Kuvendi ka nisur menjëherë me debate, teksa fjalën e ka marrë ish Kryeministri Sali Berisha, i cili ka patur një kërkesë të vetme, largimin e atyre që ai quan “kusarë”. Teksa fliste, Berisha debatoi edhe me deputetin Taulant Balla, pas akuzave që ish kryeministri adresoi kundër nënkryetares së kuvendit Valentina Leskaj.
“Unë e konsideroj kryesmini e seancës nga ju madam lokomotiva, një sfidë të hapur që ju i bëni qytetarëve të vendit, transparencës dhe ekzistencës së këtij shteti. Nuk ka cinizëm më ekstrem, sesa që ju, që keni marrë për djalin tuaj hekurudhën dhe lokomotivën, të kryesoni tani seancën.Nuk ka test më të pacipë, më cinik dhe më të papranueshëm për ne si opozitë.
Ne u detyruam të braktisim parlamentin, sepse njerëzit tuaj i kanë të lyera duart me gjak… ne nuk jemi të prirur të pranojmë parlamentin të mbushur me një numër kusarësh që e përdorin mandatin për të vjedhur pasuritë publike. Ne nuk pajtohemi me këtë. Një kryekusar, e votuam javën që kaloi për të dalë nga parlamenti, por ai nuk është i vetëm…
(Ndërhyn Balla)… Mbylle gojën çakall… mbylle gojë dashnor droge… (Nderhyn deputeti Pirro Lutaj) ..Ti ish punonjës i sigurimit të ushtrisë që terrorizon Mallakastrën, mos mendo se do dalësh mirë
Jashtë nga parlamenti, jashtë nga parlamenti, ky është qëndrimi opozitës.”- tha Berisha.
Më pas opozita largohet nga salla duke braktisur punimet e parlamentit.
Akuzave të Berishës i është përgjigjur deputeti i PS, Taulant Balla, i cili e ka akuzuar ish-kryeministrin si përgjegjësin kryesor të tragjedisë së Gërdecit. Gjatë fjalimit të tij, Balla ka treguar edhe disa dokumenta të publikuara sipas tij në media e që tregojnë përfshirjen e Berishës dhe familjarëve të tij në këtë ngjarje.
“Ik Sali, merri me vete të gjithë, sepse arsyeja është e njëjtë. Përsa kohë nuk bëhet reforma në drejtësi, kryekusari Sali Berisha ka shumë të drejtë të shpifë e të hedhë baltë pa fund”, ka thënë Balla.
“Publikut i janë vënë në dispozicion nga mediat dokumente që e lidhnin këtë kriminel me biznesin vrasës të Gërdecit. Këtu kam gjithë dokumentacionin e plotë të vendimit të Këshillit të Ministrave, të procesverbaleve të KM, me të cilat Berisha ushqente fabrikën e vdekjes. Ja çfarë thoshte Berisha në një mbledhje, kur e kundërshtonin Bode dhe Rusmali: “hajde, ta marrim pak me qetësi këtë problem, se duhet ta zgjidhim këtë punë”. Pastaj ai vazhdon me presionet e veta për t’i dhënë djalit të tij municionin për të hedhur në erë një fshat të tërë. Të gjitha këto dokumenta janë publike, një pjesë e ka prokuroria, por ende as Shkëlzeni as Saliu nuk janë marrë një herë të vetme në pyetje”, ka thënë Balla.