Sali Berisha ka patur një debat të fortë me gazetarët në emisionin “Të Paekspozuarit”, lidhur me kandidatin për Tiranën, Belind Këlliçin dhe faktin se ai nuk denoncon oligarkët dhe pastrimin e parave në Tiranë, por ka shpalosur vetëm premtime populiste, si autobusi falas.
Berisha deklaroi se Këlliçi duhet ti denoncojë oligarkët, por shtoi se kryetari i bashkisë nuk mund të jetë përgjegjës për pastrimin e parave dhe ndalimin e këtij aktiviteti, pasi i takon qeverisë dhe organeve ligjzbatuese të bëjë këtë.
Pjesë nga debati:
Ylli Rakipi: Fushata juaj në përgjithësi dhe veçanërisht në Tiranë, duket se ka një ngërç të madh. Ju nuk denonconi lidhjet e oligarkëve me mazhorancën dhe ato probleme që janë kryesore në Tiranë, si përshembull pastrimi i parave me kullat. Pse ka një ngërç koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për t’ju kundërvënë oligarkëve që shfrytëzojnë pasuritë publike?
Sali Berisha: Jam për denoncimin e plotë të tyre.
Ylli Rakipi: E kisha kandidatin këtu (Belind Këlliçi) dhe nuk e bënte.
Sali Berisha: Ai duhet ta bëjë. Por, çfarë ka më të tmerrshme? E dëgjoj Velinë kur thotë, unë ua tetëfishova taksën ndërtuesëve. U ndala dhe e llogarita. Ka qenë taksa 4% për kosto dhe e ka bërë 8% për çmimin e shitjes. Kjo do të thotë që ndërtuesi nuk paguan më 10 euro por 80 euro. I vrave barkun… Ai shet me çmim dyfish. Dhe mburret me këtë, që lë njerëzit pa strehë. Në Bruksel, e ble më lirë apartamentin se në qendër të Tiranës. Si mundet një kryetar bashkie të bëjë këtë?
Enton Abilekaj: A vjen kjo për shkak të një sistemi të ngritur, për shkak të një deformimi dhe pastrimit të parave?
Sali Berisha: Kryetari i Bashkisë thotë se tetëfishoi taksën dhe sheh dyfishimin e çmimeve, ndërtuesi paguan 80-100 euro, ndërsa blerësi jo më 700-800 por 1600, kujt ia faturove?
Enton Abilekaj: Këto çmime i përcakton tregu apo droga?
Sali Berisha: Droga.
Enton Abilekaj: Pse Belind Këlliçi nuk i dënoncon këto dhe të thotë do i bllokojmë? Sic ka thënë Arlind Qori.
Sali Berisha: Ai nuk e bllokon dot sepse e bllokon qeveria. Ai që ka shërbimin e fshehtë, policinë kriminale.
Enton Abilekaj: Po lejet e ndërtimit?
Ylli Rakipi: Po pse nuk flet për këto o doktor?
Sali Berisha: Lejet e ndërtimit nuk bllokohen sepse bllokohet ndërtimi. Mund të bësh një gjë, nuk bëhet ndërtim pa paraqitur dokumenta në përputhje me standarte ndërkombëtare.
Enton Abilekaj: Ai nuk e ka prekur kurrë këtë problem. Të gjithë problemet që themi ne për Tiranën, burojnë nga kjo.
Sali Berisha: Duhet të largojmë Ramën.
Ylli Rakipi: Keni zgjedhjet lokale para, Ramën e keni në 2025. Belindi mos ka frikën, që po godite oligarkët nuk vjen dot në pushtet? Edhe ju i keni patur oligarkët, aty nisën dhe pastaj i mori Rama i bëri “mamuthë”.
Sali Berisha: Në kohën time nuk ka patur asnjë kullë dhe nuk ka firmosur kjo dorë asnjë kullë. Këlliçi ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë kullë.
/a.r