14 marsi, Dita e Verës, tashmë është bërë një traditë dhe festë kombëtare. Pavarësisht karakterit të saj festiv e argëtues, shoqëruar me simbolika, shenja (verore), ushqime të veçanta (ballokume), vezë etj dhe çdo gjë tjetër në funksion të kësaj feste, duhet të themi pa ngurrim se kjo është një festë pagane, e cila festohej në lashtësi nga popujt paganë grekë, ilirë, romakë dhe ka lidhje me “perënditë” e diellit dhe të bimësive.
Dita e Verës, sipas kalendarit Julian (viti 45 para K.) festohej më 1 mars dhe me kalendarin Gregorian (1582 pas K.) më 14 mars. Muaji mars për paganët ishte muaji i parë i vitit. Ky muaj lajmëronte ardhjen e pranverës dhe kjo shfaqej nga lulëzimi i natyrës, e cila tregonte për mundjen e dimirit të egër që po jepte shpirt. Paganët e festonin këtë ditë me rituale të cilat ishin të ndryshme në zona të veçanta, por më i zakonshëm ishte rituali i ndezjes së zjarreve (simboli i diellit), kapërcimi i tyre, marrja e bimëve të sapoçelura me gjithë rrënjë dhe vendosja e tyre në pragjet e shtëpive si një bekim nga “perënditë” për të pasur një pranverë dhe verë të begatë.
Po ashtu edhe veroret, që bëhen me lesh të dredhur në ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, shprehin simbolikën e festës: e kuqja është simbol i diellit, i ngrohtësisë, i gjakut, i forcës dhe e bardha simbol i mirësisë, i dritës, i mbarësisë. Zakonisht veroret lidhen më 1 mars dhe hiqen më 14 mars. Veroret i mbanin vajzat si fatsjellëse dhe i lidhnin në një shkurre; në qoftë se vinte ndonjë zog dhe e merrte e bënte fole me të, atëhere kjo ishte shenjë se kjo vajzë do të martohej atë vit duke krijuar familje. Ose i vinin në gurë dhe në qoftë se poshtë gurit mblidheshin insekte të shumta, atëhere ai vit do të ishte i begatë e të tjera rituale pagane që kanë lidhje me fatin.
Masiviteti gjithnjë e në rritje i kësaj feste të mirfilltë pagane, karakteri populist i së cilës shfrytëzohet edhe nga politika, nuk do të thotë se shumica e turmës ka të drejtë dhe se të gjithë duhet të hyjmë në këtë rrjedhë që, në përgjithësi, nuk di se çfarë feston dhe se ku po përfundon. Pa ofenduar askënd për zgjedhjen e tij të lirë, nuk mud të heshtim pa thënë të vërtetën në lidhje me këtë festë pagane të gërshetuar me fetë natyraliste, animiste, panteiste.
Mendoj se është një moment për të folur më shumë për fenomenin e paganizmit, panteizmit ose neopanteizmit, që po shfaqet si kundërshim gjithnjë e më shumë në vendet me traditë shekullore të besimit monoteist (besimi në një Perëndi)
Paganizmi vjen nga latinishtja, paganus, “katundar, fshatar”, që vjen nga fjala pagus – fshat. Paganizmi është një emërtim që tregon një gamë të gjerë besimesh dhe ushtrimesh shpirtërore apo fetare të feve natyrore, si animizmi (besimi te kafshët) ose politeizmi (besimi në shumë perëndi), të kundërta me fetë monoteiste,abrahamiane.
