• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Opozita serbe, alarm për bazën e re ruse

by Aalison Pearse Stevens
20/06/2016 08:31
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ojan Pajtiç, kryetari i Partisë Demokratike, partisë më të madhe serbe të opozitës, i ka dërguar një letër Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilën i shpreh shqetësimin e tij dhe të partisë së tij për njoftimet që një bazë ushtarake ruse do të ndërtohet në Serbi, në Zrenjanin, afër aeroportit “Ecka”. Letra e kryetarit të opozitës serbe, e publikuar nga agjencia serioze “B92”, në datën 17 qershor, i tërheq vëmendjen kryeministrit: “Ju e dini se sa shqetësim ka krijuar për vendin tonë Qendra Humanitare ruso-serbe në Nish, bashkë me paradën ushtarake komplet të panevojshme me ushtrinë ruse dhe një seri manovrash të përbashkëta me të, në një kohë kur BE-ja ndërmori sanksione kundër Rusisë për pjesëmarrjen e saj në konfliktin e armatosur në Ukrainë”. Kryetari i Partisë Demokratike konkludon në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Serbisë se “ideja e ndërtimit të bazave ushtarake ruse në Serbi është në vetvete një shkak për alarm”. Alarmi që ngre kryetari i opozitës serbe është një alarm, që ka përmbajtje dhe nxitje për reflektim të madh.

Ai i drejtohet jo vetëm opinionit publik serb, por ai është dhe duhet marrë si një alarm për opinionin publik rajonal, për qeveritë dhe për diplomacitë e vendeve të rajonit, për NATO-n dhe për BE-në. Meriton vlerësim akti i kryetarit të opozitës serbe kundër bazave ushtarake ruse në Serbi. Ai tregon se në shoqërinë serbe, në mesin e forcave intelektuale dhe politike serbe, po rriten zërat dhe forcat, që kundërshtojnë politikën e verbër zyrtare të satelizimit të Serbisë te Rusia. Ai tregon se ka ardhur momenti i së vërtetës, kur Serbia duhet të bëjë zgjedhjen përfundimtare strategjike të saj për lidhjen me BE-në dhe me familjen europiane. Teoritë zyrtare bizantine të Beogradit të aleancës edhe me BE-në, edhe me Rusinë, apo të mbështetjes së politikës së jashtme serbe në platformat virtuale të katër shtyllave apo katër horizonteve, po komprometohen si alibi për të mos ndjekur rrugën europiane. Brenda spektrit politik serb ka forca realiste, që po ndërgjegjësohen se nuk mund të hyhet në BE duke ndërtuar në Serbi baza ushtarake ruse. Koha e zgjedhur për planifikimin e ndërtimit të një baze të re ushtarake ruse nuk është e rastit.

Ajo vjen pas kërcënimeve të njëpasnjëshme të Moskës për të ndërmarrë të ashtuquajturat masa adekuate përgjigjeje ushtarake ndaj NATOs, pas dy hapave të aleancës atlantike në rajonin tonë, pranimit të Malit të Zi në NATO dhe vendosjes së sistemit të mburojës atlantike antiraketë në territorin e shtetit anëtar të NATO-s, Rumani. As Mali i Zi dhe as Rumania nuk janë në kufijtë e Rusisë. Anëtarësimi atlantik i Malit të Zi dhe mburoja atlantike antiraketë në Rumani janë akte sovrane të shteteve përkatëse, janë zhvillim i brendshëm dhe angazhim i brendshëm i aleancës atlantike. Zhurma ruse për dinamikën e veprimeve të NATO-s është thjesht një alibi për të justifikuar shkallëzimin e veprimtarisë dhe të pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Ballkanit. Serbia, si aleati kryesor strategjik i Rusisë në rajon, po shndërrohet në plasdarmin kryesor të planeve dhe të strategjisë ushtarake të Rusisë në Ballkan dhe në kontinentin europian. Rusia e ka ndërtuar tashmë një bazë ushtarake në Serbi në qytetin e Nishit dhe “Gazeta Shqiptare” ka pasur angazhimin profesional që të tërheqë vëmendjen e opinionit dhe të qeverisë shqiptare për atë bazë, qysh në fillimin e ndërtimit të saj në vitin 2009 dhe deri në inaugurimin e saj në vitin 2011.

