Një defekt i zbuluar tek versioni ueb i aplikacionit popullor për mesazhe, WhatsApp, vë në rrezik miliona përdorues. Kjo mangësi tek softueri iu jep mundësi piratëve kibernetikë të mashtrojnë përdoruesit që të shkarkojnë përmbajtje me viruse tek kompjuterët e tyre.
Muajin e kaluar WhatsApp krijoi versionin ueb të aplikacionit për mesazhe, i njohur si WhatsApp Web, i cili fillimisht ka qenë në dispozicion për përdoruesit e iPhone, dhe pastaj u ofrua edhe tek përdoruesit e pajisjeve Android, BlackBerry dhe Windows Phone.
Ky shërbim lejon përdoruesit që të shohin të gjitha mesazhet që kanë dërguar ose kanë marrë – duke përfshirë këtu fotot, videot, mesazhet me audio, vendndodhjet etj – direkt nga kompjuteri i tyre.
Megjithatë, firma e sigurisë Check Point pretendon se ka zbuluar një mangësi tek aplikacioni, që iu jep mundësi piratëve kibernetikë të instalojnë në distancë viruse apo kode me qëllime dashakeqëse. Piratët kibernetikë mund t’iu dërgojnë përdoruesve një mesazh të thjeshtë, në dukje i parrezikshëm, i cili i lejon të futen në sistem dhe të marrin nën kontroll kompjuterin, të shohin veprimet e përdoruesit ose ta përdorin për të shpërndarë viruse.
WhatsApp njoftoi së fundmi se ka mbi 900 milionë përdorues aktivë mujor, dhe të paktën 200 milionë prej tyre përdorin versionin ueb të aplikacionit.









