhe kjo krijon pasiguri, sepse ka elementë të fazave të mëvonshme që as Hamasi dhe as Izraeli nuk i duan.
Kështu që e shoh situatën të ndarë në rrethe:
–rrethi i parë: ndalimi i vrasjeve, lirimi i pengjeve dhe i të burgosurve, dhe hyrja e ndihmave;
–rrethi i dytë: hapat për të arritur te një qeveri, një forcë stabilizimi dhe çarmatimi i Hamasit;
–dhe rrethi i tretë: bisedimet për një zgjidhje të gjithanshme.
Sa më shumë largohemi nga rrethi i parë, aq më pak besim kam për zbatimin. Por vlerësimi im është: të paktën ta arrijmë rrethin e parë, sepse mund të shpëtohen jetë”.
Trump dhe negociatorët e tij nuk duan të flasin për zgjidhjen me dy shtete, për sovranitetin dhe vetëvendosjen palestineze. Ata thonë se duan të shmangin “etiketat e vjetra” dhe të fokusohen te pragmatizmi: “Pastaj emërtimet mund të vijnë më vonë”. A pajtoheni? Në librin tuaj, ju i kritikoni politikanët që për dekada flisnin për zgjidhjen me dy shtete, edhe kur ishte e parealizueshme, duke e përdorur si justifikim për të mos bërë asgjë.
“Një gjë është të pranosh se metodat e së kaluarës nuk kanë funksionuar, dhe tjetër gjë është të zgjedhësh një rrugë të mirë alternative.
Rezultatet e administratës së parë të Trump dhe gjashtë muajt e parë të mandatit të dytë nuk janë aspak inkurajuese.
Në mandatin e parë ata e njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, dhe Golanin si pjesë të Izraelit.
Prezantuan një plan të hartuar nga Jared Kushner, që do të lejonte Izraelin të aneksonte pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor brenda gjashtë muajve të parë. Jo vetëm që i dhanë dorë të lirë Izraelit për ta vazhduar luftën në mënyrën më agresive të mundshme, por bënë deklarata për Bregun Perëndimor duke e quajtur Judea dhe Samaria.
Prandaj, mund të jesh pak i kënaqur që po provojnë diçka ndryshe, por edhe shumë skeptik për metodat e reja të mundshme. Ata nuk po bëjnë atë që ne propozojmë në libër: që është të merren parasysh narrativat dhe aspiratat historike të të dyja palëve. Ka një tendencë në administratën Trump të dëgjohet vetëm njëra palë”.
Intervistë për Corriere Della Sera











