Më shumë se 1 milion e 330 mijë vaksinime antiCOVID janë kryer deri tani në vendin tonë. Shifrën e ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në rrjete sociale.
Ministrja ka apelur qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura të muajit të hapur të vaksinimit dhe të vaksinohen.
“Shfrytëzoni ditët e mbetura të këtij muaji vaksinohuni sa më parë në qendrën tuaj shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit”, shkruan Manastirliu.
Kujtojmë se muaji gusht është muaj i hapur i vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’iu dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 të gjithë qytetarëve. Mbrëmjen e djeshme 44,460 doza të vaksinës Pfizer kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” duke e çuar në 1,845,660 numrin e vaksinave të mbërritura në Shqipëri.
/b.h