Baza e re e Zrenjaninit do të jetë baza e dytë ushtarake e Rusisë në territorin e Serbisë dhe të Ballkanit. Po të llogarisim edhe planin e shpallur në janar të këtij viti nga zëvendëskryeministri rus, D. Rogozin, gjatë vizitës së tij në Beograd, se Moska planifikon të ndërtojë një bazë ajrore të dimensionit ndërkombëtar dhe rajonal për riparimin e helikopterëve ushtarake, numri i bazave ushtarake ruse në Serbi do të shkonte në tre. Është pa dyshim një zhvillim negativ në planin strategjik, që prish raportet e forcës në rajon dhe krijon premisat për acarime dhe tensione tepër të rrezikshme rajonale. Për të maskuar disi planet për ndërtimin e kësaj baze të re ushtarake, autoritetet zyrtare serbe dhe ruse po e paraqesin si një shtesë apo zgjerim të bazës ekzistuese ruse në Nish, që duhet gjoja për stërvitjen e njësive të emergjencave, të dislokuara në Nish. Vështirë të besohet se stërvitja e njësive nuk bëhet dot në bazën e Nishit, por u dashka të krijohet një bazë e re ushtarake, e cila ndodhet 305 kilometra larg Nishit. Në të vërtetë, baza e Zrenjaninit do të jetë një bazë e re ruse dhe lidhja e saj e vetme me bazën ekzistuese ruse të Nishit është se do të jenë forcat ushtarake ruse, që do ta menaxhojnë edhe bazën e Zrenjaninit, sikurse drejtojnë bazën e Nishit. Nën titullin “Bazë e re ruse në Serbi”, gazeta serbe “Blic” njoftonte në 15 qershor se “ka plane që aerodromi ‘Ecka’, pranë Zrenjaninit, të bëhet bazë tjetër ushtarake ruse në Serbi, përveç qendrës së Nishit”. Pra gazeta serbe e përcakton qartë se bëhet fjalë për një bazë tjetër ushtarake ruse në Serbi. Dhe, që ka një nxitim për ta konkretizuar atë bazë, dëshmon edhe fakti se përfaqësuesit ushtarakë rusë kanë zhvilluar vizitat përkatëse njohëse në aeroportin e “Ecka-s”.

Çështja themelore është reflektimi për këto zhvillime të rrezikshme në rajonin tonë dhe se alarmi i drejtë i opozitës serbe duhet të bëhet alarm i Ballkanit, i BE-së dhe i NATO-s, për këtë rol të ri ushtarak të Serbisë në funksion të planeve dhe të strategjisë ushtarake ruse në rajonin e Ballkanit dhe në kontinentin europian. Bazat ushtarake ruse nuk duket se janë planifikuar rastësisht, njëra pranë Bullgarisë, dhe tjetra, kjo e Zrenjaninit, pranë kufirit me Rumaninë, pra ngjitur me dy shtete anëtare të NATO-s. Kjo do të thotë që forcat ushtarake ruse dhe prania ushtarake ruse planifikohet të dislokohen drejtpërdrejt në kufijtë e shteteve të NATO-s nga territori serb. Serbia kufizohet me gjashtë shtete të NATO-s, dhe kjo do të thotë se forcat ruse dhe kërcënimi rus po dislokohen në kufijtë e gjithë këtyre shteteve të NATOs në rajonin e Ballkanit dhe në Europën Qendrore. Një zhvillim i tillë evidenton politikën me dy faqe, që po ndjek qeveria serbe e kryeministrit Aleksandër Vuçiç, që udhëheq një shtet, i cili është kandidat i BEsë dhe ka filluar bisedimet e pranimit me BE-në. Vështirë të besohet se përputhet me statusin e shtetit kandidat të BE-së politika e ndërtimit të bazave ushtarake ruse njëra pas tjetrës në territorin e atij shteti.