Të gjithë kombet deri në kohën e Abrahamit, 2161 vjet para K., ishin paganë dhe kryenin rite e ceremoni pagane në adhurim të natyrës, kafshëve dhe njerëzve; ky adhurim shoqërohej me sakrifica, oferta ushqimesh, kafshësh, madje edhe njerëzish. Abrahami, që jetonte në Mesopotaminë e sipërme, ishte i pari i ndër njerëzit që besoi ndryshe nga kombet: ai, duke vënë në punë menidmin racional, kuptoi se “perëndi’ nuk mund të ishin idhujt (statujat) e bërë nga dora e njeriut, por Dikush që është përmbi njeriun dhe krijesën e gjithë universit; madje, duke parë rregullin e krijesës në qiell e në tokë, ai filloi të kuptojë se nuk mund të kishte shumë “perëndi”, siç besonin paganët politeistë, të cilët duke qënë vetë në konflikt me njëri-tjetrin, besonin se kishin konflikt edhe “perëniditë” e tyre. Perëndia Krijues (që me dëshirën dhe fuqinë e Tij solli në ekzistencë gjithë realitetin e dukshëm dhe të padukshëm, përveç vetes së Tij, që ekziston nga vetvetja), që është Transhendent (përmbi të gjitha gjërat, jashtë kohe e hapësire dhe plotësisht i veçantë nga universi dhe në asnjë mënyrë i ngatërruar me atë) dhe Imanent (që përshkon gjithë universin si i kudondodhur, ndonëse mbetet i veçuar prej krijimit në Qenien dhe esencën e Tij) i shfaqet Abrahamit; “Por Zoti i tha Abramit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës”(Zan. 12:1-3). “Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë” (Zan. 15:6).
Nëpërmjet Abrahamit u themelua në botë feja monoteiste (besimi në një Perëndi). Ai quhet ati i besimtarëve monoteistë dhe nderohet nga tri fetë monoteiste: Judaizmi, Krishterimi dhe Myslimanizmi. Nëpërmjet Abrahmit, Isakut dhe Jakovit (patriarkët e popullit të Izraelit) u formua populli jude, një popull që kishte për Perëndi Zotin e Abrahamit. Popullit të Izraelit nëpërmjet profetit Moisi, lindur më 1571 para K., iu dha Ligji me 10 porosi, të cilat ishin si gardh i fortë, që ndalonte judenjtë të përziheshin me kombet dhe praktikat e tyre pagane. Në porosinë e parë thuhet: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia” (Eks. 20:2-6). Zbatimi i kësaj porosie ishte i detyrueshëm dhe kusht për ekzistencën e popullit të Izraleit. Sa herë që Izraeli e harroi këtë porosi, ai u ndëshkua nga Zoti: “Prandaj kështu thotë Zoti: “Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e Kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë…se kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë” (Jer. 32:28-35).
Judaizmi monoteist e ngriti njeriun në një stad intelektual, duke e shkëputur nga adhurimi i krijesës së palogjikshme (gurët, drurët, kafshët) dhe e vuri në komunikim, nëpërmjet lutjes dhe ofertave, me Qenien e Gjithëdijshme të Perëndisë, që, si Krijues i çdo krijese, di në mënyrë të përsosur çdo mister të jetës, përfshirë këtu të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Kjo e bënte popullin e Izraleit një popull elitë, të ndryshëm dhe të dallueshëm nga kombet primitive pagane, madje judenjtë i shikonin kombet dhe praktikat e tyre me përbuzje dhe i quanin me nofkën “gojem”
Profetët i ironizonin “perënditë” e kota të kombeve, të cilat, të krahasuara me Zotin e Izraelit “Jahve” (Unë jam ai që jam), nuk ishin të zotët të përpinin holokaustet me zjarr hyjnor, të lajmëronin të ardhmen, të sillnin shpëtim; dhe kështu ato në të vërtetë nuk ekzistojnë, por janë prodhime të fabrikuara nga njeriu: “Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë. E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi. Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t’i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë. Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri i yt është i madh në fuqi” (Jer. 10:3-6).
Edhe Krishterimi i themeluar nga Krishti, Bir i Perëndisë – Bir i Njeriut, i Cili erdhi si përmbushje e ligjit dhe e profetëve, i ironizon perënditë pagane duke i quajtur pjellë e një fantazie të marrë. Apostull Pavli, në letrën drejtuar Romakëve, thotë për paganët: “Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve… që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amin” (Rom. 1:22-23…25).
Tertuliani, shkrimtar i krishterë (160-230 pas K.), tallej duke përmendur listën e pafund të perëndive që kishin shpikur paganët: “Madje dhe shtëpi publike, restorante dhe burgje kanë perënditë e tyre, në ditë festive kurora lulesh dhe degë dafinash dhe dyert ishin plot me idhuj paganë, madje edhe një e tështitur sillte reagimin plot besëtytni – “Jupiteri të bekoftë”.
