Thellohet skandali i lirimit të 9 personave të arrestuar nga forcat e FNSH dhe RENEA në fshatrat Llakatund dhe Drithas të Vlorës, ku u sekuestuan më shumë se 20 ton drogë Canabis Stativa. Lirimet e personave kryesorë që kishin grumbulluar drogën dhe që dyshohet të jenë pronarët e drogës, janë liruar dy ditë pas arrestimit.
Sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria, dokument që gazeta “Shqiptarja.com” e disponon, lirimi është bërë me urdhër të vetë prokurorisë së Vlorës e cila ka kërkuar në gjykatë për ta masën e sigurisë “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe jo masën e “arrestit në burg”, për dy të arrestuarit e akuzuar për “Shitje të lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtje pa lejë”.
Nuk dihet nëse prokuroria do nisi një inspektim për prokurorët e Vlorës, pasi operacioni “Llakatundi” është shpërbërë në bashkëpunimin prokurori-gjykatë. Ka qënë prokurorja Flora Çela, e cila në kërkesat e saj i është drejtuar gjykatës në korrik 2017, tre ditë pas superoperacionit policor në Llakatund dhe Drithas, duke kërkuar lirimin e shtetasit Myzafer Tushaj dhe djalit të tij Ervin Tushaj dhe caktimin ndaj tyre masën e “Detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore”.
Kjo kërkesë e prokurorisë, ka habitur vetë gjykatësen e Vlorës Elona Mihali, e cila gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë ndaj këtyre personave, ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë së Vlorës, por nuk ka urdhëruar që këta persona të paraqiten pranë policisë gjyqësore, po ka vendosur një masë tjetër sigurimi për ta, duke urdhëruar sekuestrimin e pasaportave dhe ndalimit e tyre për të dalë jashtë shtetit.
Myzafer dhe Ervin Tushaj, janë të parët që çanë rrjetën e drejtësisë në Vlorë, ndërkohë që pas kësaj kërkesë të bërë nga prokuroria, gjykata e Vlorës ka rrëzuar prokurinë në kërkesat e tjera, pavarësisht se prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për të arrestuarit. Disa prej tyre kanë dalë në shkallën e parë, ndërsa disa të tjerë janë liruar nga gjykata e Apelit.
KLD inspekton gjithë gjyqtarët
Mes gjyqtarëve nën verfikim janë 3 të shkallës së parë dhe 3 të Apelit. Arqile Basho do të verifikohet si e liroi shtetasin Rakip Arapaj, i dyshuar për prodhim dhe mbajtje të 5 tonëve hashash, ndërkohë që ata që Arbana Selmanaj për një masë të mëparshme arrest me burg të dhënë ndaj të dyshuarit.
Ky verifikim pritet të hedhë dritë se cili nga gjyqtarët ka të drejtë, pasi siç duket ose Rakipaj është lënë në burg në shkelje të ligjit, ose ai është liruar padrejtësisht. Për këtë shtetas do të jenë në verifikim edhe tre gjyqtarët e Apelit Klodiana Gjyzari, Hysen Saliko dhe Petrit Aliaj që të cilët kanë konfirmuar arrest me burg për Arapajn, vendim i cili u rivlerësua më vonë përballë një garancie prej 1 milion lekë nga gjyqtari Arqile Basho. KLD do të shohë edhe masat e sigurisë të gjyqtares Elona Mihali, që ka vendosur arrestin me burg ndaj shtetasve Ervin Tushaj dhe Myzafer Tushaj, të dyshuar për prodhim dhe mbajtje të 9 tonëve hashash.
Trofeu i vetëm i policisë 20 ton drogë
Superaksioni i policisë së Vlorës në bashkëpunim me strukturat qëndrore të Policisë së Shtetit, kanë mundur në korrik të 2017 të zbulojnë, dy magazina ku ishte fshehur një sasi e madhe droge. Operacioni është shtrirë në disa fshatra të qarkut të Vlorës, ku më konkretisht në zonën e Llakatundit dhe Drithasit, ku u zbuluan 15.3 tonë drogë dhe 600 kg.
Në atë kohë ndërhyrja e policisë dhe i gjithë operacioni është ndjekur gjatë mesnatës nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili ka vëzhguar në terren të gjitha veprimet e oficerave të policisë. Mirëpo kur kanë kaluar tre muaj nga ky operacion i bujshëm policor, asnjë nga nëntë të arrestuarit nuk ndodhet në burg. Ky mund të konsiderohet si skandali i rradhës i drejtësisë shqiptare, ku mosfunksionimi I disa hallkave të institucioneve, ka sjellë lirimin e të gjithë personave të arrestuar. I vetmi trofe që i ka mbetur policisë në këtë operacion është sasia e madhe e drogës të sekuestruar, pasi të gjithë të arrestuarit e këtij operacioni janë liruar nga qelia, me vullnetin e vetë prokurorisë së Vlorës dhe me vullnetin e gjykatës së këtij qyteti.