Kapitulli 31 i Traktatit të Pranimit në BE ka të bëjë me çështjet e sigurisë dhe nuk është e qartë se si BE-ja mund të hapë këtë kapitull, kur Serbia e ka një bazë ushtarake ruse dhe po planifikon të lejojë edhe një bazë tjetër ushtarake ruse në territorin e saj. Brukseli i ka toleruar Beogradit politikën e refuzimit të sanksioneve europiane ndaj Rusisë, dhe kjo tolerancë as është shpjeguar sa duhet dhe as është kuptuar përse ndodh. Tingëllon ironike që njoftimet për planifikimin e ndërtimit të një baze të re ushtarake ruse në territorin e Serbisë u dhanë pas vendimit të BEsë për të zgjatur edhe një vit sanksionet ekonomike ndaj Rusisë. Baza e re ushtarake ruse në Serbi nuk është vetëm sfidë e Moskës ndaj BE-së, por edhe sfidë e Beogradit ndaj BE-së. Mendoj se në Bruksel nuk duhet të jetë parë me kënaqësi fakti që kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, sapo fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 24 prillit dhe mori mandatin e kryetarit të qeverisë, ende pa krijuar qeverinë, fluturoi në Moskë dhe zhvilloi një takim të papritur me presidentin rus Vladimir Putin. Pra vizitën e tij të parë si kryeministër, ende pa formuar qeverinë, ai e bën në Moskë dhe jo në Bruksel, dhe tërheq vëmendjen se ai nuk është homologu i presidentit rus, që të shkonte për takim me të.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se dy janë çështjet kryesore, për të cilat Vuçiç u thirr në Moskë nga presidenti rus. E para është ndërtimi i kabinetit të ri qeveritar të Serbisë me emrat, që i preferon Moska, dhe çështja e dytë ishte ajo e bazës së re ushtarake ruse në Serbi. Dyshimet për takimin e papritur të kryeministrit serb me presidentin Putin ia shpreh Vuçiçit edhe kryetari i opozitës serbe në letrën e tij, ku shkruan ndër të tjera, se pas këtij takimi në Moskë, mediat e kontrolluara nga Vuçiçi nisën një fushatë të pandërprerë kundër BE-së dhe SHBA-ve. Zgjerimi i dispozitivit ushtarak rus në Serbi është motiv për shqetësim dhe analiza rajonale dhe europiane. Serbia po flak hapur doktrinën e saj të të ashtuquajturit ‘neutralitet ushtarak’ dhe po bashkohet ushtarakisht me Rusinë, dhe për më tepër po lejon shndërrimin e vendit në një plasdarm të pranisë dhe të veprimtarisë ushtarake ruse në rajonin tonë. Ky dispozitiv ushtarak rus në Ballkan është instrument i një politike dhe diplomacie të forcës nga ana e Moskës.

Nuk është rastësi që konstatohet aktualisht një aktivizim agresiv dhe një ndërhyrje më e madhe e ambasadave ruse në punët e brendshme të vendeve të rajonit, duke u kërkuar publikisht Ministrive të Jashtme të këtyre vendeve nënshtrimin ndaj qëllimeve dhe veprimtarive të dyshimta ruse në rajon. Alarmi që ngre opozita serbe për një bazë të re ushtarake ruse në Serbi është një shqetësim i drejtë, në dobi të stabilitetit dhe të paqes në rajon dhe në Europë. Rusia po rrit tensionet në Ballkan dhe jo rastësisht shohim njëkohshmërinë dhe inxhinieringun e jashtëm të krizave dhe të konflikteve politike e sociale në disa shtete ballkanike. Është koha kur shtetet e rajonit duhet t’i bashkohen shqetësimit të opozitës serbe për këtë rrezik të jashtëm, dhe BE-ja e NATO të ndërgjegjësohen akoma më shumë për format konkrete, që po marrin kërcënimet ruse në rajonin tonë.

Shaban Murati/BW/d.i.

Next Post

Shtypi i huaj: Bota njeh Shqipërinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Listat e kandidatëve/ Minxhozi: Zgjedhjet janë edhe një lloj ‘vettingu’, s’janë thjesht akt i hedhjes së votës

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

December 18, 2025
Fëmijët tanë nuk lindin me thikë në dorë

Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)

December 18, 2025
I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

December 18, 2025
Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

December 18, 2025
Ankimimi në GJK për pezullimin e Ballukut/ Rama: S’dua t’i hyj dokrrave për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore! Duhet të jesh krejt i verbuar nga..

A ke menduar të ikësh? Rama përgjigjet troç: Ja kush është misioni im

December 18, 2025
“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

December 18, 2025
“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

December 18, 2025
Berisha fton Ramën në debat dhe u bën mediave skenarin: Vendosni dy karrige dhe pastaj…

“Mishëron rrezatimin negativ”, Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

December 18, 2025
1640593911_basharama1

Marrëveshja e 17 Majit, Rama zbulon për herë të parë: Bashën e mora në Elbasan! Berisha e bekoi 100%

December 18, 2025
Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

December 18, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In