Gjithë kësaj të vërtete biblike për kotësinë dhe marrëzinë e paganizmit dhe të ritualeve të tij i jep të drejtë edhe mendja intelektuale njerëzore, shkenca që u zhvillua veçanërisht në ato vende që mbështetnin besimin në një Perëndi të vetëm Krijues përkujdesës dhe Zot të gjithësisë, me idealet dhe përvojën fetare të Krishterimit. Është vërtetuar se personalitetet shkencore që zbuluan dhe i vunë në shërbim të njeriut ligjet fizike ishin njerëz fetarë monoteistë. Feja monoteiste dhe shkenca lëvizin në terrene të ndryshme përvoje, që u përgjigjen prirjeve të ndryshme të nevojave shpirtërore të njeriut. Ato jo vetëm që nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, por përkundrazi, përfaqësojnë dy funksione të çmuara të vetëdijes dhe të mendimit njerëzor, sipas aksiomës që thotë edhe shkencëtari i madh Ajnshtajni: “Shkenca pa fenë është e çalë dhe feja pa shkencën është e verbër”. Si feja monoteiste dhe shkenca kanë të njëjtin mendim se paganizmi i shoqëruar me idhujtarinë është i gabuar, i takon një periudhe të errët të padijes njerëzore dhe fyerjeje të dinjitetit njerëzor, i cili u krijua si ikonë e Perëndisë, jo që të sundohet dhe të kontrollohet nga krijimi dhe krijesa, por që me mençuri dhe vizion ta sundojë dhe ta përdorë atë në interesin e tij.
Por Shkrimi i Shenjtë (Bibla) na zbulon edhe diçka tepër serioze, që nuk duhet anashkaluar, se mbrapa gjithë kësaj marrëzie dhe shumëllojshmërie idhujsh dhe aktrimesh okulte qëndronte i fshehur regjisori, një frymë gënjeshtare që quhet “djall” ose, siç e cilëson Zoti Krisht, “babai i gënjeshtrës” (Joani 8:44). Te Torah-u (ligji) paganizmi shikohej dhe dënohej si një lidhje e drejtpërdrejtë me demonët. Populli i Izraelit, që infektohej nga ritet pagane, binte në një kurvëri shpirtërore dhe dënohej nga Perëndia. Sipas konceptit biblik, Zoti shikohej si burri dhe Izraeli si gruaja e Tij, në një lidhje martesore besnike. Profeti Osea thotë: “Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia i tyre. Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën” (Osea 4:12-13).
Edhe Dhiata e Re e shikon Zotin Jisu Krisht si Dhëndër dhe Kishën si Nusen e Tij ( Zbul 19;7-9), prandaj edhe apostujt e Krishtit tërheqin vëmendje me qortim për të krishterët që binin në praktika pagane: “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë. Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: ‘’Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë’’?” (Jak. 4:4-5). Apostull Pavli është më kategorik dhe flet më drejtpërdrejt kundër të krishterëve me dy standarte: “Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve. A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai?” (1 Kor. 10:21-22).
Krishterimi i cili u përhapur në të gjitha kombet, duke qenë i ndryshëm nga Judaizmi i konservuar në një popull dhe në një vend, pati përballje dhe sfida të shumta për jetë a vdekje me paganizmin shoqëror dhe shtetëror, derisa në krye të Perandorisë Roamke, që e shikonte Krishterimin si një rrezik dhe kërcënim për fenë e saj pagane, erdhi Konstandini i Madh (274-337 pas K.). Perandorët Konstandin në Perëndim dhe Licin në Lindje, përmes Ediktit të Milanos, shpallën: “se kemi vendosur të garantojmë respektimin e kultit hyjnor, t’u sigurojmë të krishterëve e gjithë të tjerëve që të ndjekin lirisht çdolloj forme besimi që t’u pëlqejë, me qëllim që çdo hyjni që banon në qiej të na ndihmojë ne e të gjithë ata që janë nën pushtetin tonë”.
Tertuliani tregon se si të krishterët përballeshin në jetën e përditshme së bashku me paganët. Ai thoshte: “Ne jetojmë bashkë me ju. Nuk braktisim as sheshin, as banjat publike (vaskat), as punishte, as bujtina, as tregun, as ndonjë vend tjetër tregtie. Ne lundrojmë bashkë me ju, luftojmë bashkë me ju, bëjmë bujqësi bashkë me ju, por nuk shkojmë në festat tuaja… Ne nuk i blejmë kurorat prej dafine, por blejmë lule, nuk blejmë temjan për tempujt, nuk u kontribuojmë tempujve, por japim më shumë lëmosha se ju, ne përmirsojmë biznesin, meqenëse nuk mashtrojmë”.
