Prej disa vitesh, përkatësisht që prej ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011, në heshtje është zhvilluar një betejë e egër gjyqësore, nga një prej emrave më të përfolur të 21 janarit dhe një nga familjarët e 4 të vrarëve atë ditë. Bëhet fjalë për Fatos Skejën, personazhin famëkeq të Gardës së Republikës, i cili pak ditë pas vrasjes shkoi në familjen e Hekuran Dedës, e i kërkoi të prisnin Sali Berishën në shtëpi, duke i ofruar një shumë të madhe parash dhe emrin e njeriut që sipas tij ka shtënë mbi dëshmorin e 21 janarit.
Fatos Skeja, në vitin 2013, ka hedhur në gjyq, Hilmi Dedën, vëllain e Hekuran Dedës, ku i ka kërkuar një shumë parash si dëmshpërblim për prishje imazhi, kur Hilmi Deda foli për vizitën e Skejës në familjen Deda. Dhe ky gjyq është një odise më vete që ka zgjatur fiks 10 vjet, ku më në fund, shkalla më e lartë e gjyqësorit i ka dhënë të drejtë vëllait të Hekuran Dedës.
Në vitin 2014, një gjykatës i shkallës së parë në Tiranë, ka marrë një vendim, i cili detyronte Hilmi Dedën të përbënjeshtronte deklaratën e tij mbi implikimin e Sali Berishës për të blerë gjakun e vëllait. Por Hilmi Deda nuk e ka pranuar këtë vendim dhe e ka ankimuar menjëherë. Ndërkaq, Hilmi Deda ka paraqitur në vitin 2021 një padi në prokurori ndaj gardisit të familjes Berisha, Fatos Skeja për veprat penale të “Mos kallëzimit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës të parashikuara nga nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal.”
Ndërkaq, gjykata e Apelit, po në vitin 2014, rrëzon vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke mos i dhënë të drejtë Fatos Skejës për këtë çështje, pasi thekson se i takon gardistit të familjes Berisha që të sjellë prova ku të vërtetoheet se Hilmi Deda nuk thotë të vërtetën në intervistën e tij të vitit 2012, ku akuzon Skejën se i ka ofruar para për të mos akuzuar qeverinë.
Ndërkaq, menjëherë, gardisti ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar vendimin e Apelit. Vendimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë është marrë më 8 nëntor të vitit 2022, ku lihet në fuqi vendimi i Apelit. “Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja, nuk përmbajnë asnjërin nga rastet e parashikuara në ligj, prandaj si i tillë ato nuk duhet të pranohen.
Nga shqyrtimi i çështjes në dhomën e këshillimit rezulton se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja, janë bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikohen në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, pasi gjykatat më të ulëta e kanë respektuar ligjin material, duke e interpretuar dhe zbatuar drejtë atë. Vendimet e tyre nuk janë në kundërshtim me ndonjë vendim të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në dhomën e këshillimit, Kolegji arrin në konkluzionin se, rekurset e paraqitura nga pala paditëse Fatos Skeja janë të pabazuar në ligj, prandaj si rrjedhojë ato nuk duhet të pranohen”, theksohet në vendimin e Kolegjit Civil të Gjtkatës së Lartë./TemA