Opozita e vendosur për të mos u tërhequr pas. Pas takimit me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, liderët e opozitës njoftuan përmes një komunikate qëndrimin që mbajtën para saj rreth çështjeve për të cilat biseduan.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, takuan sot presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ky takim ishte ftuar nga Presidentja.
Tre kryetarët e subjekteve politike ia paraqitën Presidentes kërkesat e opozitës për tërheqje nga marrëveshjet me Serbinë dhe nga ajo për demarkacionin me Malin e Zi, si kërkesa të cilat nuk kanë kompromis e as që janë të diskutueshme.