Nga Ben Andoni
Panairi i Librit 2015, aktiviteti më i madh i letrave shqiptare, hapi dyert e tij për publikun. E theksojmë i madh, sepse edhe pse prej dy vjetësh është ngritur dhe një panair tjetër, i gjithë synimi është të jesh pjesëmarrës vetëm në këtë panair. Në atë që vërehet dhe flitet me botuesit, nuk ka ndryshuar pothuaj asgjë. Veçse janë shtuar shqetësimet, edhe pse tashmë botës së librit shqiptar i është shtuar dhe pjesëmarrja në AMAZON. Por edhe në modernizimin e qasjes ndaj librit, frika tashmë është edhe me një lloj piraterie tjetër, ajo dixhitale! Dhe taksa prej 20 për qind mbi librin elektronik e bën edhe këtë bashkëpunim shumë të vështirë. Anipse, duket se ka një lloj shprese, pasi në kontakt me ministrinë e Financave dhe të Kulturës, po punohet të përmirësohet në mënyrë të thellë jo vetëm taksimi mbi librin dixhital, por në përgjithësi mbi librin, mëtojnë njerëzit e librit.
Drejtuesi i shoqatës së botuesve shqiptare, z.Petrit Ymeri ka numëruar një sërë vështirësish, që kur i dëgjon, kupton se politika e librit ka ndryshuar fare pak, megjithë premtimet e shumta. Sipas tyre ende vazhdon që prej vitit 2006 taksa absurde e Tvsh prej 20 për qind. Dhe, kjo është e parimbursueshme, sepse ligji është ndërtuar i tillë, që të jetë me Tvsh zero në shitje dhe 20 në blerje! “Pra është një tatim kundër logjikës së Tvsh. Për të kuptuar sa vlerësohet libri, mjafton të bëjmë dy krahasime: mediat e shkruara e kanë Tvsh zero, reklamat e kanë Tvsh zero, libri e ka Tvsh 20 për qind. Në krye të këtij viti është vendosur Tvsh 20 për qind edhe mbi librin në format elektronik, të cilin ne po e promovojmë tani”, thotë Petrit Ymeri, drejtori i “DITURISË”, cituar për “JAVA”.
Libri mbart veç vështirësive që përmendëm edhe politikën e dobët në kurrikulat shkollore të Ministrisë së Arsimit, marrëdhëniet me libraritë, furnizimin dhe shpërndarjen, lehtësitë fiskale dhe administrative, e deri deklarimet e shitjeve, që kur vërtetohet shitja. Në këtë masë vazhdon problemi edhe me zyrat e tatimeve.
Por çfarë mund ta zbuste?! Ajo për të cilën ka ardhur në fuqi Partia Socialiste: politika liberale, demokratike në mbështetje të librit, “madje do e quaj që na duhen politika të majta në mbështetje të librit. Institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale duhet të investojnë për kulturën e librit”, shprehet Ymeri.
E gjitha sërish duket kot, pasi nevojat shtrihen që në shtimin e librarive por sidomos në shpërhapjen e librave në rrethe, në biblioteka dhe shkolla që mungojnë dhe mbi të gjitha të arrihet të zbatohet e të amendohet Ligji për Librin, që ende nuk po merr drejtim. Dhe, t’i pritet udha informalitetit, “një sëmundje që po e bren veprimtarinë profesionale në botimet tona dhe zyrat e shtetit bëjnë sikur nuk e shohin këtë”, sqaron ligjërimin e tij, kryetari i shoqatës së botuesve shqiptarë.
Edhe pse u premtua shumë nga Qeveria Rama për lehtësi, libri vazhdon të përballet me vështirësi të panumërta. A duhej ndoshta një politikë më fleksible për inkurajimin e vet dhe a mund të na rreshtoni disa nga këto vështirësi?
