Tërmeti me magnitudë 6.4 sipas shkallës Rihter, zbuloi sipas gjeologut Ylber Muceku “një Shqipëri me ndërtime kaotike dhe pa planifikim urban”.
Në Durrës ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, u inspektuan më shumë se 700 objekte, prej të cilave 237 janë klasifikuar si të pabanueshme.
Ndërsa dhjetëra shtëpi po shemben, hipotezat për përmasat e kësaj katastrofe që prek edhe qytete si Tirana, Lezha etj., janë të shumta. Dikush fajin ia hedh truallit, ndërtimit në të ashtuquajturat zona “të ndaluara”, por nga ana tjetër, mbijetesa e objekteve me lartësi të mëdha në këto hapësira lë vend për dyshime të tjera, thotë “Panorama”.
Muceku shpjegoi për të se për rrënimin e objekteve në fjalë, nuk mund t’i hidhet faji truallit, por mungesës së studimeve gjeologjike, sizmike dhe projektimeve të paplanifikuara. Përpos kësaj, në terrene “të vështira” kërkohet investim me kosto të lartë.
Ndaj, për ndryshimin e situatës aktuale, ai ngre alarmin për angazhimin e ekspertëve në studime të mirëfillta e kërkime shkencore. Kërkime që sipas tij nuk kanë munguar as në periudhën e komunizmit, kur janë bërë studime të standardeve të larta. Lidhur me këtë periudhë, specialisti tregon edhe rastin e vitit 1979, kur në Shkodër u ndje tërmeti me magnitudë 6.9 i shkallës rihter, që rrënoi mbi 17 mijë objekte.
“Pas katastrofës, banorët në më pak se 6 muaj ishin të gjithë brenda në shtëpitë e reja”, tregon ai. Gjeologu shpjegon gjithashtu, se arsyeja kryesore përse gjatë periudhës së diktaturës nuk ndërtoheshin objekte me lartësi të mëdha është aspekti ekonomik.
“Nuk kishte mjaftueshëm buxhet për të harxhuar. Gjatë asaj periudhe, në Amerikë janë ndërtuar gradaçela. Po ashtu, në Azinë e Mesme (Katar, Dubai etj.) po ndërtohen ndërtesa shumë të larta, po sigurisht që nisma të tilla kërkojnë bazamente shumë të forta, çka do të thotë se kanë edhe kosto të larta”, është shprehur ai.
Gjeologu Muceku thekson se problemi kryesor për sa u përket ndërtimeve, është njohja e vendit ku do ngresh objektin e planifikuar.
“Unë jam i kësaj fushe dhe aty ku ka dhera, e studioj truallin deri në 30 metra thellësi. Një objekt deri në këtë thellësi, krijon marrëdhënie me truallin, mandej sjellja apo ndjeshmëria e truallit tej 30 metrave thyhet, nuk përçohet më tutje. Nëse trualli nuk është i përbërë nga dheu, duhet parë edhe më tej. Prandaj është me rëndësi të studiohet në mënyrë të detajuar trualli në aspektin gjeologjik, por dhe në atë sizmologjik më pas. Pasi të merret informacioni i duhur për këto dy aspekte, duhet të bëhet projekti. Për sa i përket ndërtimit të objektit, pjesa më e rëndësishme është mbështetja në tokë. Nëse themeli është në truall të mirë, kostoja nuk është e lartë. Mandej, nëse flitet për një truall jo të mirë, jo se nuk ndërtohet, por kostoja është më e madhe, pasi duhet llogaritur edhe vlera për përmirësimin e kushteve gjeologjike të truallit. Pra, është kjo arsyeja se pse urbanistët nuk zgjedhin të ndërtojnë në një truall të dobët, për shkak të kostos”, tha ai.
Gjeologu thekson se mbetet për t’u parë sa do zgjasi lëkundja e radhes, pasi është shumë e vështirë që tërmetet të parashikohen. Mirëpo, sipas tij bazuar në historinë e tërmeteve, mund të thuhet se 95% e tyre janë pasuar me pasgoditje, ku goditja më e madhe që ka rënë, ka qenë te 6,3 apo 6,4.
“Nuk ka pasur pasgoditje më të mëdha, janë shumë të rralla ato që e kanë kaluar këtë magnitudë. Referuar sizmologëve, tërmetet do të vijnë drejt shuarjes, por për këtë duhet njëfarë kohe“, deklaroi Muceku.
g.kosovari