Nga Mero Baze
Reforma territoriale në Shqipëri është e domosdoshme. Reforma e vitit 2014, e cila planifikonte të kishte 47 bashki, i çoi pa ndonjë kriter të arsyetuar në 61 bashki në minutat e fundit, meqë iu bashkua dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe meqë Idrizit i duhej të justifikonte votën duke dhënë dhe ai mendimin e tij.
Arsyetimi kryesor përse u propozuan 47 bashki, ishte menaxhimi i pamundur i një sërë komunash dhe bashkish, mungesa e burimeve njerëzore dhe kostot e larta administrative. Të gjitha qëndrojnë, por reforma u kufizua nga mungesa e një shumice kushtetuese për ta bërë atë të plotë, për të ndryshuar ndarjen e Shqipërisë në 12 qarqe, dhe për t’i bërë ato katër ose gjashtë, si dhe për të tejkaluar disa artifica në formimin e qarqeve aktuale.
Në atë kohë Partia Demokratike refuzoi pa asnjë llogjikë të bashkëpunonte, vetëm me idenë se donte të dukej që ishte opozitë jo bashkëpunuese. Pastaj vite më vonë sa herë donin të sulmonin Lulzim Bashën, ia numëronin dhe këtë si gabim.
Tani ka ardhur koha që jo vetëm realisht por dhe formalisht kryetar i PD është Sali Berisha, ai që e pengoi më 2014 pjesëmarrjen e PD në reformën territoriale. Dhe ai po e kundërshton përsëri pa llogjikë politike.
Politikisht PD nuk i duhet më askujt për këtë reformë, pasi shumica ka mbi 84 vota dhe e bën atë vetë. Por kjo është një reformë që do t’i shërbejë vendit për një kohë të gjatë dhe e mira do të ishte që PD të përfshihej jo me të lutur, por me dëshirën e saj për ta ndryshuar këtë realitet, edhe pse gjithnjë e më shumë, ajo i ka një shofëror numrat e bashkive që fiton.
Zvogëlimi i mëtejshëm i numrit të bashkive duke e barazuar atë me numrin e rretheve në ndarjen e vjetër administrative të Shqipërisë është një operacion logjik. PD nuk e di pse kapet kot dhe e quan skandal që Edi Rama kërkon të bëjë 30 bashki. Në fakt dhe më poshtë se 30 do të ishte më mirë.
PD ka përpara një fushë beteje më të rëndësishme sesa numri i bashkive. Ajo duhet t’i bashkëngjitet këtij procesi me flamurin e decentralizimit të bashkive dhe jo me flamurin e numrave të bashkive. Numrat janë njësoj për të gjithë, kompetencat e bashkive bëjnë dallimin mes grumbullimit të pushtetit në duart e qeverisë qendrore.
Opozita duhet të luftojë për më shumë pushtet lokal dhe jo për më shumë bashki. Pra, Berisha duhet t’i heqë Ramës nga duart kompetencat e tepërta mbi bashkitë dhe jo numrat e bashkive. Ato nuk i hyjnë në punë as Ramës, as Berishës.
Të mbash fjala vjen Bashkinë e Libohovës me një gjysmë fshati dhe disa fshatra të braktisur të Zagorisë, je duke mbajtur në këmbë një institucion që do më shumë njerëz në zyra sesa ka banorë përreth. Të mbash bashki si Selenica, Konispoli apo Hasi më vete, është marrëzi pasi je duke mbajtur në këmbë një ndërtesë e cila do zyra juridike, urbanistike dhe shërbime, me aq punonjës, sa nuk gjen në ato territore.
Por nga ana tjetër, bashkitë në Shqipëri janë institucione të vdekura financiare për shkak të mungesës së decentralizimit, mungesës së pavarësisë së tyre financiare dhe kompetencave në administrimin e territorit.
PD si parti e djathtë, meqë vazhdon vetëquhet e tillë, duhet të bëjë pikërisht decentralizimin kauzë beteje dhe jo organizimin territorial. Ai është formalitet burokratik. Bashkitë e Shqipërisë sot janë pa asnjë kompetencë. Shërbimet bazike të bashkive si uji, dritat apo plehrat janë kompetencë e qeverisë qendrore. Taksat e bizneseve që zhvillohen në territor i merr qeveria qendrore. Biznesi i vogël që mund të marrë taksa bashkia, është pa taksë fare. Të vetmet taksa që mbledh bashkia janë taksa e pronës, dhe në ato zona ku ka turizëm, edhe taksa e qytetit në hotele, e cila ka shumë informalitet.
Praktikisht bashkitë janë kthyer në njësi të financuara nga qeveria qendrore. Madje tani as leje ndërtimi nuk japin dot më, pasi duhet të aplikojnë në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit në Tiranë. Ata kanë kompetencë të japin leje për kotecë pulash ose stalla lopësh, por jo për sipwrfaqe të mëdha.
Nga ana tjetër, arsimi, shëndetësia dhe industria në zonë komandohen po ashtu nga qeveria qendrore. Bashkitë kanë detyrë vetëm të mirëmbajnë shkollat dhe qendrat shëndetësore, por jo të kenë fuqi mbi kuadrin dhe efikasitetin e tyre.
Në këtë prizëm, opozita ka përballë një shans të mirë të kushtëzojë qeverinë për përfshirje në një reformë të thellë, deri te prekja e Kushtetutës për organizimin territorial të ri të vendit, duke e kushtëzuar atë me një gjë thelbësore dhe jo me broçkulla të tipit “të jetë OSBE mbikëqyrëse” apo “Autoriteti i Këshillit të Evropës”. OSBE është një OJQ gjithnjë e më pak me rëndësi në Shqipëri, falë dhe betejave që ka pasur me PD, ndërsa Autoriteti i Pushtetit Lokal në Këshillin e Evropës mund të jetë aleat i mirë në decentralizimin e pushtetit lokal, por jo në idetë territoriale.
Ndaj, nëse opozita duhet ta marrë seriozisht këtë problem, duhet ta kushtëzojë me gjëra serioze. Për të larë gjynahun s’ka nevojë, se Edi Rama i ka 87 vota dhe po t’i duhen edhe 94. Puna është të lindte ndonjë gjurmë dhe opozita në këtë vend, përveç gjurmëve të molotovit.