“Nuk më kujtohen premtimet e qeverisë për librin (nqs ka pasur), por nuk më duket që ka ndryshuar ndonjë gjë e veçantë për mirë. Kemi një rritje të nivelit të taksave për shtëpitë botuese, kemi një rritje të taksës mbi të ardhurat e autorëve dhe përkthyesve dhe kemi një sistem fiskal shumë konfuz dhe të padrejtë që rëndon mbi librin, mbi leximin. Në Shqipëri ende vazhdon që prej vitit 2006 taksa absurde e TVSH prej 20 për qind, e parimbursueshme, sepse ligji është ndërtuar në mënyrë hipokrit, me Tvsh zero në shitje dhe 20 në blerje! Pra është një tatim kundër logjikës së Tvsh. Për të kuptuar sa vlerësohet libri, mjafton të bëjmë dy krahasime: mediat e shkruara e kanë Tvsh zero, reklamat e kanë Tvsh zero, libri e ka Tvsh 20 për qind. Në krye të këtij viti është vendosur Tvsh 20 për qind edhe mbi librin në format elektronik, të cilin ne po e promovojmë tani. Sapo kemi arritur një fitore të mundimshme, duke futur gjuhën shqipe në rrjetin Amazon. Por një taksë 20 për qind mbi librin elektronik e bën këtë bashkëpunim shumë të vështirë. Jemi në bisedime dhe në kontakte intensive me ministrinë e Financave dhe të Kulturës me besimin se do ta përmirësojmë në mënyrë të thellë jo vetëm taksimin mbi librin digjital, por në përgjithësi mbi librin. Kemi shumë vështirësi në marrëdhëniet me libraritë, furnizimin dhe lehtësitë fiskale dhe administrative për deklarimet e shitjeve atëherë kur vërtetohet shitja. Kështu veprohet kudo në Europë, por ne e kemi të pamundur deri tani të bindim zyrat e tatimeve.
Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë, dhe këtë për fat të keq e themi çdo vit, për politika liberale, demokratike në mbështetje të librit, madje do e quaj që na duhen politika të majta në mbështetje të librit. Institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale duhet të investojnë për kulturën e librit. Duhet të investohet për librari të reja dhe të ketë mbështetje për fuqizimin e atyre ekzistuese, duhet të mendohet për furnizime të bibliotekave publike dhe shkollore, me libra shumë të mirë që pothuajse nuk janë në to. Kërkojmë me këmbëngulje prej disa kohësh që të zbatohet ligji i librit dhe sa më shpejt të përmirësohet. Mendojmë se është më mirë kur ke një ligj të keq se sa kur nuk ke fare. Informaliteti është një sëmundje që po e bren veprimtarinë profesionale në botimet tona dhe zyrat e shtetit bëjnë sikur nuk e shohin këtë”.
“DITURIA” vazhdon të sjellë libra të standardit të lartë me të cilën i është dhënë bashkëkohësi tregut shqiptar të librit. Fatkeqësisht, një pjesë e tyre ikin pa jehonën e duhur. Mendoni se ka një mungesë kulture apo strukturat e kulturës nuk dinë të filtrojnë dhe të përcjellin botimet e mira?
“DITURIA bën punën e saj prej 25 vjetësh në kushtet e një tregu kaotik dhe të varfër, në kushtet e mungesës së distribucionit të organizuar dhe librarive që në Shqipëri mbyllen dita-ditës. Jemi krenarë për dhjetëra e qindra libra shumë të mirë që i kemi dhënë lexuesit shqiptar, autorë vendas dhe të huaj të niveleve më të larta. Përpiqemi që të bëjmë publicitetin e duhur, njohjen e duhur për lexuesin, në forma të ndryshme, por sikurse jemi të gjithë dëshmitarë, shpeshherë dominon propagandimi dhe trumbetimi i vlerave mesatare dhe nënmesatare të cilat sigurisht që e dëmtojnë lexuesin, e bëjnë atë të humbasë shpeshherë besimin tek libri apo tek letërsia e vërtetë, tek autorët e rëndësishëm, tek përkthimi më i mirë. Por është një situatë që nuk varet vetëm nga ne, jetojmë në një periudhë marketingu ku shpeshherë ai që ka mjetet e përdor atë duke deformuar informacionin kulturor dhe vlerësimi për librin sigurisht nuk ka peshën që ne do të na pëlqente të kishte. Jam dakord me vërejtjen tuaj që shpeshherë libra të mirë apo autorë shumë të njohur, jo vetëm botimet tona të Diturisë, kalojnë pa u vënë re sa duhet, dhe ato shpesh superohen nga daullet e historiçkave me kapelka të trëndafilta apo me çallma e me jataganë. Por libri i mirë e gjen gjithmonë lexuesin dhe lexuesi i mirë e gjen gjithmonë librin që i duhet. Kjo është një e vërtetë e provuar në shumë e shumë vite pune”.