• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, June 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

Non Grata “e hequr”, komplimente qytetarit Berisha, kujtesë për politikanët

by Lorenc Vangjeli
11/06/2026 16:23
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

 Nga Lorenc Vangjeli

“Unë erdha! U krye”, tha Sali Berisha duke njoftuar heqjen e sanksioneve amerikane që e ndalonin atë të udhëtonte drejt Tokës së Premtuar. Nuk ka pikë rëndësie sesi u arrit, që në një segment kohor prej pesë vjetësh, Sali Berisha, njeriu i qindra betejave politike të fituara a të humbura, arriti të fitojë luftën e jetës së tij. Ato janë vetëm detaje për një nga dy njerëzit me dritëhijet më të forta të tranzicionit shqiptar. Thelbi qëndron në aktin e parë pesë vjet më parë dhe aktin e fundit tani në 11 qershor 2026.

“U krye!”, tha Sali Berisha për plumbin e nisur në tjetër objektiv dhe ndryshoi trajektore drejt tij. Deputetët e tij e duartrokitën, kurse socialistët qëndruan ulur, me sytë në prehër. U ndjenë të fituar ata që e përkrahën që në ditën “Zero” nga demokratët, por edhe ata që besuan se ishte ndarë përfundimisht nga Ati i tyre.

Të tendosur nga protestat e pandërprera antiqeveritare, socialistët u ndjenë të grabitur nga ajo që dikur e konsideronin dhuratë amerikane. Por asnjëra palë dhe as tjetra, me shumë gjasë as vetë Sali Berisha dhe Edi Rama, nuk kuptuan atëherë në majin e largët 2021 se Non Grata e tij ishte një njollë turpi për gjithë Shqipërinë. Vendin që shihte sesi një ish-president e ish-kryeministër i saj sanksionohej nga aleati stategjik i vendit, SHBA-ja.
Më shumë se një akt që godiste individin, ai ishte sanksionimi i qasjes bolshevike të udhëheqësve të pluralizmit shqiptar ndaj pushtetit. I raportit vetjak që ata ndërtonin me pushtetin si qëllim në vetvete dhe jo si një mjet për të realizuar qëllime të mira! Ky ishte leksioni që ndoshta nuk u kuptua kurrë në Tiranë. As atëherë! As tani! Dhe duke triumfuar ne kete lufte, ndoshta politikani veteran Berisha, me ne fund do te mposhte Saliun egoist. Do te largohet per te cliruar partine e vet nga bagazhi i mekateve qe lidhen me emrin e tij dhe t’i hape udhe mundesise ende te larget per te qene alternative per ne pushtet.

Ndoshta është koha që përtej stofit të vjetër të sovranistëve që kërkojnë të rihyjnë në modë, neomarksistëve të ringjallur, antiamerikanëve të fshehur dhe ekstremistëve të çdo skaji, Tirana të rigjykojë rolin e saj të kushtëzuar nga pesha modeste e saj, në një botë gjithmonë e më të ndërlikuar. Që të vlerësojë me realizëm dhe jo me patetizëm e megalomani ballkanase vendin e saj në botë. Dhe të pranojë si aksiomë, një të vërtetë të thjeshtë: “Amerika ka të drejtë edhe atëherë kur në këtë skaj të largët të Ballkanit, mund të duket ndryshe!”.
Më poshtë, një editorial botuar në JavaNews.al, menjëherë mbas shpalljes Non Grata të Berishës nga departamenti Amerikan i Shtetit. Pesë vjet më pas, shumë modestisht, në një vend me kujtesë zakonisht të shkurtër, ndoshta ja vlen të rilexohet.
Linku:

