Një operacion i koduar “Kolektivi” ka vënë në pranga pronarin e një parukerie në Tiranë, pasi akuzohet se ka shfrytëzuar punonjëset e tij duke mos i paguar.
Denoncimi u bë nga pesë gra, të cilat pretendojnë se punëdhënësi i ka mashtruar dhe u detyrohet një shumë prej rreth 20 mijë eurosh paga të prapambetura.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi se përveç borxheve ndaj stafit, pajisjet e punës në biznes ishin futur kontrabandë, ndërkohë që aktiviteti kryhej duke fshehur të ardhurat dhe pa paguar taksat shtetërore.
Në pranga përfundoi 41-vjeçari me iniciale B. A., ndërsa bashkëshortja e tij po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme mbi akuzat e mashtrimit dhe punësimit të paligjshëm.











