Ka nisur këtë të premte, 3 prill, seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative lidhur me padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado. Më konkretisht, për pavlefshmërinë e dekretit të vitit 2008 të presidentit të Republikës së asaj kohe (Bamir Topi), për emërimin e prokurorit Dado.
Në sallë nuk është i pranishëm Dado, por avokati i tij, Erarbër Madhi. Ndryshe nga gjyqi që u zhvillua në GJKKO, te kjo seancë është prezent Erion Veliaj dhe avokati i tij, Plarent Ndreca.
Presidenca përfaqësohet nga Sara Bërdullima, ndërsa përfaqësuese e KLP-së është Danja Hobdari. Ndërkohë, mungon avokatura e shtetit. Mësohet se pala paditëse ka theksuar se dëshiron të vijojë gjykimin edhe pa praninë e avokaturës së shtetit, kërkesë që është pranuar nga togat e zeza. Kjo seancë është përgatitore për palët ku do të diskutohen argumentet, më pas do të përcaktohet nëse do të sjellin provat.
Detaje nga diskutimet në sallë
Avokati Ndreca kërkoi që gjykata të konstatojë pavlefshmërinë e dekretit të presidentit të vitit 2008 për mandatin e prokurorit Olsi Dado, duke theksuar se nuk ka probleme kompetence ose juridiksionale, por që akti ka pasoja direkte mbi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ai argumentoi se Dado nuk plotësonte kriteret ligjore për të qenë prokuror, pasi nuk kishte përvojën e kërkuar si magjistrat, pedagog ose këshilltar ligjor, dhe për këtë arsye gjykata është kompetente për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Ndreca theksoi se pavlefshmëria absolute e aktit mund të kërkohet nga çdo institucion, duke shtuar se nëse Dado nuk do të kishte qenë prokuror i Republikës, arrestimi i kryetarit të bashkisë nuk do të kishte ndodhur.
Gjykata ngriti pyetje mbi lidhjen mes interesave të palëve dhe aktit administrativ, ndërsa Presidenca dorëzoi praktika të arkivuara, të cilat do të shqyrtohen së bashku me argumentet e palëve në gjykatë.
“Unë nuk jam këtu për hakmarrje, as për dramën e familjes time dhe për atë që i ka shkaktuar ai familjes sime. Jam këtu për të treguar çfarë i ka shkaktuar kjo Bashkisë së Tiranës. Kur shoh njerëz që nuk kanë mbaruar magjistraturën dhe arrestojnë qytetarë. Jam i vetmi njeri që jam arrestuar nga dikush që nuk ekziston. Nesti Angoni nuk ekziston“, mësohet se ka deklaruar kryebashkiaku Veliaj.
“Unë jam kallëzuar për inceneratorët, dje fitova gjyqin për shpifje, me italianin. Kam frikë se e gjitha kjo është një intrigë. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj në punën e vet? Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi, është i vetmi rast që afati 2 javor për të regjistruar një procedim nuk ështe regjistruar pas 7 muajsh, kur afati është 15 ditor. Kërcitën shumë gjëra në këtë proces.
Kjo s’ka lidhje me SPAK apo me reformën në drejtësi. 7 muaj regjistrim procedimi dhe me pas 1 vit tjetër regjistimi i emrit tim. Më është bërë një vetting i jetes sime. Më është hetuar jeta…“, ka shtuar ai.