https://javanews.al/berisha-non-grata-ne-shtyllen-e…/…

Berisha Non Grata, në shtyllën e turpit ka gozhdë për të gjithë!
24/05/2021 15:53
Nga Lorenc Vangjeli
Kyçja e Sali Berishës në listën Non Grata të SHBA-së është lajm shumë i keq për Shqipërinë. Të majtët që i bien daulleve të gazit për rënien e armikut të tyre, tregohen naivë në rastin më të mirë. Të yshtur nga ideja sipërfaqësore se e keqja e Doktorit është e mira e tyre, ata nuk kuptojnë se këmbanat po i paralajmërojnë të gjithë. Nuk dallojnë se dëshpërimi nuk ka ngjyrë partiake. Se lista e sekretarit Blinken është shtylla e turpit në cilën ka vend e gozhdë për të gjithë.
Të djathtët që zunë vajin me saze dhe nisën t’i këndojnë trimërisë me çifteli, me shpresë se Amerika mund të paguajë në Paris si frëngu pulën e gabuar, janë skaji tjetër i segmentit, edhe qesharak, edhe dramatik i megalomanisë së padurueshme që na e ka gdhendur raca në AND. Fakti që ish-presidenti dhe ish-kryeministri shqiptar është një individ i papërshtatshëm për Shtetet e Bashkuara është shumë më shumë se raporti personal i një individi me aleatin strategjik. Ai është dëshmia ulëritëse e marrëdhënies së deformuar që vetë shoqëria shqiptare ka me liderët e saj. Departamenti Amerikan i Shtetit na dha mundësinë trallisëse për të kuptuar garderobën bosh të mbretërve tanë, fodullë e arrogantë në botën e vogël shqiptare dhe lepurushë të padukshëm dhe inekzistentë në botën reale.
Ky akt shënjoi paaftësinë proverbiale të shoqërisë shqiptare për të zgjedhur liderit ndër disa alternativa, për të lëvizur drejt pensionit ata që ju është moshuar mendja dhe zvogëluar shpirti, për t’i qortuar kur bëjnë keq, për të firmosur përkohshmërinë e tyre normale apo edhe për të patur sistemin e duhur që i ndëshkon në rastin që gabojnë. Kush vjen në pushtet, pavarësisht rrethanave që e kanë sjellë, mund të ikë vetëm nëse e vendos vetë, sepse shoqëria nuk mund ta detyrojë të bëjë ndryshe. Nuk ka mjete në dispozicion, pavarësisht votës formale njëherë në katër vjet. Nuk ka mundësi për të menduar me kokën e saj sepse e detyron nevoja e stomakut dhe e garderobës së vanitetit që kërkon të mbushet majë më majë. Shoqëria shqiptare ende nuk ka kuptuar se magjia e demokracisë është përkohshmëria dhe se të gjithë ata njerëz që kanë kaluar në drejtimin e këtij vendi kanë pasur ëndërr të përjetshme që te zbresin Skenderbeun nga kali dhe pastaj t’i hipin vetë Gjergjit në shpatulla për të ngjarë më të rëndësishëm edhe se vetë miti.Sali Berisha është gjithashtu mit.
Një amerikan i thjeshtë do të lebetitej nëse do të mësonte se ish-komunisti shqiptar që nga koha e tankeve sovjetike në ish-Cekosllovaki, ka përcjellë presidencën e Bushit të vjetër, pastaj Klintonin në dy mandate dhe ka pritur të mbarojë dy mandate edhe Bushi i ri. Më pas ka parë sesi është larguar i trishtuar Obama mbas dy mandateve presidencialë kur i la vendin në Zyrën Ovale Trumpit dhe arriti me dëshpërim të shohë edhe zgjedhjen e Bidenit.
Sipas parametrave shqiptarë, ai mund të shijonte edhe ceremoninë e inagurimit presidencial të nipit të Trumpit, nëse kjo do të ndodhte një ditë. Pikërisht ky është gabimi thelbësor i tij, por dhe i gjithë politikanëve orientalë si ai: etja për të qenë sa më gjatë në pushtet. Ideja për ta pasur pushtetin si qëllim në vetvete dhe jo si një mjet për të arritur qëllime të mbara. Për të mbërritur pashmangshmërisht më pas, në përdorimin e pushtetit për mburojë vetjake, qoftë nga mëkatet që i numëron publiku, qoftë nga zgjimi i dhunshëm i skeleteve që flenë në dollap.Berisha i mbijetoi kaq gjatë politikës sa të shohë rrëzimin e pandalshëm të vetes, duke marrë poshtë edhe krenarinë e lënduar të çdo shqiptari normal që sheh në gjunjë njeriun më të fortë të tranzicionit, por duke ngritur edhe njëherë lart, për paradoks, shpresën e çdo shqiptari se mbi agallarët e sertë vendas, janë të tjerë që përdorin kamzhikun për të zbrazur tempullin e përdhosur. I mallkuar nga fati si banor i një vendi të vogël e të varfër, shqiptari është i bekuar nga interesi i mirë dhe i vijueshëm i një superfuqie ndaj tij.
Ndaj sot, të besosh në modelin amerikan është kusht i panegociueshëm për të qenë shqiptar i mirë dhe patriot.Berisha vazhdon të jetë luftëtar. Një luftëtar race dhe i paepur. Edhe kur i drejtohet absurdit me gjykatën e Parisit, edhe kur tenton të gjuajë me krrabë bariu avionin që i lëshoi bombën mbi kokë, ai është një figurë tragjike që më shumë se historisë së politikës si protagonist, do t’i shërbejë letërsisë si personazh. Duke nisur me 60 vjet më parë, kur me valixhen jeshile prej druri dhe me dryn “tutius”, ai ckyci ëndrrën për Tiranën.
I sëkëlldisur nga malli për shtëpinë, i hedhur në një botë të re që e kishte ndryshe edhe të folurën, edhe të qeshurën, edhe të ngrënin, i turpëruar për pantallonat që i rrinin keq dhe trikon që ishte shumë ndryshe nga ato të moshatarëve të tij, bij të fitimtarëve krenarë e gjysmë analfabetë të luftës për Shqipërinë, ai derdhi hormonet e adoleshencës në bibliotekë duke pritur të martohet me fat dhe shpalli sfidën e madhe pa kuptuar se do të shkonte si shumëpakkush tjetër në majë për të rënë më pas si shumëpakkush në honin më të thellë.Sali Berisha tani është një luan i plagosur, i shtrirë në tokë nga dhjetra plagë që ka marrë në tre dekada në rrugëtimin e tij fantastik njerëzor drejt suksesit individual që ka qenë shumë shpesh mallkimi i të tjerëve.
I përpëlitur nga kujtesa e qindra e mijëra plagëve që ju ka dhënë kundërshtarëve, mes bëmave dhe gjëmave, të ligave dhe shpresave që ka sjellë për këtë vend, pa kuptuar se një jetë njerëzore është gjithmonë e mjaftë për të provuar skajet: lavdinë dhe turpin, Sali Berisha sot është fytyra e dështimit të parademokracisë shqiptare. Eshtë mëkat ta godasësh në këto momente me shkelma sepse kësaj here shpresa që na erdhi edhe njëherë si përherë nga Amerika, ka marrë me shkelma vetë paaftësinë e shoqërisë shqiptare për t’u shërbyer nga demokracia. Armiku i tij Edi Rama nuk e bëri. Kryeministri që flet për gjithcka, kësaj here vetëm heshti. Dhe heshtja shpesh është dinjitet që fsheh dhembjen.
Next Post
Publikohen rezultatet e provimit të Gjuhës së Huaj për Maturën Shtetërore 2026

