Ndërgjegjësimi i qytetarëve duket se është zero. Dy orët e vendosura nga qeveria për të lëvizur të cilat përkojnë me oraret kur njerëzit shkojnë dhe kthehen nga puna,shumë qytetarë i kanë shfrytëzuar si orë pushimi apo xhiroje. Në këto dy orare, sheshet, bulevardet janë plot, me qytetarë që lëvizin pa maska, pa doreza dhe mbi të gjitha grupe-grupe, duke u shndërruar në një rrezik shumë serioz për përhapjen e koronavirusit.
Edhe pse është orari i lejuar për të qarkulluar, 06:00 -10:00 kur këmbësorët mund të dalin nga shtëpia për të bërë pazaret me ushqime, në farmaci apo për nevoja të tjera personale, ajo që ende nuk kanë kuptuar është se duhet të dalin të vetëm, të ruajnë distancën nga personat e tjerë, të kenë maskë dhe doreza.
Pavarësisht masave ndëshkimore të vendosura gjoba për këmbësorët që shkojnë në 10 mijë lekë, as kjo nuk i ka trembur këto qytetarë të “papërgjegjshëm” që të qëndrojnë në shtëpi për të mirën e tyre, familjes, e për rrjedhojë dhe të gjithë shoqërisë.
Qytetarët korçarë në masë kanë respektuar oraret përgjatë të cilave kufizohet lëvizja e tyre, ndërkohë orët e lejuara të lëvizjes i shfrytëzojnë kryesisht për blerje ushqimesh apo barnash. Por duket se ka dhe nga ata që orët e “liridaljes” i keqshfrytëzojnë, raporton shqiptarja.com.
Grupe prej 3 apo 4 personash pa respektuar distancën nga njëri-tjetri i shfrytëzojnë këto orare për të shëtitur në rrugët e qytetit.
Ndërsa në Durrës, krah për krah me njëri-tjetrin, në grumbullime njerëzish, pa respektuar asnjë distancë dhe masë mbrojtëse për të dalë me masë e doreza, qytetarët e kanë nisur ditën vonë.
Janë zgjuar rreth orës 09:00 kur janë parë edhe lëvizjet nëpër rrugë, dhe janë përqendruar nëpër dyqane për të blerë fruta e perime dhe ushqime. Dyqanet hapen rreth orës 06:30, ku qytetarët kanë kohë deri në orën 10:00 të paradites për të bërë blerjet.
Edhe në Berati dhe Lushnja nuk janë zbatuar rregullat pasi sheshet dhe bulevardet janë plot më njerëz në fashën e orarit që lejohet deri në orën 10:00.
Njërëzit nuk i kanë ndalur xhirot në sheshe apo bulevarde, që e kanë marrë këto ditë si pushim dhe relaksim. Ndërgjegjësimi i njerëzve vijon sërish të mbetet zero, pavarësisht masave të marra dhe ndëshkimet që parashikohen.
g.kosovari