Goditjen përfundimtare paganizmi e mori nga perandori Theodhos (379-395 paK), i cili e deklaroi Krishterimin si fe të vetme të perandorisë dhe pas këtij vendimi njerëzit ishin gjithnjë e më pak të gatshëm ta thërrisnin veten e tyre “helen”( paganët grek), pasi kishte reputacion të keq, si tradhëti kundër shtetit dhe si paganizëm.
Gjithë kjo supremaci e doktrinës dhe moralit të krishterë kundër paganizmit vazhdoi të dominonte deri në shek.. XV, kur në Evropën Perëndimore u shfaq fryma e Rilindjes. Rilindje do të thoshte “rishfaqje” e filozofisë pagane që ishte zhytur dhe lënë në harresë prej shekujsh. Arkitektura, letërsia, filozofia dhe muzika e bënë të shpejtë rishfaqjen e frymës pagane. Rilindja riktheu në qendër njeriun sipas filozofëve Epikur (341 para K.) dhe Aristotel (384-322 para K.), që e kishin parë njeriun si autonom dhe të vetëmjaftueshëm. Ashtu kishte bërë edhe filozofi Protagora (490-421 para K.), i cili thoshte: “Njeriu është masa”. Gjithë tendenca e Rilindjes ishte që Zotin dhe moralin e krishterë t’i spostonte nga qendra e jetës shoqërore,duke ringjallur kulturë pagane. Gjatë Rilindjes u krijua fjala “humanizëm”, e cila nënkuptonte kujdesin për njeriun, mirëqenien, kënaqësinë dhe lirine e tij për të kuptuar, eksploruar dhe zhvilluar potencialin e tij të plotë brenda botës natyrore. Kjo frymë e papërmbajtur e Rilindjes bëri që natyralizmi, panteizmi, skepticizmi dhe filozofi të tjera pagane të dilnin sërish në sipërfaqe me një forcë të madhe. Kjo tendencë i dha frymëzim teorive të tjera si deizmi, e cila thotë se; “Perëndia vërtet ishte shkaku i parë, por nuk kishte marrëdhënie të vazhdushme me natyrën ose njeriun”. Mbas deizmit u shfaq racionalizmi, që hyjnizonte arsyen njerëzore si burimin e vetëm të njeriut për të përfituar njohuri, si dhe mjetin e tij të vetëm për mbijetesë. Racionalizmi e futi botën perëndimore në epokën e njohur si Iluminizmi ose “epoka e arsyes”, që do të dominonte deri në shek. XVIII. Në këtë shekull dhe më pas, tendenca për të mohuar ekzistencën e Perëndisë Transhendent, u legjitimua edhe nga “Teoria e Evolucionit” e Çarls Darvinit (1809-1882) dhe kjo solli ateizmin, një mohim i hapur dhe arrogant ndaj Zotit-Krijues dhe çdo ligji e morali fetar, sidomos atij të krishterë. Ateizmi solli komunizmin, i cili anuloi me forcë çdo fe e moral, duke e quajtur “fenë opium për popujt”. Por Teoria e Evolucionit mbeti utopi dhe ateizmi, edhe pse i ndihmuar nga komunizmi, dështoi në ato vende ku u implementua me forcë si regjim shtetëror, sepse njeriu duke qenë një qenie psiko-somatike e kërkon Zotin, ashtu siç thoshte Volteri (1694-1778): “Në qoftë se Zoti nuk do të ekzistonte, ne do ta krijonim atë”. Atëherë, mënyra më efikase për ta shmangur njeriun nga Perëndia (Transhendent dhe Imanent) është rishfaqja e paganizmit dhe panteizmit.
