Shënim / Presidenti i Republikës ka veshur opingat e fushatës. Ka sfiduar postin, pozicionin kushtetues, gjendjen shëndetësore dhe të gjitha kanunet e tjera që do të duhej ta kishin mbajtur të rezervuar e në heshtje në këto zgjedhjesh. Foli në fillim me mllef për spostimin e mundshëm të eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë, a thua se do të dërgoheshin matanë kufirit, në Janinë ose Bari, e jo në vendin e tij, në qytetin e Flamurit. Foli më pas për shitjen e votës, a thua se kishte përpara një grup keqbërësish që po blinin vota me thasë mielli dhe me euro, ashtu siç thotë ngado Lulzim Basha.
Një president patetik, emotiv dhe një tifoz politik nga ata të mitingjeve – ja cili është Bujar Nishani që shohim sot në krye të postit më të lartë kushtetues të vendit. Njoftimi se kreu i shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, nuk përbën asnjë rast skandaloz në vetvete. Nishani ka qenë në ceremoni shumë më pak dinjotoze deri më sot, si psh festa e kumbullës, panairi i rakisë etj etj. Kështu që këtu s’ka asgjë për të nënvizuar, përpos faktit që po e bën këtë thjesht dhe vetëm për inat të Edi Ramës, e jo për dashurinë ndaj heroit të madh të Kosovës.
Nuk kemi patur ndonjëherë një fushatë me presidentin brenda. Ah po, ka ndodhur në vitet ’90, kur kreu i shtetit ishte dhe anëtar kryesie i partisë në pushtet. Të paktën atëhere e dinim hapur këtë status të Berishës, pasi ai nuk dinte të fshihej. Jo si Bujar Nishani, që bën sikur, nga mëngjesi në darkë.









