Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) bëri të ditur se nuk ka marrë një vendim në lidhje me përcaktimin për koalicionin qeveritar në Maqedoni.
Sipas Zërit të Amerikës, Partia shqiptare, pa të cilën nuk formohet dot qeveria e Maqedonisë, me këtë hap ia pamundësoi të mandatuarit, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE, formimin e kabinetit qeveritar. Ky i fundit kishte afat deri të dielën në mesnatë, t’ia dorëzojë parlamentit të vendit programin dhe numrat e nevojshëm të ligjvënësve të cilët do ta miratonin qeverinë.
Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani u tha gazetarëve para selisë së partisë në Tetovë se BDI nuk mundi të marrë vendim për asnjë prej pesë opsioneve të bëra publikë ditë më parë.
“Nuk pati argumente të mjaftueshëm për marrjen e një vendimi” tha ai, duke shtuar se diskutimet brenda partisë ishin mjaft konstruktive dhe se vendimi ishte i njëzëshëm. Ai tha se në ditët në vazhdim do të mbahen bisedime me partitë lidhur me formimin e qeverisë së re që duhet të pasojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
Nga ana tjetër, në partinë VMRO-DPMNE pati heshtje. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të partisë të cilët u mblodhën që nga orët e pasdites, nuk kanë komentuar vendimin e BDI-së.
Pesë opsionet të cilat i kishte theksuar BDI-ja ishin: pjesëmarrja në koalicion me VMRO-në, koalicion me LSDM-në, një qeveri teknike, mbetja në opozitë dhe zgjedhje të reja.
Gjykuar nga zhvillimet e fundit, zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni ende nuk i shihet fundi, përfundon raportimi i Zërit të Amerikës. /b.d