Panteizmi, si fjalë vjen nga greqishtja dhe do të thotë Pan (gjithë) dhe Theos (Perëndi), u shpik si term në vitin 1705 nga studiuesi irlandez Joan Toland, i cili e përdori për sistemet filozofike që identifikonin Perëndinë me botën. Ai thoshte: “Perëndia është mendja dhe shpirti i univerisit”. Koncepti panteist “Perëndia është gjithçka dhe gjithçka është perëndi”, pavarëisht se duket si koncept fetar monist, ai në vetvete është formë ateizmi, sepse Perëndia pushon së qeni një Qenie personale me ligj dhe moral, por thjesht është një energji e përhapur dhe e njësuar me natyrën. Panteizmi, i cili e ka origjinën e tij në paganizmin e lashtë dhe që është mbartur deri në ditët tona nga fetë lindore si budizmi, induizmi,sufizmi, teozofia etj, bëhet gjithnjë e më i fortë dhe po gjen një terren te turmat e njerëzve në lëvizjen e “Epokës së Re”, të globalizmit dhe të sinkretizmit fetar (bashkimi i gjithë feve në një fe të re botërore).
Panteizmi është një fe pagane që e çon njeriun asgjëkundi, që e drejton njeriun drejt kaosit me konceptet e tij se “Perëndia dhe universi janë një”. Kështu, liria njerëzore nuk ekziston, sepse ne nuk jemi gjë tjetër, veçse pika uji në një oqean kozmik pa individualitet dhe identitet personal, pa parime etike dhe dimension moral, ku nuk mund të dallojmë dot të keqen nga e mira dhe të mirën nga e keqja. Asgjë që po ndodh rreth nesh nuk është rastësi; “babai i gënjeshtrës”, që gënjeu brezat e paganëve, përsëri me të njëjtin skenar po mashtron edhe brezin e sotëm, që cilësohet si “i pabesë dhe i prishur” (Luk 9:41). Grupet që përbëjne mozaikun e “kohës së re” sipas Yllësisë së Ujorit, domethënë se toka sipas tyre ka dalë nga zona zodiake e Peshkut, që i pëkiste kohës të Krishterimit, tashmë ka hyrë në zonën e Ujorit që inaguron “kohën e re”. Sipas koncepteve filozofike të “kohës së re” por në të vërtet janë filozofi të vjetra pagane, Perëndia është një forcë e verbër pa lëndë, një energji botërore, një mbindërgjegjshëmri dhe jo qenie personale ose shoqëri personash, siç besojmë ne të krishterët në; Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë,një Perëndi. Idhulli botëror i kohës së re është panteistik, bashkim i gjithë feve. Pohuesit e kohës së re predikojnë duke thënë se të gjitha janë një dhe se gjithë bota është si një copë e esencës së Perëndisë jo personal. Të gjithë gjenden në një udhëtim unik, zhvillues, rrethor brenda gjendjes së mineralit, bimës, kafshës dhe njeriut dhe botës që në fillimin e lashtë themelor. Të gjithë në këtë udhëtim janë të paracaktuar nga e ashtuquajtura lidhja me fatin. Njerëzimi gjithnjë e më shumë po bëhet fatalist, një numër shumëshifror. Njerëzit po jepen pas shërbesave okulte, panteiste, si psh; joga, apokrifizmi, hipnotizimi, spirtizmi, magjia e bardhë dhe e zezë, rikarnacioni (rimëshërimi), mjekësia alternative, e cila bazohet në besimin apokrif për ekzistencën e energjive dhe qendrave energjike te njeriu.
Këto të gjitha në vetvete, janë praktika demoniake, që Krishterimi dhe Kisha i luftuan pa kompromis te paganët, por që po rishfaqen përsëri, sepse djalli “njerivrasës që nga fillimi”(Joan 8; 44) e ka një plan ogurzi, për ti larguar njerëzit nga Perëndia i dashurise dhe i të vërtetës,ti këthej atë në një turmë pa bari, pa Zotin, ta kontrolloj botën me anë të një njeriu dhe feje të përbotshme të gënjeshtër. Ky njeri quhet dhe “antikrishti”, i cili do të vijë për të provuar besimin dhe moralin njerëzve, para se të shfaqet Zoti Jisu Krisht për herë të dytë, si Gjykatës me drejtësi. Këtë na e thotë qartë apostull Pavli: “Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes”(2 Thesal. 2:3). “Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar. E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!” (2 Thesal. 2:9-12).
Prandaj besimtarët monoteistë dhe në veçanti të krishterët, nuk duhet të marrin pjesë në ditë dhe rituale pagane panteiste, ashtu siç thotë qartë Shkrimi i Shenjtë: “Prandaj dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm” (2 Kor. 6:17-18). “Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi. Por ne dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme. Djema, ruani veten nga idhujt” (1 Joani 5:19-21).
Nga Miron Çako