Nga Altin Ketro
Në kohën e dashurisë ruso-shqiptare, ish-Kinostudioja bashkëprodhoi filmin me ngjyra “Furtuna”, që trajtonte rezistencën partizane ndaj pushtimit fashist italian. Një film butaforik, që bëhej qesharak në ato fragmente ku partizanët shqiptarë luftonin kundër ushtrisë italiane me gurë dhe llastiqe. M’u kujtua ai film sepse opozita shqiptare duket se e paska parë dhe pëlqyer aq shumë, saqë ka vendosur ta vërë në jetë.
Vetëm se në këtë rast, raportet janë të përmbysura. Janë “invazorët” opozitarë ata që përdorin gurët dhe llastiqet ndaj grupeve të rezistencës, që janë trupa policore që mbrojnë godinat qeveritare.
Dhe meqë jemi tek godinat, gjithnjë më ka bërë përshtypje pse është ky fiksimi për të pushtuar dhe djegur ministritë dhe veçanërisht godinën e Kryeministrisë. Kushdo që ka tentuar ta bëjë, mbase ka menduar se me pushtimin dhe djegien e saj bie edhe qeveria. Këto “grupe zjarri” që e marrin përsipër këtë veprim nuk kuptojnë se qeveria nuk është godina, por institucioni që përbëhet nga njerëz dhe vazhdon të funksionojë edhe jashtë saj. Ajo mbetet legjitime edhe sikur mbledhjet dhe vendimet t’i marrë në një sallë konferencash hoteli, nga Vermoshi në Konispol.
Dikush mund të thotë se rëndësi ka simbolika e pushtimit të godinës, se kështu i është marrë kalaja qeverisë. Mund të pushtosh një ndërtesë, mund t’i vësh zjarrin, mund ta kthesh në shkrumb e hi, por nuk ke marrë pushtetin për sa kohë nuk ke marrë legjitimitetin për ta ushtruar atë. Këtë e tregoi edhe 14 shtatori i vitit 1998.
E vetmja humbje e pakthyeshme është ajo historike. Ndërtesa mund të rindërtohet identike, por nuk do të jetë më godina e fundviteve ’30 të shekullit të kaluar, por një ndërtesë e re e shekullit XXI. Do të humbasë vjetërsinë, autenticitetin historik dhe dokumentacionin që ruhet brenda saj. Pra, do t’ia shkurtojmë historinë me rreth 100 vjet.
Ata që nxisin këto sulme derisa këtyre ndërtesave t’u dalin themelet nga flakët, bëjnë me faj punonjësit e policisë që nuk u lënë vandalëve rrugë të lirë. Nëse policët do të bënin një gjë të tillë, përgjigjen ligjërisht për shpërdorim detyre, sepse e kanë detyrim për t’i mbrojtur dhe lënia në mëshirë të fatit të zjarrvënësve është shkelje penale.
Nxitësit që duan rrëzimin e Ramës përmes formave guerilase, çfarë do të bënin si shtetarë nëse do të përballeshin me situata të ngjashme? A do t’i linin “studentët” t’u vinin zjarrin institucioneve shtetërore, apo do t’i mbronin ato siç po bën policia sot? Kjo është një pyetje që gazetarët duhet t’ua bëjnë kur i marrin në intervista.
Një Zot e di se ku po e çon mushka këtë opozitë me këtë strategji aventureske që ka gjetur. Ajo që di të them është se në këtë vazhdim të “Furtuna 2.0”, opozita që ka marrë përsipër të luajë rolin e pushtuesit, ka përfunduar si një çetë që lufton me gurë e llastiqe kundër një pushteti që nuk arrin as ta gërvishtë. Siç duket, ky film butaforik do të vazhdojë shumë gjatë. Por tashmë, si prodhim SHQUP-i.