I fundit që kishte mbetur në burg nga 9 personat e arrestuar ka qënë shtetasi Rakip Arapaj, i cili u lirua nga gjykata e Vlorës ditën e premte nëpërmjet një garancie pasurore. Një burim i tha gazetës “Shqiptarja.com” se personat që konsiderohen si bosat dhe udhëheqësit e këtij grupi kriminal janë arrestuar që ditët e para të hetimit nga vetë prokuroria e Vlorës, ndërsa pjesa tjetër ka mundur të dalë nga burgu, në ditët në vijim. Kjo ishte sasia më e madhe e kapur nga Policia e Shtetit, gjatë aksioneve antikanabis, duke kaluar dhe aksionin e kryer në Përmet, ku në një magazinë u sekuestruar 10 ton drogë e amballazhuar, dhe gati për ta trafikuar. Por përpos këtij suksesi, asnjëri nga të arrestuarit nuk ndodhet në qeli. Shkak i kësaj situate është hetimi i dobët i kryer nga prokuroria e Vlorës dhe policia e këtij qyteti.
Nëntë të arrestuar, dy ishin policë
Veç sasisë së drogës rekord të lëndës nakotike, prej 15.9 ton, gjatë operacionit janë arrestuar dhe dy efektivë të policisë së Vlorës, pasi nga analiza e fakteve dhe veprimeve të tyre gjurmuese-zbuluese, është konstatuar se ata jo vetëm që nuk kanë raportuar për situatën, por edhe se ishin implikuar në këtë ngjarje, duke drejtuar vetë trafikun e drogës. Dy inspektorët e ndaluar janë shtetasit Avdyl Sinanaj dhe Lirim Lamaj. Këtij të fundit policia gjatë aksionit i ka gjetur në oborrin e shtëpisë qindra fidanë kanabis. Me të arrestuarve është dhe Astrim Lamaj, që njihet në Vlorë si tregtar.
Droga në oborrin e policit
Sipas të dhënave, Astriti është vllai i policit Lirim Lamaj. Gjithashtu valës së arrestimeve nuk i ka shpëtuar dhe kryeplaku i fshatit Drithas, shtetasi Balil Gjata, pasi ky i fundit nuk ka raportuar në organet kopetente situatën që po ndodhte në këtë fshat.Gjatë aksionit janë arrestuar dhe persona të tjerë, të cilët rezultojnë pranarë të banesave dhe magazinave ku ishte strehuar lënda narkotike, e kapur tashmë nga policia.
Në këtë aksion policia sekuestroi 5 armë zjarri automatike si dhe 4 automjete në fshatin Drithas, ndërsa në oborrin e banesës së inspektorit të policisë Lirim Lamaj,u gjetën të mbjella edhe 270 bimë kanabis sativa. Sipas burimeve, sasia e drogës ishte përpunuar dhe amballazhuar në thasë, me qëllim shitjen dhe trafikimin e saj, në drejtim të Italisë dhe Greqisë.Për shkak të sasisë tepër të madhe të sekuestruar ndonjëherë, policisë së Vlorës, i është dashur të zhvilljë 5 rrugë me kamiona, me qëllim transportimin e drogës nga fshati Llakatund dhe Drithas, drejt ambjenteve të policisë së qytetit.
600 kg në Drithas dy të arrestuar
Teksa policia e Vlorës gjatë orëve të natës zbuloi dy magazina me 15.3 tonë drogë,efektivët e kësaj drejtorie në orët e mëngjesit kanë gjetur gjatë kontrollit të territorit, edhe 600 kg drogë. Për kontrollin është përdorur qeni antidrogë. Lënda narkotike u gjet e fshehur nëpër shkurret e një përroi, e vendosur në disa thasë sintetikë të cilët përmbajnë pluhur të imët,kanabis. Krehja e zonës është kryer gjithashtu edhe me ndihmën e qenit antidrogë të specializuar për konstatimin e saj. Nga hetimet paraprake, kjo pjesë territoriale dyshohet se është pronë e shtetasit Myzafer Tushaj dhe të vëllait të tij F. Tushaj, dhe Rakip Arapaj.
Të arrestuar dhe të liruar
Lirim Lamaj, 49 vjeç, inspektor në komisariatin e policisë së Vlorës
Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamaj), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas. Efektiv Policie
Balil Gjata, 69 vjeç, banues dhe kryeplak i fshatit Drithas;
Myzafer Tushaj, 66 vjeç, banues në fshatin Drithas
Ervin Tushaj, 42 vjeç, banues në fshatin Drithas
Rakip Arapaj, 58 vjeç, banues në fshatin Drithas
Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas
Elion Tafili, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund
Avdyl Sinanaj efektiv policie në Vlorë.
ma.me