Publikohen rezultatet e provimit të Gjuhës së Huaj për Maturën Shtetërore 2026

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Iu mohua hyrja në SHBA për Botërorin, arbitri somalez do të gjykojë finalen e Superkupës

Iu mohua hyrja në SHBA për Botërorin, arbitri somalez do të gjykojë finalen e Superkupës

June 11, 2026
Zvërneci, flet këshilltari amerikan: Protestat po i thoni botës se “Shqipëria nuk dëshiron të bëjë biznes”

Zvërneci, flet këshilltari amerikan: Protestat po i thoni botës se “Shqipëria nuk dëshiron të bëjë biznes”

June 11, 2026
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Viza “mjekësore” një hakmarrje mizore e Berishës ndaj SHBA-së

June 11, 2026
Bota përballet me Super El Niño-n: Temperaturat dhe moti ekstrem drejt rekordeve të reja

Bota përballet me Super El Niño-n: Temperaturat dhe moti ekstrem drejt rekordeve të reja

June 11, 2026
Interpelanca për Duranën në Kuvend/ Bozdo ngre akuza për paligjshmëri, Ibrahimaj mbron projektin

Interpelanca për Duranën në Kuvend/ Bozdo ngre akuza për paligjshmëri, Ibrahimaj mbron projektin

June 11, 2026
REL: PD thotë se Berishës iu hoq ndalesa amerikane, DASH ende pa konfirmim publik

REL: PD thotë se Berishës iu hoq ndalesa amerikane, DASH ende pa konfirmim publik

June 11, 2026
Meta sulmon SPAK: Proces politik për të goditur opozitën, nuk ka asnjë provë kundër meje

Kushtetuesja zbardh vendimin për Metën, 5 gjyqtarë votuan kundër lirimit të ish-Presidentit

June 11, 2026
Publikohen rezultatet e provimit të Gjuhës së Huaj për Maturën Shtetërore 2026

Publikohen rezultatet e provimit të Gjuhës së Huaj për Maturën Shtetërore 2026

June 11, 2026
Rama kundër SPAK-ut, Berisha është vetëm një grusht kripë më shumë në det

Non Grata “e hequr”, komplimente qytetarit Berisha, kujtesë për politikanët

June 11, 2026
“Hajdut! Si guxon të kërcënosh qytetarët?”, Shehaj përjashtohet nga seanca pas përplasjes me Malajn në Kuvend

“Hajdut! Si guxon të kërcënosh qytetarët?”, Shehaj përjashtohet nga seanca pas përplasjes me Malajn në Kuvend

June 11, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In