Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, thotë se partia e tij nuk e ka pritur humbjen në zgjedhjet e fundit. Ai thotë se kjo qeveri duhet të hyjë në Libër të Guinnessit për shkak të numrit të madh të ministrave e zëvendësministrave. Pacolli ka thënë se ai dëshiron “të jetë pjesë e problemeve”, në mënyrë që të marr pjesë edhe në zgjidhjen e tyre. “E ndiej shpirtërisht se duhet të jem pjesë e problemeve. Unë çdo ditë shkruaj dhe mundohem të lëshoj një informatë me shpresë që dikush do ta analizojë në mënyrë të drejtë. Mundohem që me ato mjete që posedoj, pra me rrjete sociale, keni një mori shkrimesh ku e trajtoj nga një problem”, ka thënë Pacolli në televizionin publik. Pacolli ka thënë se në Kosovë nuk po ndodhë as punësim as rritje ekonomike. Ai thotë se kjo qeveri nuk ka asnjë projekt dhe se të gjitha projektet i ka të qeverisë së kaluar.
“Në Kosovë nuk ka rritje ekonomike, nuk ka rritje të punësimit. Ne jemi duke shkuar mbrapa. Edhe një herë po them se me krejt çka lavdërohet kjo qeveri, janë të gjitha projekte të qeverisë së shkuar”, ka thën Pacolli.









